Duke e vlerësuar Enver Hoxhën për kontributin që sipas Nolit, kishte dhënë në luftën kundër armikut të përbashkët, ai i nis këtë telegram presidentit Ruzvelt edhe në emër të gjithë shqiptarëve të Amerikës, duke i kujtuar se Hoxha dhe Shqipëria e meritonin plotësisht ftesën në konferencën e San Françiskos, ku do të diskutohej e më tej hartohej Karta e Kombeve të Bashkuara.
Shqipërisë së sapo dalë nga lufta, ende nuk i ishte njohur roli që ajo pati gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe siç duket nga telegrami i Nolit, deri në prill të 1945, disa ditë para mbajtjes së konferencës nuk i kishte mbërritur asnjë ftesë.
Pjesmarrja në këtë konferencë, do t’i njihte Shqipërisë të drejtën për t’u rreshtuar në frontin e vendeve që e luftuan fashizmin dhe nazizmin dhe respektivisht do t’i njihte Enver Hoxhës dhe qeverisë së tij kontributin në këtë luftë.
Por edhe pse Noli u angazhua për t’i shkruar direkt Ruzveltit e për t’i ardhur në ndihmë Enver Hoxhës në këtë çështje, Amerika i tha jo Shqipërisë. Siç dihet kohë më vonë SHBA intensifikoi bisedimet me qeverinë e Hoxhës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por kushti kryesor ishte njohja e traktateve të firmosura nga qeveritë paraardhëse, një çështje për të cilën nuk arrit kurrë marrëveshje mes palëve.
Telegram Presidentit Ruzvelt
Uashington, D.C.
Prill 1945 (?)
Klerikët dhe shekullarët e kishave Ortodokse Shqiptare të Amerikës shpresojnë se Shqipëria do të jetë një nga Kombet e Bashkuara e të Shoqëruara që janë ftuar për të marrë pjesë në Konferencën e San Franciskos, më 25 prill. Kryeministri Enver Hoxha, kryetar i qeverisë shqiptare në Tiranë, meriton plotësisht ftesën tuaj, meqë ai ka luftuar me trimëri kundër armikut të përbashkët që nga fillimi i kësaj lufte në bashkëpunim të përzemërt me aleatët dhe ia arriti që të çlirohej Shqipëria nga pushtimi gjerman dhe tani po ndihmon mareshalin Tito për të dëbuar gjermanët nga Jugosllavia.
Për më tepër, shqiptarët e këtushëm janë njëzëri të mendimit se kryeministri Enver Hoxha dhe anëtarët e qeverisë së tij janë një garanci se ata do t’i japin Shqipërisë një qeveri demokratike në përputhje me parimet e shpallura nga udhëheqësit e mëdhenj të Kombeve të Bashkuara.
Peshkop Fan S. Noli
26 Blagden Street
Boston. Masaçusets. SHBA
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Shtator 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)