Kur Tirana e shtëpive prej
qerpiçi po aristokratizohej

Kur Tirana e shtëpive prej<br />qerpiçi po aristokratizohej
TIRANE- Fasadat e ndërtesave të bëra nga arkitektët italianë mbeten ende simbol unik i qendrës së kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Cilat ishin disa nga arsyet që arkitektura italiane ka gjetur zbatim në Shqipëri në vitet ‘40.
Dy profesorë nga Universiteti i Firences, Ezio Godoli dhe Ulisse Tramonti shpjegojnë gjithçka ka ndodhur në ato vite me ngjizjen arkitekturale të kryeqytetit të Shqipërisë dhe qyteteve kryesore të vendit në librin “Arkitektë dhe inxhinierë italianë në Shqipëri” (në italisht “Architetti e ingegneri italiani in Albania”), një botim i EDIFIR, që u promovua të enjten në Tiranë nga Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës në Firence dhe Universitetin Politeknik të Tiranës.

Libri hedh dritë mbi kontributin urbanistik dhe arkitektonik të specialistëve italianë në Shqipëri, përgjatë viteve 1920-1940. Kompleksi i ministrive apo ansambli i institucioneve të kulturës, në qendër të Tiranës, rrugët, urat e ndërtesa të tjera mbajnë firmën e arkitektëve italianë. “Materialet e pa publikuara më parë, të gjetura në arkivin e Institutit Luce, e bëjnë këtë botim një gur kilometrik në studimin e arkitekturës shqiptare të shek. XX”, shprehen arkitektët shqiptarë.
 
 
1920-1940, kur Tirana e shtëpive prej qerpiçi po aristokratizohej

Në librin “Arkitektë dhe inxhinierë italianë në Shqipëri” të bien në sy projektet për Tiranën e vitit 1928, gjatë periudhës së Mbretit Zog. Kanë kaluar vetëm tre vjet nga shpallja e Tiranës kryeqytet i Shqipërisë nga Asambleja Kushtetuese dhe artikekti Di Fausto bën gati projektin për grupin e ministrive në Tiranë. Urbanisti Brasini ishte i pari që ndërhyri në urbanistikën e Tiranës. Një ide më të qartë për veprën e Brasinit e ka dhënë kohë më parë edhe arkitekti shqiptar Artan Shkreli, i cili konkretisht thotë se: “Pakti i miqësisë dhe sigurisë i vitit 1926 sjell dhe Brasinin 46-vjeçar në Shqipëri. Veprat e Brasinit në qoftë se do të realizoheshin plotësisht në Shqipëri do të ishin shumë më pak moderniste e më shume beaux arts e baroke se sa ç’janë sot”.

Ndërkohë në libër gjejmë skica, projekte dhe detaje të kontributit të arkitektëve italianë, të cilët e filluan punën e tyre, atëherë kur Tirana e shtëpive prej qerpiçi nuk mund të konvertohej në një strukturë urbane të përshtatshme pa një investim shumë të madh për një vend të varfër si Shqipëria. “Idetë e para hidhen nga arkitektët austriakë të cilët propozojnë zhvillimin e Tiranës për nga jug-perëndimi – një hartë e re e firmosur nga Inxh. Skënder Frashëri në 1921 – përsëri shumë interesante. Tirana është afërsisht njësoj si përpara. Sipas hartës në këtë situatë që e gjen Brasini Tiranën, është pjesa jug-perëndimore ku mund të ndërtohet Tirana e re, duke ndërhyrë në vendin e vetëm pa zhvillim – ajo që ende quhet Tirana e Re”, konstaton arkitekti shqiptar Artan Shkreli, duke pohuar se ky projekt nuk pati sukses.

Ata që hodhën themelet e një arkitekture të vërtetë moderne në Tiranë gjenden në librin “Arkitektë dhe inxhinierë italianë në Shqipëri” të Ezio Godoli-t dhe Ulisse Tramonti-t. Aty gjendet një listë e plotë e të gjithë arkitektëve e inxhinierëve italianë, duke filluar që nga Brasini, Di Fausto, etj.

Brasini thirret në Shqipëri nga Ahmet Zogu, ku i jepen të hartojë disa projekte për Tiranën, dhe ai e projekton me parqe dhe kopshte për t’i dhënë Tiranës së re një hapësirë sa më aristokrate. Në libër janë të gjitha të dhënat sesi janë projektuar dhe kur kanë përfunduar; Pallati i Mbretit në Durrës, Vila e Mbretit në Tiranë dhe të tjera ndërtesa për Mbretin (Vila Mbretërore e Shirokës), 6 pallatet e ministrive, si dhe spitali ushtarak, shkolla teknike e profesionale në Tiranë, Gjirokastër, Berat e Korçë, etj.

Si janë ngritur disa ura të tipologjive të ndryshme. Autorët përshkruajnë me saktësi edhe kostot shumë të larta të këtyre projekteve. Enzio Godoli ndër të tjera thotë se “69.6% e kësaj kostoje ishte të firmave italiane. 21.8% të firmave shqiptare dhe 5.1% firmave të shteteve të tjera”. Në libër del në pah edhe kontributi i inxhinierit Luigi Luiggi-t – personalitet ky i inxhinierisë italiane deri në fund të viteve ‘20.
 
 Shkrimi u publikua sot (9.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Policia e Kosovës gjen kamera në një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë

Policia e Kosovës gjen kamera në një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë