Lionel Messi ashtu si Cristiano Ronaldo ka shkruar për këtë situatë të jashtëzakonshme që po kalon bota për shkak të pandemisë koronavirus. Ylli i Barcelonës nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë thirrje për mbështetje ndaj mjekëve, të cilët sipas argjentinasit janë në vijën e parë të luftës. Ndërkohë në fund Messi ka dhënë edhe një mesazh ku u thotë të gjithëve ta shfrytëzojnë këtë moment për të qëndruar në shtëpi me familjarët e tyre.
“Janë ditë të vështira për të gjithë. Ne jetojmë të shqetësuar për atë që po ndodh dhe duam të ndihmojmë ta vendosim veten në vendin e atyre që po vuajnë, mjekëve qoftë sepse sëmundja mund të prekë direkt ata ose familjen dhe miqtë e tyre, ose sepse ata janë duke punuar në vijën e parë për ta luftuar atë në spitale dhe qendra shëndetësore. Unë dua të dërgoj shumë forcë për të gjithë ata. Shëndeti gjithmonë duhet të vijë i pari.
Është një moment i jashtëzakonshëm dhe ju duhet të ndiqni udhëzimet e organizatave shëndetësore dhe autoriteteve publike. Vetëm në këtë mënyrë ne mund ta luftojmë atë në mënyrë efektive. Është koha për të qenë të përgjegjshëm dhe të qëndroni në shtëpi. Është gjithashtu koha perfekte të shijoni momente që nuk mund t’i keni gjithmonë. Një përqafim dhe shpresojmë se mund ta kthejmë këtë situatë sa më shpejt të jetë e mundur.”