Kur (s)qesh Gaqo Bushaka

Kur (s)qesh Gaqo Bushaka

Gaqo Bushaka

Kjo nuk është një intervistë, ndaj nuk do parë si e tillë.

Shumë vite të shkuara, një përvjetor ditëlindjeje më erdhi si dhuratë një libër me titullin “Arushi që kërkonte babanë“. Nuk e kujtoj me saktësi se cfarë më nxiti kërshërinë për këtë libër. Arushi që kërkonte babanë, apo arushi që kishte një baba. Deri atëherë arushi i vetëm që njihja ishte një lodër me kurdisje, një arush fotograf që nxirrte në fotografi dhe arushi i Ndërmarrjes Plastike të Durrësit, një arush bojëportokalli.

Do të kalonin vite dhe do të lindnin plot kafshë të tjera, si pjellë e imagjinatës së një njeriu të vetëm që mbajti “barrën” e babait të kafshëve më të dashura të fëmijërisë sime. Derkuci Cufo dhe bubi kacurrel mbetën personazhe të pashlyer në kujtesën e fëmijës që u rrit me dashurinë për njerëzit.

Kur flet me Gaqo Bushakën pret që të ndjesh ngazëllimin e fëmijës kur shfleton faqet e librave të tij për fëmijë, por në fakt nuk është tamam ashtu. Gaqo Bushaka e ka kaluar “fëmijërinë“. E kisha imagjinuar Gaqon, apo xhaxhi Gaqon që e vogël, si burrë të madh, madje për të qenë plotësisht e sinqertë, e kisha imagjinuar si “gjyshin e përrallaveë. Ndoshta ngaqë dikë që shkruan përralla e barazojmë me gjyshërit, si njerëzit e parë që treguan përralla në familjet e vogla të lexuesve tashmë të rritur.

“Cufos ia vura emrin nga zhurma që bënte treni “cufcuf”, pranë shtëpisë sime”. Ndaj nëse ndonjëherë e ke pyetur veten “ku e gjeti atë emër”, ja ku e ke përgjigjen. Letërsia për fëmijë e këtij shkrimtari erdhi si një “arratisje” nga jeta personale me një fëmijëri “të hidhur”, për të cituar shkrimtarin.

I ardhur në Tiranë në moshën dy vjecare, Gaqo Bushaka nuk rresht së thëni se vjen nga Lunxhëria dhe se familja e tij ka jetuar me shumë varfëri.

Tregon për shkollën e “Rezervave të Punës” ku mësonte natën për “elektricist” dhe më pas për punën në Uzinën “Partizani” e më tutje në PTT, tek “reparti i baterive”.

“Shkova te “Bateritë” sepse aty mund të lexoja natën. Por mjedisi aty kishte shumë aciditet dhe më vonë si pasojë e punës humba njëzet përqind të kujtesës”.

Cufoja e bëri të famshëm, por pa Safo Markon, një ilustruese brilante ai do të mbetej një derkuc “pa jetë“. Nuk kishte fëmijë të moshës sime që nuk e kishte Cufon në bibliotekë dhe batutat e tij ende për shumë prej nesh mbeten bashkëkohore. “Cufo, Cufo o gjumash, shkon në shkollë avash, avash”.

“Batutat ishin pjesë e jetës sonë. Pranë shtëpisë sime ishte hotel “Bristoli”, diku afër ish Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe që u prish. Në lagje kishim një berber. Josif Andoni e quanin. Unë me një shokun tim, më pas një mjek me emër Bert Andoni sapunisnim klientët dhe ia bënim gati Josifit. Si shpërblim ai na merrte me vete me bicikletë për të parë ndeshjet në stadium. Kur shkonim në stadium, Berti qëndronte në këmbë, ndërsa tifozët bërtisnin: thuaji të ulet ai sallami i gjatë.”

“Kujtoj Qemal Voglin, portierin legjendë të skuadrës së “Dinamos” dhe Skënder Halilin, mbrojtësin e Tiranës. Ne ishim shokë, por ata ishin kundërshtarë në lojë. Ekipit tonë i shtohej edhe Panajot Pano. Eh, nuk e e hëngrëm asnjëherë një herë një mollë të plotë, por me “capa”. Kafsho njëri, e pastaj tjetri. Ishin kohëra të tjera.

Pas shkollës së mesme, Gaqo Bushaka bëri disa “hapa” në fushën e mjeksisë, por e la shpejt këtë “sport” sepse i binte të fikët nga gjaku.

“Më kujtohet Nesti Kondili, me të cilin ishim në nj bankë, i cili më thosh: O Gaqo, do t’i shërbesh ti pacientit, jo pacienti ty. Prandaj më mirë lëre këtë degë. Dhe kështu u largova dhe u regjistrova në degën e Gjuhë-letërsisë. Atëherë për Mjeksinë kishte kërkesa të shumta, ndërsa për gjuhë-letërsi kishte vende plot.”

Gaqoja kujton vitet që e cuan në rrethin e Skraparit, si gazetar i ri, sapo mbaruar universitetin. Flet me dashuri për njerëzit dhe kujton edhe aty vështirësitë që duket se e ndiqnin.

“Kujtoj një herë që bënte aq ftohtë, saqë batanijen e shtrova në vend të dyshekut dhe dyshekun e hodha në kurriz në vend të jorganit”. Gaqoja edhe qesh. Por kur flet duket sikur nuk i ka shkruar ai librat me cufoemebubinkacurrel.

Lasgush Poradeci mbetet idhulli i tij. Shkrimtari qoftë edhe i letërsisë për fëmijë ka idhujt e tij, edhe kur ata nuk kanë shkruar asnjëherë letërsi për fëmijë, apo qoftë edhe në mungesë të kësaj të fundit.

“Ishim mbledhur një herë të festonim ditëlindjen e profesorit (kështu i referohet Lasgushit). Një moment, pasi kishte mbaruar solemniteti, ai më tërheq edhe më thotë: Gaqe, po unë nuk e kam ditëlindjen sot. Po kur e ke profesor, e pyes? Nuk e tregoj se kam frikë nga vdekja, më tha”. Gaqo Bushaka flet me adhurim për Lasgushin, por pa u zgjatur, ashtu sic ndodh shpesh me njerëzit që e dinë apo e kanë treguar një histori shumë herë dhe për ta është thjesht një përsëritje. Ndërsa për mua një rrëfim prej 77 minutash i një 77 vjecari që kërkon t’i shmanget fëmijërisë së tij, duke mos bërë gjë tjetër vetëm se duke e theksuar atë, përmes historisë së cufove me shokë që na zbukuruan imagjinatën, së paku brezave deri në moshën time.

“Kur shkuam një herë me autobus, në panairin e Gjenevës, Qazim Rreli, një mik im kishte dëgjuar për disa tableta ëmbëlsuese që zëvendësonin sheqerin dhe më thotë: Aman Gaqo, shih se mos gjen atje ca nga ato tableta. I kërkova disa ditë, por duke qenë se nuk merresha dot vesh mirë, nuk arrita t’ia gjej tabletat. Një ditë, përpara se të ktheheshim në Shqipëri ulur në një restorant-bufe, bashkë me kolegët që udhëtonim bashkë nxjerr nga canta një kavanoz me recel, prevede ftoi që ma kishte dhënë me vete nëna (sigurisht me një dietë prej 7 dollarësh kërkonim të kursenim) dhe e vendosa mbi tavolinë. Kamarierja kishte shqyer sytë nga habia. Mbi tavolinë koshi i bukës ishte zbrazur sapo ajo kishte kthyer kurrizin. Ajo kujtoi se kishte sjellë koshin bosh, por kur e kuptoi që bukët e vogla të ngrohta ne i kishim ngrënë me recelin e ftoit, ma morri kavanozin e vogël dhe u kthye me një kavanoz të madh me recel molle (si duket edhe ajo do kish lexuar për Cufon e Tipin) duke na thënë se nuk kish provuar më parë një recel të tillë. Kur ajo u largua sytë më zunë një tas të madh me ca paketa të vogla dhe kolegët më shpjeguan që ishin tableta ëmbëlsuese që zëvendësonin sheqerin. Eureka! E mora tasin dhe e zbraza në cantë. Qazimi u gëzua pamasë dhe më tha: Kushedi sa do të jesh harxhuar, o Gaqo! Dhe unë nuk fola”. Qesh Gaqoja sërish.

Gjatë pandemisë ai ka shkruar një libër të titulluar “Gjigandi i fshehtë“ pikërisht si përjetim (jo)personal përmes rrëfimit për fëmijë të kësaj situate.

“Po, mu mërzit doktor Piperua (dhe qesh). Jo, jo se e kam mik. Por në libër, djali i vogël i familjes kur gjyshi e pyet për doktorin që merret me covid-in, ai i thotë: “unë nuk ia di emrin, por është një doktor djegës” dhe qesh sërish. Humori, humori është i vetmi shpëtim.

Personazhet që përmend Gaqo Bushaka, si cdo njeri që kërkon të flasë për veten përmes reflektimit të tretëve.

“Me Robert Shvarcin ishim miq dhe e pinim kafen bashkë tek hotel “Tirana”, më saktë kafen ma qeraste ai. Një kamariere simpatike aty, që e quanin Roshka ma sillte mua kafen përpara, pastaj ia conte Robertit. Dhe ai një ditë i thotë: O Roshkë, po c’ia con atij përpara, ai është edhe i shëmtuar”.

Dhe kështu nga batuta në batutë, hera-herës me një trishtim që duket sikur i ka marrë “ekskluzivitetin” rrëfen 77 vjecari i Cufos, në 77 minuta një histori të një njeriu, që përvec shkrimtarit të librave me përralla për fëmijë, përvec “babait” të Cufos është njeriu i zakonshëm. Njeriu që kërkon të mos rrëfehet duke treguar skajshëm historinë e (pa)kërkuar të jetës së tij.

Evis Cerga dhe Gaqo Bushaka
 

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Rudi: 22/11/2020 14:27

    Libri i pare dhurate ishte nga klasa per ditelindjen Aventurat e Cufos.nje femijeri shume e bukur e thjeshte.koecidenca ishte se ne filmin vizatimor Ariu Zebo kendon kengen As e vogel as e madhe nje kenge Kolonjare qyteti ku une linda.

    Përgjigju
  • Durresi: 01/10/2020 16:23

    Fat qe kemi pasur njerez te tille,fatkeqesi qe nuk lane trashegimi

    Përgjigju
  • drejtesia: 01/10/2020 09:14

    E mrekullueshme

    Përgjigju
  • Ela: 30/09/2020 22:46

    Me kenaqe Evis, si gjithmone . Shkrimtarit te madh i uroj jete sa me te gjate, na ka zbukuruar femijerine tone te viteve '80. Faleminderit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja