Në ditën e fundit të vitit të kaluar një letër e gjatë i ka mbërritur në zyrë kreut të qeverisë dhe dy ministrave të kësaj qeverie. Letra mbante firmën e një prej asosacioneve më të mbështetura nga qeveria, sikundër ishte biznesi i rregjimit të përpunimit aktiv, i thirrur thjesht “fason” dhe ishte firmosur edhe nga një numër i konsiderueshëm sipërmarrësisht të këtij sektori.

Shqetësimi nuk është bërë ende publik, por “Shqiptarja.com” disponon të plotë shqetësimin e këtij grupimi sipërmarrjesh, që, për hir të së vërtetës, në fundin e vitit të kaluar rezultoi të jetë sektori me performancën më të mirë në tregtinë me jashtë, duke siguruar rreth 90 % të kësaj performance dhe duke i sjellë ekonomisë shqiptare një sasi të konsiderueshme valute të huaj, aq të nevojshme në kushtet aktuale të reduktimit të frikshëm të remitancave (dërgesave të emigranteve) dhe reduktimit konjuktural të eksporteve të tjera, si energjia elektrike apo mineralet, që kishin përbërë “pjesën e luanit” në vitet e fundit.