SHKODËR- 16 interpretues mbushën me aromë Shkodre festivalin “Lulebore” në Teatrin Migjeni. Këngë qytetare shkodrane të interpretuara nga këngetarë të rinj dhe të mirënjohur, korrën duartrokitjet e publikut.
Fitues i çmimit të parë në këtë edicion të katërt të festivalit “Luleborë” i cili ka si qëllim ruajtjen dhe trashëgiminë e këngës qytetare shkodrane si një vlerë artistike dhe shpirtërore të qytetit verior, u shpall Lorjan Ejlli me këngën “Kur të thash të dua”.
“Nuk e mohoj faktin që jam i emocionuar, gjithsesi vlen për tu përmendur se ishte një këngë cilësore jashtë turbullirave të përditshmërisë sonë , të krijmtarisë së përditshme që për fat të keq është duke influencuar shumë në artin e pastër në Shkodër por jo vetëm në gjithë Shqipërinë", tha Ejlli.
Ndërsa Kryetari i jurisë, muzikanti Markeljan Kapedani dhe drejtoresha Rita Gjeka thanë se festivali “Lulebore” çdo ditë e më tepër vjen duke u perfeksionuar.
“Ky është edicioni i katërt i cili ka një zhvillim të mëtejshëm pra sjell gjithmonë risi , sjell freski në krijime. E shoh këtë festival gjithmonë në rritje, prandaj edhe në një farë mënyre ndjehem i obliguar të kthehem për të dhënë gjithmonë kontributin tim për këtë festivale për të rëndësishëm për qytetin tonë”, - u shpreh kryetar jurisë Markeljan Kapedani
“Unë të them të drejtën për këtë festival jam goxha e gëzuar dhe e kënaqur prej vetë spektatorit, ju e shikuat vetë se çfarë mrekullie është një skenë e mbushur plot, një skenë që duartroket thuajse të gjitha këngët , i ndërpret me duartrokitjet të gjitha këngët dhe për mua kjo është arritja", u shpreh drejtoresha e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka.
Surpriza e këtij edicioni ishte rikthimi në skenë pas shumë viteve i motrave Rita dhe Juli Ndoci, të ardhura posaçërisht nga Gjermania për këtë event, duke i kënduar mallit e duke dhuruar fragmente nostalgjie.