Kur Vaçe Zela shkoi në
Prishtinë 34 vjet më parë

Kur Vaçe Zela shkoi në<br />Prishtinë 34 vjet më parë
TIRANE- Vaçe Zela! Kur dëgjova se ke shkuar, se ke ndërruar jetë, m’u ngjall një Vaçe, të cilën e takova 34 vjet më parë në kufirin që ndante Kosovën më Shqipërinë… Ajo Vaçe, e kujtimeve të mia, po hynte në Kosovë për turnetë e saj të parë e të fundit në këtë vend. Ajo Vaçe, atë ditë Maji, zbriti qetë si një flutur nga një kombi-bus i vjetër. Më përqafoi mua dhe të tjerët që ishin tubuar për ta pritur… Në atë moment, m’u bë sikur po takoheshin dy shekuj, dalë nga një popull. Sepse, aq e gjatë na ishte bërë ajo ndarje. Ne po prisnim në atë kufi afro dyzetë vjet Vaçe…

Kishim dalë në kufirin që atëherë quhej jugosllavo-shqiptar, për të takuar grupin më të madh e më të njohur të artistëve nga Shqipëria, të cilët po vizitonin për herë të parë Kosovën. As që mund të ëndërroj në atë moment që, një ditë do të lavdërohem pse isha unë ai që e pagëzova kufiri shqiptaro- shqiptar, e të tjerët e shpërndanë këtë emër. Atë ditë, më ty Vaçe filloi shembja simbolike e kufirit shqiptaro-shqiptar. E vërteta, kënga jote e kishte kaluar e rrënuar atë kufi shumë vite më parë.
Ai kufi, at ditë pranvere të vitit 1980, dukej si “tokë e vdekur”, tokë e askuj, pa jetë e gjallëri.

Aty s’ kishte arritur pranvera kurrë, shekujt ishin ndalur. Dhe kjo pamje dëshmonte se sa e thellë ishte kjo ndarje e imponuar midis Kosovës e Shqipërisë. Por, atë ditë, u ngjall ai vend si asnjëherë më parë, më ty e të tjerët që po e thyenit atë mur, duke na sjell këngëtarët e ndaluar – në Kosovën e izoluar. Vendkalimin kufitar e kishin vërshuar banorë të fshatrave përreth, të cilët kishin dëgjuar për arritjen tënde e të artistëve tjerë të këngës. U dorëzuam para emocioneve. Lulet që sollëm në kufi për ju, u përzien me lot dhe… sikur u rritën për disa minuta. Ti po shkelje për herë të parë në Kosovë. Mbase nuk e dije, se ti kishe jetuar në Kosovë shumë vite – si këngë. Në atë karvan yjesh të kohës, pos teje, ishte edhe Limos Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu, Liliana Kondakçi, Zina Zdrava, Hysni Zela, e shumë të tjerë, me të cilët ne jetonim në Kosovë, por kurrë nuk i kishim takuar.

Ato vite, pas disa dekadave të izolimit, muri i ndarjes – po plasaritej. Në këtë klimë të re politike, artistët më të njohur të këngës nga Shqipëria po fillonin turneun e tyre të parë në Kosovë e Maqedoni. Disa prej tyre, nuk kishin udhëtuar kurrë më parë jashtë Shqipërisë. Për herë të parë po shkelnin në një tokë të dytë – shqiptare. Ishin këto, yje të Shqipërisë të cilët ndriçonin edhe në Kosovë, mirëpo kurrë nuk e kishin parë këtë vend…
Isha gazetar, por bëja edhe moderime spektaklesh publike të asaj kohe. Më zgjodhën të shoqëroja këtë grup dhe të drejtojë koncertet e tyre.
 
 
Udhëtimi me artistët nga Shqipëria
Udhëtimi më artistët nga Shqipëria ishte udhëtim nëpër kohe, dhembje e ngjarje. Mbushur më momente gëzimi e gazmendi, por gjithnjë të përshkuara më situata prekëse e emocionuese. Ishte ndjenjë e çuditshme të celebrosh takimin e shqiptarëve – me shqiptarët, rilidhjen e rrënjëve të shpërndara, ngjalljen e urave të rrënuara, bashkimin e gjakut të shprishur.

Udhëtonim me autobusë nga një qytet në tjetrin. Kudo që ndaleshim, rruga bëhej lum njerëzish, lagja ngjallej, qyteti zgjohej. Zejtarët para dyqaneve, plakat në dritare, të rinjtë më lule – sikur takonin engjëjt e ëndërruar. Mirëpo, në çdo turmë, kishte ndonjë nga “ata”, për të kontrolluar shprehjen e asaj, që politika e quante “manifestim i nacionalizmit”. Ndaj vërehej së kishte edhe dashuri të kontrolluar, posaçërisht kur njerëzit flisnin me fytyra e jo më goje. Kur goja heshte e sytë, mimika, e shpirti flisnin. E dinim se çdo eufori e tepruar, do të rezultonte më limite të reja nga pushteti jugosllav. Ndaj, edhe në këto emocione kishte vetëpërmbajtje.
 
Në vendet ku këndonte Vaçe Zela
Në vendet e palestra ku këndonit ju Vaçe, njerëzit prisnin me lule, mall dhe zjarr. Të ekzaltuar, ata zhvishnin këmishat e xhaketat dhe u vinin flakën. Digjeshin këmishët e zemrat nga malli. Digjeshin ndarjet e kufijtë. Ato koncerte, ishin kremte dhe protestë. Simbolikisht, ata po digjnin kohën e politiken që ndau kombin. Ndaj, ato tubime nuk ishin vetëm muzikore. Ishte ai vit i çmalljes së madhe shqiptaro-shqiptare… Shoqëronte Orkestra e Madhe e Radiotelevizionit te Prishtinës. Më vjen keq që s’mbaj mend drejtuesit e Orkestrës, por di se Severin Kajtazi, Isak Muqolli, Krist Lekaj… ishin ndër më të angazhuarit. Kjo Orkestër, për herë të parë po shoqëronte solistë nga Shqipëria, ndaj të gjitha orkestrimet duhej përgatitur, dhe luajtur drejtpërdrejtë para publikut apo “live” siç do të thoshim sot.
 
Peizazhi i Kosovës në sytë e saj
Vaçe Zela. Kur dëgjova se je bërë luleborë e Alpeve të Zvicrës, pranë Aleksandër Moisiut, m’u ngjall ajo Vaçja e buzëqeshur e para 34 vjetëve, ulur në një autobus të bardhë, (të “Turist Kosovës”) duke pushtuar me sy luginat e Dukagjinit e Majat e Bjeshkëve të Nëmura...
E shoh edhe sot atë fytyrë kureshtare duke shikuar nga dritarja e duke i thithur ato peizazhe të vendit të cilit i kishte kënduar e kurrë nuk e kishe parë. E kur autobusi më këtë karvan të këngës ndalej, atëherë krijoheshin imazhet që preknin në shpirt. Njerëz të emocionuar rrethonin autobusin dhe preknin atë metal të ftohtë duke kërkuar dorën tënde Vaçe. Policia i shpërndante dhe nuk lejonte hapjen e dyerve. Të rinj të emocionuar puthnin autobusin, pse ti ishe brenda Vaçe.

Gishtërinjtë e lotët e tyre, linin gjurmët mbi autobusin e pluhurosur qe na e zinte frymën në ato momente. Ata shkruanin vargun e tyre për ju… Ti, Luani, Limosi, Hysniu e të tjerët, përpiqeshit t’i fshihni lotët e ta ruani buzëqeshjen. Shqiptarët qanin për shqiptarët. Për një çast, harroheshin të gjitha këngët. Ata ishin aty, jo vetëm për të takuar ty, dhe jo vetëm për hir të këngës. Ata donin ta takojnë Shqipërinë e ndaluar.

E Shqipëria ishe ti, në ato momente. Ata po takonin vendin e shkëputur prej tyre, po takonin të kaluarën e humbur, e ndonjëri edhe rininë e shënuar me këngët tua. Nga ata që prisnin, kishte edhe njerëz të cilët kishin bërë burg për një këngë tënden ose të këngëtarëve të brezit tënd. Për gjeneratat e sotme, kjo pamje, vështirë shihet si e tillë… Shqipëria, në atë kohë ishte shumë, shumë larg. Ti udhëtove gati dyzet vjet për të arritur në Kosovë.
 
Dreka e parë me këngëtaren e madhe
Vaçe Zela. Kur dëgjova se paske shkuar, për disa çaste kalova Atlantikun dhe u ktheva në qytezën e vogël të Therandës (Suaharekës). M’u ngjalle Vaçja, në atë drekën e parë që patëm së bashku në restorantin “Ballkan”. Aty ishim pakëz më të izoluar nga publiku, ndaj biseduam gjatë për shumë gjëra, por jo edhe për ato që na interesonin më se tepërmi. Për ato, nuk të pyeta e as nuk më pyete. Sepse e dinim se rreth nesh ishin “ata”. Sa herë që biseda jonë bëhet më e afërt, ndonjëri nga “ata” afrohej e ndërhynte me ndonjë pyetje të pakuptimtë. “Ata” ishin edhe nga ana juaj, edhe nga ana jonë, nga Sigurimi i Shqipërisë dhe Sigurimi Jugosllav.

Pak a shumë, ne e dinim cilët janë, ndonëse ishin të kamufluar si “asistentë regjisor”, “ndihmës teknik”, “shofer” etj. Ishte ndjenjë ngulëfatëse të flasësh pa fjalë. Të ndjesh dikë aq të afërt, por të mos mund të bisedosh lirshëm. Fytyra plot shprehje e goja memece. Aty dëgjova më tepër për jetën tende. Mësova që ishe nuse e Kosovës, siç do të thoshin vendasit e mi, pasi bashkëshorti yt kishte rrënjët nga Janjeva. Ti kuptove më mirë se sa e njohur dhe e respektuar, ishe në këtë vend të cilin po e zbuloje. U befasove kur të thash se, në këtë anë të Alpeve, të quajnë Mirej Matje shqiptare. Modestia jote, të bënte edhe më të madhe se që të dinim.

Lexoja fytyrën tënde dhe shihja përplasjen e ëndrrave tona mbi Shqipërinë e panjohur. Lexoja veshjen tënde të thjeshtë, por elegante dhe bëhesha skenë e jotja. Dëgjoja fjalën tënde dhe tërë ato këngë të njohura bëheshin dialog i asaj dite. Unë kisha njëmijë pyetje, ti padyshim shumë përgjigje, por i heshtëm dhe ia lamë kohës. Pastaj, shikoja fytyrën e Agron Çobanit, i cili ju printe, asokohe drejtor i Radio Tiranës. Fytyra e tij, më ngjallte tregimet për shqiptarët të cilët burgosur nga pushteti jugosllav, vetëm pse kishin dëgjuar haptas Radio-Tiranën e ndaluar. Jeta është plot ironi. Ai rrinte i heshtur dhe askush nuk e njihte, sepse ishte ti Vaçe ajo që të njihnin dhe donin të të takojnë.
Po bisedonim sikur njiheshim prej vitesh edhe pse kurrë nuk ishim parë.
 
Valsi yt i lumturisë
Gjenerata ime ishte rritur më këngët tua. Ne qe kishim vizituar Shqipërinë në atv kohë, e dinim se “Valsi” yt i lumturisë nuk ishte për lumturinë e atyre viteve, por, vals i një lumturie të imagjinuar – që mungonte . Kënga jote për “Diellin e ri”, kishte një porosi universale e optimizëm njerëzorë. Do të mund të këndohej në çdo kënd e çdo gjuhë të botës.
Ditët tona së bashku, pasuroheshin me ngjarje, biseda, e humor. Limoz Dizdari, Gaqo Çako, Luan Zhegu e të tjerët, kishin sjellë me vete jo vetëm këngët, por tërë sharmin e fshehur të Shqipërisë. Duke e njohur pak a shumë gjendjen në Shqipëri, unë gabimisht kisha fituar përshtypjen se atje, njerëzit nuk kanë kohë për të qeshur. Mirëpo ju, me barsoletat e tregimet tuaja, e rrënuat at mal dyshimi, dhe na bëtë të ndjehemi si një familje që po jetonte në bashkësi me vite. Ato ditë, e bëmë një Shqipëri të Bashkuar, një Shqipëri të Madhe sa kënga jote.
 
Si u hoq fotografia e Titos nga salla. Pasojat

Në çdo qytet qe vizitonim shpërthenin vullkane admirimi e dashurie për ju. Por, ndeshnim edhe ndonjë befasi të pakëndshme. Gadi në ccdo sallë na priste Titoja i varur në mur, si një mumje. Zyrtarët nga Shqipëria kishin kërkuar që të largohet fotografia e këtij diktatori. Ky ishte qëndrim më të cilin nuk bëheshin kompromise. E njëjta rregull vlente për artistët nga Kosova në Shqipëri: Fotografia e Enveri nuk guxonte të ishte në sallë. Ndaj, pyetja më delikate ishte se, kush do ta largojë Titon nga koncerti. Disa herë, kjo çështje gati solli ndërprerjen e turneut. Udhëheqësit lokal, kishin frikë ta largojnë.

Mirëpo në momentet e fundit gjendej dikush i “gjithëfuqishëm” që Titon e nxirrte jashtë. Njëri prej atyre që merreshin më këtë punë ishte udhëheqësi i atëhershëm i Radio Prishtinës Shaban Hyseni, të cilit ia kishte besuar kujdesin për ccështjet e nxehta politike. Ndonëse atë e akuzonin si titoist, ishte ky ai që zakonisht e nxirrte Titon nga salla. Shumë vite më vonë, Titoja nga varri, iu hakmor Hysenit; E shkarkuan nga puna dhe të gjitha funksionet, pse kishte larguar fotografinë e Titos në sallat ku këndonin artistët nga Shqipëria.

Në mbrëmje fillonin koncertet ku shpërthenin të gjitha ndjenjat shqiptare. Ishin ato koncerte të këngës dhe lotëve, të harresë e tensionit. Publikun e vërshonin emocionet. Fytyra e sy të etshëm të njerëzve, sikur mbulonin skenën tënde Vaçe. Në ajër vërehej ekzaltimi, e zbrazja e ndjenjave të mbytura më vite, dhe nostalgjia e malli për të ndaluarën, të largëtën, të ëndërruarën… Njëkohësisht, si një korb mbi kokë, na rrinte presioni i imponuar nga censura e autocenzura. Njëra vinte nga pushteti, e tjetra nga droja që të mos t’i thyejmë rregullat e imponuara. Duhej matur çdo fjale që flitej, posaçërisht para publikut. Çdo këngë, tekst e konferencë, kalonte nëpër lupën e censorëve nga të dyja palët. Tani, kishim censorët nga të dy anët, dy diktaturat.
 
Si silleshin e eprorët e Vaçe Zelës në Kosovë
Eprorët e tu, më këshilluan që moderimin ta bëj sa më zyrtar. Ata kritikuan pse moderimi im, sipas tyre, dukej pakëz perëndimor. Më këshilluan që të mos e ngre zërin, kur shqiptoj emrat e artistëve, sepse kjo ua kujtonte moderatorët italian, stil ky i vlerësuar si modernist e borgjez në Shqipëri. Pastaj, unë mora kritika edhe nga ana tjetër, kosovare. Pasi që në atë kohë, dygjuhësia në Kosovë ishte e obliguar në tubime publike, më thanë së do të duhej të përshëdesja publikun me një fjali edhe në gjuhen serbokrate, ose do të angazhonin një serb. Ishte ky një provokim. Nëse publiku serb, vjen në koncerte të Vaçe Zelës, atëherë bisedojmë për çështje, sugjerova unë.
Vaçe Zela.

A të kujtohet koncerti në Prishtinë? Na the, se as në Shqipëri nuk kishe përjetuar momente te tilla. Ishte ngjarja më e madhe skenike që kishte parë Prishtina në ato vite. Në Palestrën e Sportit, ku mbahej koncerti, po takoheshin të gjithë lumenjtë shqiptarë. Njerëzit nga rajonet, kishin ardhur për t’i lidhur dekadat e shkëputura nëpërmjet zërit tënd. Ti e ndeze Prishtinën dhe ua shkunde rrudhat atyre që kishin filluar të vjeshtohen e nuk shpresonin që një ditë do të të kenë në skenën e qytetit të tyre. Këngët e tua i dhanë një shpirt të ri atij qyteti. Sot, sikur i shoh imazhet e nënave që sjellin edhe foshnjat e tyre për t’ u fotografuar më ty, të bindura së ato momente nuk vijnë më, por bëhen histori.. A të kujtohet gazetarja që ndërpreu intervistën me ty, sepse nuk i përmbante dot lotët…

Njerëz që kurrë nuk të kishin takuar, hynin me fëmijë, nëna, gjyshe… në dhomën tënde prapa skenës, dhe shtangoheshin kur të shihnin: Ata qanin – ti qaje. Kishte diçka të çuditshme, gati hyjnore në ato përqafime. Herë-herë, u ngjanin takimit më dikënd që sapo ka dalë nga burgu. Disa, si të hipnotizuar qëndronin para teje e ti puthnin duart. Nuk flisnin shumë. Lotët u zinin vendin fjalëve. Dhe, këto skena përsëriteshin pa ndërprerje.

Atë natë, ajo sallë u bë lulishte që këndonte me ty. Njerëzit prej ngado sillnin lule për ty dhe këngëtarët e tjerë… Pastaj kuptova se tufat me lule, kishin një sekret brenda. Njëri nga “ata” (që supozoja së ishte i Sigurimit të Shqipërisë), m’u afrua dhe më dha një si gjysmëurdhër: “Lulet do t’i pranosh vetëm ti, jo artistët, dhe do t’i sjellësh në zyrën tonë…” Ai donte të linte përshtypjen se kjo ishte çështje e sigurisë, mirëpo shpejt zbulova të vërtetën.
 
Ja pse i kontrollonte sigurimi i shtetit lulet
Në një moment, gabimisht hyra në dhomën e “atyre” dhe vërejta lule të shpërndara nëpër dysheme. Ata kërkonin diçka midis luleve. I diferencojnë lulet, bëra sarkazmë në vetvete. Vetëm atëherë kuptova se femra e meshkuj nga publiku, hiqnin stolitë e arit nga trupi, dhe i fshihnin midis luleve për të ua dhuruar artistëve në skenë. Çiftet, po dhuronin kujtimin e shenjtë të kurorës së tyre – unazën e martesës.

Ishte ajo gjëja më e vogël e mirënjohjes admiruese që mund të shprehnin ne ato momente për ju.. Urdhrin për lulet, kryesisht e injorova duke aktruar ngathtësinë. Sepse, nuk mund të grabisja lulet që ishin sjell për ju, as unazat e martesës që kishin dalë nga duart e adhurueseve tuaj, për ty e të tjerët… Ata lidhnin kurorë të re – me këngët tuaja.
Vetëm një vit më vonë Vaçe, mu në atë vend e lagje ku ti këndoje, u derdh gjaku i rinisë shqiptare në demonstratat e ‘81-it. Vitet filluan të bëjnë hapa dekadash në Kosovë…
 
Mbrëmja e fundit në Ohër
Vaçe Zela. A të kujtohet mbrëmja e fundit para se të ndahemi në Ohër? Nata e fundit në Hotelin “Metropol”, ku kënduam, festuam e qeshëm deri në mëngjes. E në agim, si një këmbanë, na ngriti në këmbë Gaqo Çako me thirrjet e tij nga tarraca e hotelit, më tërë zërin që kishte…”Ooo Selimoooo”…Kush është Selimi, pyetëm ne? E dinim se Gaqo kishte pirë pakëz raki, por nuk ishte i dehur. Thërriste me tërë zërin.

Pastaj sqaroi se, matanë liqenit, në Poradec, paska një kolegë ushtrie që quhej Selim …” Dua t’i them atij, ja ku jam unë e ku je ti”, shtoi ai. Për ne, kjo tingëlloi si humor, pasi s’dinim nëse nga Selimi kishte kujtime të mira apo të keqija. Një orë më vonë, Gaqo Çako, dhe të tjerët, ishin përtej liqenit, në anën e Selimit… Ne që mbetëm në këtë anë të liqenit, e veshëm pikëllimin. Të dy palët po ktheheshim në botët e tyre të ndara. Shqipëria e Madhe e Këngës, të cilën e ndërtuam gjatë atyre ditëve, përfundoi. Sërish u nda në dysh…...........

Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar