Banorët e Alkut, në Njësinë Administrative Fushë-Kuqe të Kurbinit, janë ngritur në protestë kundër punimeve që po realizohen për asfaltimin e rrugës në zonën e tyre.

Ata pretendojnë se ndërhyrja po kryhet pa standardet e duhura dhe se investimi nuk përfshin të gjithë segmentin rrugor me gjatësi rreth 3 kilometra, ashtu siç u ishte premtuar.

Sipas banorëve, rruga po ndërtohet me gjerësi të pamjaftueshme, ndërsa shtresa e asfaltit është vetëm 3 deri në 4 centimetra. Për këtë arsye, ata kërkojnë që punimet të rishikohen dhe shqetësimet e tyre të merren në konsideratë.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin bën të ditur se asfaltimi i lotit të parë të këtij segmenti rrugor është pjesë e investimeve që po realizohen në infrastrukturën e zonave rurale dhe punimet po kryhen brenda parametrave të parashikuar.

Bashkia sqaron gjithashtu se do të financohet edhe pjesa tjetër e rrugës, me qëllim përfundimin e ndërhyrjes dhe zgjidhjen e problematikës së infrastrukturës në këtë zonë, në të cilën jetojnë rreth 70 familje.