Kuratori, Elian Stefa: Sazani, nga arkeologjia ilire tek arkeologjia komuniste ushtarake

Kuratori, Elian Stefa: Sazani, nga arkeologjia ilire tek arkeologjia komuniste ushtarake

Kuratori Elian Stefa

Sazani ka një histori të përdorimit strategjik edhe të mëhershëm, por që nga koha e Bizantit ishte një vend i mbrojtur dhe shihej që nga lartësia e Shën Kollit. Ai kontrollon hyrjet në det nga jugu dhe veriu i ishullit.   Kuratori Elian Stefa rrëfen për “Shqiptarja.com” se sipas autorëve të shumtë dhe botimeve venedikase theksohet se banorët e Sazanit kanë ekzistuar dhe ishin të përgatitur për mbrojtjen e ishullit të tyre. “Këtë e tregojnë edhe gjurmët e fortifikimeve pranë molit antik”, thekson Stefa.

Ndërkohë, sipas studiuesit të njohur Fluturak Gërmenji, “edhe më vonë Sazani ishte një projekt i lakmuar për fuqitë e kohës sidomos për Venetikun. Linja strategjike e Shën Markut kishte synuar të pushtonte gjithë vijën bregdetare shqiptare. Ajo niste nga derdhja e Bunës, deri tek Kepi i Rodonit, nga Durrësi deri në Sazan. Kjo ishte një masë mbrojtëse e fisnikërisë Veneciane, që kishte organizuar  ngritjen e kështjellave deri në Korfuz”, shkruan Gërmenji, duke ndjekur në studimin e tij hap pas hapi historinë dhe arkeologjinë e Sazanit. Ndërmjet këtij udhëtimi në ekspozitë muratori Elian Stefa tregon sesi pas pushtimit bizantin në Ishullin e Sazanit ka pasur shumë përpjekje me shqiptarët që ishin banorë të këtij ishulli. Bëhet fjalë për një ishull që zotërohej fillimisht nga Venediku, por që më pas e rrëmbyen turqit, duke e përdorur gjatë pushtimit si pikë strategjike. Kështu ka lëvizur edhe koncepti i ekspozitës ku në një tavolinë ka libra e dokumente me një histori të pasur të ishullit, që nga arkeologjia ilire dhe ajo e bizantit e duke vijuar përmes fotografive artistike ne faqet e historisë së re, ku nuk kanë reshtur tentativat për pushtimin e Vlorës dhe të Sazanit.

Sipas komandantit Naim Muho, edhe diktatori Enver Hoxha besonte se çdo pushtues i ri do të synonte marrjen e ishullit të Sazanit së pari. “Po ra Sazani, ra Shqipëria!”, thoshte Enver Hoxha, tha Muho.

Kështu në vijim të intervistës, kuratori Elian Stefa na rrëfen disa elementë arkivorë që pasurojnë mesazhet dhe konceptin e kësaj ekspozite, siç është një hartë ruse, e viteve ’60, ku janë shënuar edhe thellësitë e detit përreth në gjirin e Vlorës, e në gjithë Adriatikun, e këto harta shënonin se ku do të shkonin nëndetëset në raste sulmesh apo veprime të tjera ushtarake. Ka edhe harta të tjera të ushtrive italiane e më gjerë. “Tashmë ishulli gjendet në gjendje të çuditshme: as në të kaluarën, as në të ardhmen, dhe pret njerëzit që ta vizitojnë dhe të shprehen sesi e shikojnë atë.”, thotë kuratori Elian Stefa.

Elian, përse ju si kurator dhe artistë të pasionuar pas ishullit ende misterioz të Sazanit shqiptar, e quani “Toka e askujt”

-Ekspozita quhet “Sazani, toka e askujt”, sepse ne konceptin e saj kjo ekspozitë trajton ishullin e Sazanit që në lashtësi deri tani, por nga ana tjetër edhe ishullin si është përdorur strategjikisht si pikë e rëndësishme ushtarake. Zhvillimin më të madh si një vend i banuar,  Sazani e ka pasur në kohën e monizmit, ku kishte tremijë ushtarë. Që kishin familjet që jetonin aty. Kishte edhe një shkollë fillore. Kishte spitale, kinema, dyqane. Ishte ngritur gjithçka që banorët të kishin një jetë normale, por duke qenë zonë e ndaluar ushtarake, nuk ishte në të vërtetë një jetë aq normale për vetë ata që banonin atje. Tashmë ishulli gjendet në gjendje të çuditshme: as në të kaluarën, as në të ardhmen, dhe pret njerëzit që ta vizitojnë dhe të shprehen sesi e shikojnë tashmë atë. Është shumë interesant dhe i veçantë për vetë Shqipërinë, sepse është i vetmi ishull i madh që kemi dhe prezanton një lëvizje turistike shumë të lartë.

Pavarësisht arsyes së nismës tuaj artistike, përse ky ishull ju ngacmon edhe artistikisht?

-Një nga arsyet e vetme, që të tërhiqet vëmendja për ishullin është që eksplorimi i tij të konsumohet nëpërmjet artit. Ky ishull aktualisht funksionon si një muze i hapur, ku njerëzit shkojnë e vizitojnë, arkeologjinë ushtarake komuniste që ka ngelur aty, nëse mund të shprehemi figurativisht edhe në këtë mënyrë. Por ne përpiqemi që ta rivitalizojmë ishullin përmes ndikimit të artit, duke u shprehur me mënyra të ndryshme të “rrëfimit” të Sazanit. Ishulli nuk prezanton shumë hapësirë për plazh dhe turizëm shumë popullor, por të prezanton me një vend të ashpër, që kur e eksploron të zgjon shumë adrenalinë, dhe është plot me histori e legjenda që nuk duhen nënvleftësuar asnjëherë. Kështu që arti është një element që metabolizon këtë terren të vështirë dhe e sjell në prekjen bashkëkohore të qenies.

Në ekspozitën tuaj nuk ka vetëm fotografi artistike, por edhe dokumente arkivore, cili është roli i tyre?

-Ekspozita ndahet teknikisht në dy zona. Njëra që është artistike dhe është reagimi i pesë artistëve shqiptarë si emocion artistik, dhe mesazhi që vjen në sytë e shikuesve prej prekjes së imazheve. Dhe prekja tjetër janë disa harta ushtarake, të përdoruar nga ushtritë e ndryshme ruse e italiane. Këtu po shohim një hartë ruse, ku janë shënuar edhe thellësitë e detit përreth në gjirin e Vlorës, e në gjithë Adriatikun, dhe këto harta shënonin se ku do të shkonin nëndetëset në raste sulmesh apo veprime të tjera ushtarake. Intervista me komandantin Naim Muho për 15 vjet në ishullin e Sazanit ka një efekt të veçantë. Kur e çuam atje, ai përjetoi një moment shumë emocional, kur pa sesi natyra ka gllabëruar të gjithë atë histori atë, investim njerëzor, orë pune, dhe vendbanimin e 300 familjeve. Unë personalisht kam tre shokë të ngushtë që janë rritur në Sazan, me rëndësi është edhe hulumtimi arkivor, për ët ditur sesi është konsideruar ky ishull në histori dhe pse ka marrë këtë rëndësi për shekuj me radhë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ Foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin