‘Kur u vetë dorëzova në Degën e Brendshme të Durrësit, kryetari i ra kokës me grushte, kurse Kadri Hazbiu, më tha…’/ Historia e ‘majorit’ që sfidoi Sigurimin e Shtetit

‘Kur u vetë dorëzova në Degën e Brendshme të Durrësit, kryetari i ra kokës me grushte, kurse Kadri Hazbiu, më tha…’/ Historia e ‘majorit’ që sfidoi Sigurimin e Shtetit

 Memorie.al / Xhaferr Kanani, personazhi i rrallë, në rrëfimin e tij për aventurën tejet të rrezikshme që ai ndërmori në vitin 1960, atë të vetëshpallurit oficer i Sigurimit të Shtetit dhe më pas të prezantimin me “kolegët” në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Edhe pas gati pesë dekadash nga ajo kohë, ai çuditej për mungesën e vigjilencës atje, pikërisht në strofkën, ku thureshin planet për arrestimet, torturat, persekutimet, burgosjet e internimet e dhjetëra shkodranëve. Xhaferri do të befasohej nga prezantimi dhe pritja e ngrohtë që i bënë drejtuesit më të lartë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke filluar na kryetari, kolonel Feçor Shehun, shefi i Policisë, kolonel Skënder Vinçani, shefi i Sigurimit, nënkolonel Hysen Hoxhati, etj. Pasi u bë i njohur në Shkodër, ai vendosi të vazhdonte lojën e tij të rrezikshme edhe në qytetin e Durrësit. Shkodra do t’i jepte Xhaferr Kananit, majorit të rremë, kënaqësinë e shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili vizitoi qytetin verior, në verën e vitit 1960, ndërsa, Durrësi, shoqërimin e Enver Hoxhës, gjatë përcjelljes që kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, kishin ardhur në qytetin bregdetar për të përcjellë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës, pas vizitës disa ditore që ai kishte bërë në vendin tonë . Historinë e “inspektimit të tij, si i dërguar special i ministrit Kadri Hazbiu” në Shkodër dhe Durrës, janë përshkruar me detaje dhe hollësira nga vetë personazhi i shkrimit tonë, Xhaferr Kanani, në këtë intervistë të tij të gjatë, që do publikohet në disa numra.

A ke pasur ndonjë ndjenjë faji për dikë gjatë kohës që u vetë shpalle oficer i Sigurimit

Asnjëherë nuk kam patur si qëllim që të merrja më qafë njerëz, kushdo që të ishin ata. Çdo sekret që mësova e mbajta për vete ose e lija atje ku e dëgjoja. Edhe në hetuesi, kur më kërkonin emra, nuk përmenda asnjë prej tyre, sepse nuk doja që t’i dëmtoja. Përveç njerëzve negativë, në Degët e Punëve të Brendshme në Durrës dhe në Shkodër, kishte edhe njerëz të zot, profesionistë dhe shpirtërisht të mirë. Edhe sot e kësaj dite, kur i kam mbushur 70 vjeç, ndiej keqardhje për ish-oficerët Vasil Sema, Mustafa Beqari, Hamdi Ulqinaku, Sele Brahimi dhe të tjerë, të cilët nga dëshira për të më ndihmuar i hapën telashe vetes, kur unë rezultova oficer i rremë. Mbi të gjitha ndihem në faj, për atë që pësoi Vasil Sema.

Një njeri shumë i veçantë dhe me zemër të madhe. Kudo ku kam shkuar, pas përfundimit të aventurës sime, për atë njeri kam folur fjalët më të mira. Fati i tij ishte i njëjtë me atë të 38 oficerëve dhe kapterëve të tjerë që u nxorën në lirim. Por më vjen shumë keq për atë që pësoi dhe më keq akoma më vjen, për faktin se ndokush si Feçor Shehu, që mbahej fort në kolonën vertebrale të sistemit të Enver Hoxhës, shpëtoi pa u lagur dhe arriti që të ngjiste shkallët e karrierës, deri në postin e ministrit të Brendshëm, që, për mendimin tim, nuk e ka merituar asnjëherë.

Për tetë muaj me radhë, ju u maskuat nën spaletat e majorit të Sigurimit të Shtetit, por aventura juaj mori fund në tetor të vitit 1960. Si u dekonspirua operacioni i mashtrimit i Xhaferr Kananit?!

Atë ditë tetori shkova në një studio fotografike të merrja një fotografi që kisha bërë. Pak para se të hyja brenda, pashë në vitrinën e studios fotografinë time, me gradat e majorit të zmadhuar. Sapo hyra, i thashë fotografes që nuk ishte mirë të ekspozonte fotot e oficereve të Ministrisë së Brendshme se nuk u lejohej kuadrove kjo. Në rastin konkret, kisha hallin tim se e dija që kështu do të tërhiqja vëmendjen e atyre njerëzve që më njihnin dhe do ta pësoja. Ajo e zbatoi porosinë time, e hoqi që andej dhe ma dha, por ajo ditë ishte thënë të shënonte edhe fundin e aventurës sime të rrezikshme që, më kushtoi vite të tëra burg.

Fotografes i kisha bërë një nder dikur, i shpëtova vëllain nga burgu. Vëllai i saj kishte rrahur dikë dhe Punëtori Operativ i zonës e kishte proceduar, duke i përgatitur letrat për ta ndjekur penalisht. Pasi mora foton, dola nga studioja dhe po shkoja drejt Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit. Në këtë kohë, një oficer i Ministrisë së Brendshme nga zona ime, që kishte gradën kapiten, u shfaq aty pranë dhe nisi të më thërriste në emër. Nuk i ktheva përgjigje dhe vazhdova rrugën drejt. Ai kishte ardhur për pushime së bashku me bashkëshorten në Konvaleshencën e Ministrisë së Brendshme. Ai më njohu dhe nuk m’u nda, por vazhdoi të më thërriste në emër. E shoqja, nisur nga indiferenca ime, i tha të mos thërriste se ndoshta nuk isha ai që mendonte, por “kolegu” nuk u ndal.

Ai më ndoqi deri në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit. Unë hyra brenda, ndërsa atë e ndalën në postbllok. Pyeta oficerin e shërbimit se kush ishte lart dhe ai më tha se atje ishte kryetari i Degës, kolonel Kopi Niko. U ngjita në zyrën e kryetarit të Degës dhe, për fat të mirë, atë e gjeta vetëm. U përshëndetëm dhe pas kësaj hoqa gradat, dekoratat që kisha vënë, pistoletën dhe i vendosa mbi tavolinë. Në këtë kohë, kolonel Kopi Niko me pyeti se çfarë po beja kështu. I thashë se isha vetëquajtur “major” po në të vërtetë nuk isha veçse një njeri i thjeshtë, pa grada, pa uniformë dhe pa asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit.

Ai sapo mësoi nga unë identitetin tim të vërtetë, pra që isha një oficer fals, filloi t’i binte kokës me grushte dhe të fliste me vete. Fals, fals, përsëriste pa reshtur duke mos i besuar akoma fjalëve të mia. Kopi Niko, po kujtonte të gjitha bisedat dhe vendet ku kishim qenë së bashku. Unë për ta qetësuar, i thashë të mos bëhej merak pasi, do të merrja përsipër gjithçka vetë dhe nuk do të tregoja asgjë për bisedat që kisha bërë me të apo vendet që kishim shkuar bashkë. I tensionuar, Kopi Niko vazhdonte të fliste gjëra të pakuptimta derisa në derë trokiti dikush.

Çfarë ndodhi më pas në zyrën e shefit të Degës së Durrësit?

Sapo ra heshtja, brenda hyri shefi i Krimeve, Fane Xhuveli. Kopi Niko e urdhëroi të dilte jashtë duke bërtitur: “Fals, fals, fals”. Ai u shastis dhe nuk po kuptonte asgjë rreth asaj që kishte ndodhur në zyrën e eprorit të tij. Fane Xhuveli, doli jashtë duke ngritur supet. Në këtë kohë, Kopi Niko iu afrua telefonit, formoi një numër dhe ngriti receptorin. Dëgjova se ai kërkoi nga bashkëbiseduesi, që ta lidhte me Kadri Hazbiun, por meqenëse ky iu përgjigj se, Kadriu nuk ndodhej në zyrë, kërkoi të lidhej urgjentisht me Mihallaq Ziçishtin. Kopi Niko sqaroi fije e për pe në telefon, situatën e krijuar pas bisedës me mua dhe në përfundim, dëgjova se Ziçishti e urdhëroi që të më mbante në zyrë e, të mos pranonte askënd tjetër aty deri në ardhjen e tij urgjente nga Tirana.

Nuk kaloi as një orë dhe zv/ministri i Brendshëm, Mihallaq Ziçishti, ia behu në zyrë. Sapo më pa, gjenerali më pyeti se gjatë kohës që isha vetëshpallur “major”, ku kisha shkuar dhe me kë kisha biseduar. Pyetja e tij kishte të bënte me sqarimin e rrethanave që më shtynë të nisja aventurën e depërtimit, në dy Degët e Brendshme kryesore, të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Një pyetje e drejtpërdrejtë e tij ishte, nëse kisha të bëja me ndonjë shërbim apo agjenturë të huaj, e cila më kishte ofruar bashkëpunim dhe në këmbim të pagesës. I’u përgjigja prerë se, nuk kisha asnjë lidhje me shërbimet e huaja dhe se i kisha shërbyer vetëm vendit tim. Gjithçka që dija, e kisha mbajtur për vete dhe kisha vendosur që të mos i’a thosha askujt. Përgjigjja ime, e qetësoi disi gjeneral Ziçishtin, i cili u bind se nuk isha i shtyrë nga ndonjë qëllim i keq. Pra, nuk kisha qëllim t’i bëja dëm vendit tim.

A solli pasoja për personat që ishin takuar dhe shoqëruar me ju zbulimi se nuk ishit oficer i Sigurimit?

U krijua një situatë e nderë. Pak më pas erdhën disa oficerë madhorë të Ministrisë së Brendshme, si gjeneral Xhule Çiraku, etj., dhe prej aty më morën dhe më çuan në Drejtorinë e Sigurimit të Tiranës. Mësova më pas se, Mihallaq Ziçishti mblodhi kuadrot e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe u tha gjithçka, rreth situatës që ishte krijuar. Ai i porositi të gjithë që, ta mbanin gojën kyçur për atë që kishte ndodhur, pra faktin që një njeri që s’ishte askush, kishte “depërtuar” vigjilencën revolucionare të armës më besnike të sistemit të kaluar, Sigurimit të Shtetit. Nëse do të dilnin jashtë sekretet e dy Degëve të Brendshme, për këtë, fajtorë ishin kuadrot e tyre.

Ishte rasti i parë që krijohej një precedent i tillë dhe këtu partia, sipas zv/ministrit Mihallaq Ziçishti, do të ndalej në analiza konkrete, për të vënë para përgjegjësisë dhe ndëshkuar personat, që kishin rënë viktima të këtij mashtrimi. Porosisë së gjeneralit, nuk i qëndroi askush, pasi të nesërmen në mëngjes i gjithë Durrësi, mësoi se si një i ri kishte mashtruar për tetë muaj me radhë oficerët e Sigurimit të Shtetit. Ndenja në izolim disa ditë dhe më morën në pyetje kolonel Kristo Mushi dhe Vullnet Jaho, ndërkohë që Aranit Çela, më preu flet-arrestin nën akuzën: “Tradhti ndaj atdheut dhe popullit dhe vënien në shërbim të shtetit të huaj, atij amerikan”. Në pyetjet që më bënin, dua të kujtoj atë se; ku paguhesha. U thashë se për pesë muaj e gjysmë, isha paguar nga Dega e Punëve të Brendshme në Durrës dhe paga ime ishte 890 lekë.

Si bëhej e mundur pagesa pasi ju nuk figuronit zyrtarisht në strukturën e Ministrisë?

Kjo është vërtet e çuditshme. Shefi i financës së Degës së Brendshme të Durrësit, Basri Bedini, kishte biseduar me shefin e financës në Ministrinë e Brendshme që, unë të paguhesha derisa të mbaroja shërbimin atje dhe më pas nga llogaria e ministrisë, t’i kaloheshin këto lekë Degës që kishte bërë pagesën. Madje, Bedini i kishte marrë edhe firmën eprorit të tij më të lartë. Kështu që nga maji deri në tetor, unë isha paguar njësoj si të isha “major” i vërtetë nga Dega e Punës së Brendshme e Durrësit.

Ku keni fjetur gjatë kohës që keni ndenjur në Durrës?

Fillimisht kam fjetur në hotel “Vollga” ku përgjithësisht kam paguar. Më pas, kam fjetur në hotel “Adriatik” dhe aty nuk kam paguar, llogaria e shpenzimeve të mia, e cila sigurisht u bë më pas gjatë gjykimit tim, ishte 3.300 lekë. Këto iu vunë në ngarkim, drejtorit të Turizmit të Durrësit, Shaban Kokomanit. Këtë të fundit, e kisha njohur pas një debati që kisha bërë me të, pasi ai qëllimisht shprehej se; oficerët e Ministrisë së Brendshme, e “hanin bukën kot”! Unë kisha një informacion se ai kishte miqësi me një polake dhe menjëherë mbas kësaj, i thashë se nuk ishim fare kot, pasi dinim edhe takimet dhe bisedat që ai bënte në zyrën e tij me të huajën. Kokomani, i habitur nga e vërteta që ia thashë në fytyrë, më shkoi krahun dhe urdhëroi vartësit e tij që, unë të strehohesha, të haja e të pija gratis në hotelin “Adriatik”.

Sa kohë qëndruat në hetuesi?

Rreth gjashtë muaj isha nën një hetuesi të tmerrshme, intensive. Më janë bërë tortura nga më të ndryshmet, më të rëndat. Më kishin futur në birucë dhe më kërkonin t’u tregoja gjithçka rreth aktivitetit tim. Ata mendonin se unë kisha lidhje me shërbimet e huaja dhe njëkohësisht, kisha tradhtuar edhe atdheun tim. Duke u gjendur në vështirësi, i kërkova nënkolonel Qemal Ballukut që, të më largonte hetuesit e mi se, përndryshe do t’i mbysja në birucë.

Balluku qeshi dhe më tha se nuk duhej të mërzitesha pasi, do ta shqyrtonte kërkesën time. Pas ankesës, nuk m’i prunë më hetuesit në birucë. Nënkolonelit i pëlqente aventura ime dhe më shihte gjithnjë me keqardhje. Gjithçka rreth torturimit tim, keqtrajtimit, sjelljeve arbitrare, organizohej nga kolonel Kristo Mushi, një njeri në moshë dhe me shpirt të keq. Më kujtohet se pasi më keqtrajtonin, më drejtonin pyetje se kujt i shërbeja, nga kush paguhesha dhe të tjera pyetje të pakuptimta.

Gjatë kohës që keni qenë në hetuesi, a keni pasur vizita nga njerëz të tjerë me pushtet?

Aty nga muaji dhjetor, në vitin 1960, erdhi Kadri Hazbiu. Këtij të fundit, ia thashë gjithçka që më kishte ndodhur dhe pasi u largua, nuk pashë të më vinin më hetues në qeli. Mbas dhjetë ditësh, do të kisha një takim tjetër interesant, kur nënkolonel Besim Selita, më ngjiti lart në zyrën e tij, ku kishin ardhur shumë njerëz me pushtet të bisedonin me mua. Vura re në fillim Hysni Kapon, por nuk mungonin edhe anëtarë të tjerë të Byrosë Politike. Për këtë bisedë, do të rrëfej më gjatë një herë tjetër. Pas këtij takimi, më ndërruan hetuesit dhe shpëtova nga ferri ku kisha rënë në fillim.

Vetëm një herë jeni takuar me Kadri Hazbiun, gjatë kohës që ishit i arrestuar?

Në kohën kur isha i izoluar në Drejtorinë e Sigurimit të Tiranës, ish-ministri Brendshëm i asaj kohe, Kadri Hazbiu, më vizitonte herë pas here. Ai më kishte psikologjisur me shikim, por edhe gjatë bisedave që kishim bërë. Më ka ngelur në kujtesë se, në një nga bisedat tona, Kadri Hazbiu më tha se; isha bërë si “maçi” i Pilurit. Unë fillimisht nuk e kuptova domethënien e shprehjes së tij. Mendova se ai ma tha këtë pasi kisha rënë shumë nga ana shëndetësore. I thashë se ishte e vërtetë se kisha rënë ca nga shëndeti, por kjo ishte normale se isha në burg dhe jo në shtëpinë e pushimit të Durrësit.

Kadriu ndërhyri dhe më tha se nuk e kishte fjalën për shëndetin. Më pas, nisi të më tregonte historinë se si “maçi” i Pilurit, kishte djegur të gjithë fshatin dhe se kjo ishte një histori e njohur për zonën e Labërisë. Kadriu më tha se, nëse “maçi” i Pilurit kishte djegur një fshat, unë kisha marrë më qafë një ministri të tërë. Ai më tha se, nga një anë kisha bërë mirë se kisha nxjerrë në shesh vigjilencën e vërtetë të Sigurimit në bazë dhe se u kisha rënë kambanave të alarmit, se duhej të merreshin urgjentisht masa për largimin e të paaftëve. Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, nuk kishin ku të gjenin ngjarje më të mirë se historia ime, për të bërë analizat e tyre.

Por nga ana tjetër, nuk duhet të merrja më qafë persona, të cilët ishin të aftë dhe nuk më kishin dhënë asnjë informacion por në ndonjë situatë të rastësishme, kishin pirë thjesht një kafe me mua. Unë e mora sinjalin, duke i kuptuar fare mirë fjalët e Kadriut dhe vendosa që nga ai moment, të mos thosha më emra me të cilët isha takuar apo, isha shoqëruar në dy Degët e Brendshme, në atë të Durrësit dhe të Shkodrës. Aty kuptova që menjëherë pas deponimeve të mia të para, duhej të ishin marrë masa ndaj personave që unë kisha përmendur gjatë pyetjeve në hetuesi.

Sa persona u ndëshkuan pas arrestimit tuaj?

Me sa kam mësuar më pas, 38 oficerë në Durrës dhe në Shkodër, janë liruar, ndërsa shumë të tjerë, janë transferuar apo ulur në gradë. Dua të them se, fillimisht kur hetuesit e tmerrshëm më merrnin në pyetje, u tregova i sinqertë dhe po rrëfeja çdo gjë, duke përmendur edhe emrat e personave me të cilët kisha ndenjur gjatë atyre tetë muajve, kur unë u deklarova si “major” i Sigurimit të Shtetit. Por të gjitha deklarimet e mia, ishin shkruar në proces-verbal dhe më pas do të shërbenin si prova dhe materiale, për të dënuar apo përjashtuar nga radhët e Sigurimit, të gjithë emrat që unë kisha përmendur.

Sapo dilnin nga unë, hetuesit raportonin në instancat drejtuese dhe askush nga emrat e parë që përmenda, nuk i shpëtoi ndëshkimit. Gjithçka e kuptova kur, këta ktheheshin të nesërmen dhe më kërkonin emra të tjerë. Ata tregoheshin të kujdesshëm në pyetjet e tyre, për të mësuar sa më shumë emra të personave me të cilët unë isha shoqëruar. Mbaj mend se, Nevzat Haznedari dhe Rexhep Kolli, ishin njerëzit më negativë që kam njohur ndonjëherë pasi, ata kërkonin të dhëna edhe për shokët e tyre, emrat e të cilëve nuk dua t’i përmend, por unë qëllimisht mohova njohjet apo takimet me ta, gjë që në fakt i kisha bërë. Pra, sinjalin e dytë rreth asaj që bëhej jashtë qelisë sime, sidomos me ndëshkimet, e mora nga Kadri Hazbiu.

Të gjithë njerëzit që ishin liruar, për mendimin tim, janë marrë në qafë nga kontradiktat që ekzistonin brenda Sigurimit të Shtetit apo Ministrisë së Brendshme, pasi fajtorë ishin vetëm pak persona, konkretisht, drejtuesi i Degës së Brendshme të Durrësit dhe ai i Degës Shkodrës, por mund të them se, i vetmi përgjegjës i gjithë asaj që ndodhi, ishte Feçor Shehu, një fodull që nuk meritonte fare që të ishte në radhët e Sigurimit.

A ju kërkoi ndonjë gjë konkrete Kadri Hazbiu?

Po, me shumë finesë, ai më kërkoi të dhëna për disa oficerë në Durrës dhe Shkodër, me të cilët unë në të vërtetë vetëm isha përshëndetur dhe as kafe nuk kisha pirë. Në fund të bisedës, Kadriu ma kërkoi si nder që, e mira do të ishte të mos i përmendja fare gjatë hetimeve pasi, thjesht përmendja e emrit, do t’i dëmtonte ata.

Unë absolutisht nuk i kam zënë në gojë dhe prej asaj dite, hetuesve u thosha se, përderisa më kishin respektuar titullarët e institucioneve, vartësit e tyre nuk kishin asnjë kusur që të mos më respektonin. Në fund të fundit, ata thjesht kishin bërë detyrën pasi, unë për të gjithë, isha një oficer i Sigurimit dhe mbaja gradën major. Kadriu tha se, korrektoret i kemi shumë të mira dhe për këtë duhet t’i mbrojmë.

Po takime të tjera në qeli ju kujtohen?

Kurioziteti ka shtyrë shumë oficerë të vinin dhe të më shikonin në qeli. Disa më urrenin dhe më thoshin se kisha marrë në qafë shokët dhe kolegët e tyre, ndërsa të tjerë, më thoshin se, isha treguar shumë i zoti që, kisha mundur për tetë muaj me radhë, të jetoja mes sekreteve të Sigurimit të Shtetit, pa qenë as edhe një sekondë pjesë e tij. Megjithatë, nuk pyesja shumë për ato çka thoshin. Unë gjithçka e kisha nisur si aventurë, pavarësisht se ajo zgjati muaj të tërë dhe më kushtoi jo vetëm mua që u burgosa, por edhe dhjetëra të tjerëve, që u detyruan të largoheshin nga radhët e policisë. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tepelena: 25/03/2023 11:46

    Fantazi e semure! Sigurimi i Shtetit kerkonte 100 garanci per pastruesen e zyrave, kurse ky debili paska filluar punen si major i Sigurimit!! Patjeter ka qene spiun, i katapultuar nga nje person me pushtet...

    Përgjigju
  • Edi25252: 24/03/2023 10:34

    Gënjeshtra me bisht

    Përgjigju
    • fteri: 27/03/2023 08:58

      paska marr më qafë gjithë ato veta

  • une: 24/03/2023 07:50

    E ka nga mosha mos ja vini re. Paska mashtruar sigurimin e shtetit dhe qenka akoma gjalle.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit

Sondazhi i Report Tv, Namir Lapardhaja: PS ka rritje, prej 'luftës civile' në PD! Partitë e reja të gjejnë forcë të bashkohen rreth euro-atlantizmit