Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos do të takohet sot në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti. Pas takimit, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, në orën 10:45.
Kos do të zhvillojë takime edhe me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiun. Në fokus të diskutimeve pritet të jenë reformat drejt BE-së, si dhe shfrytëzimi i mundësive që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Komisionerja po zhvillon vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë qëkur mori detyrën në vitin 2024. Vizita realizohet tri javë para zgjedhjeve të reja që mbahen në Kosovë, më 7 qershor.
Njëkohësisht, është një vizitë që ndodh vetëm tri ditë pas deklaratës në takimin e Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor në Bratislavë ku u shpreh se siguria evropiane lidhet ngushtë me rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse nuk e integrojmë fqinjësinë tonë në Bashkimin Evropian në këtë situatë, po ta quaj, të çmendur gjeopolitike, ku për herë të parë kemi forca të jashtme destabilizuese që do të dëshironin të na shihnin të dështojmë në procesin e anëtarësimit, ato mund të ndërhyjnë dhe më pas t’i përdorin ato vende kundër nesh, ashtu siç po bën, për shembull, Rusia në Bjellorusi, duke i përdorur migrantët si armë kundër BE-së”, tha ajo.
Kos kishte planifikuar një vizitë më 12 mars, e cila u anulua për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë pasi Vjosa Osmani shpërndau parlamentin më 6 mars, pasi nuk u arrit një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Komente










