KURBIN - Ndërprerja e energjisë elektrike në një natë stuhie, si pasojë e rrjetit të amortizuar ka detyruar një kryefamiljar në Kurbin që të ndërhyjë për ta rilidhur atë, pasi djali i tij i sëmurë nuk mundi të duronte të ftohtin.
 
Por kjo i ka kushtuar lirinë Kastriot Sulës nga Fushë Miloti i cili është arrestuar prej dy javësh me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Përballë kësaj situate ka qenë bashkëshortja e tij e cila ka denoncuar këtë rast në media, duke kërkuar lirimin e bashkëshortit të saj, pasi jetojnë në kushte tepër të vështira ekonomike dhe në një varfëri ekstreme.
 
Flora Sula thotë se nuk kanë asnjë debi ndaj OSHEE-së dhe se nuk kanë vjedhur kurrë energjinë elektrike, por kryefamiljari ka qenë i detyruar që ta lidhë energjinë, pasi djali 11-vjeçar i tyre vuan nga sëmundja e epilepsisë.

Edhe të afërmit e kësaj familje kërkojnë lirimin e Kastriotit, pasi familja vuan për bukën e gojës dhe qeveria po bën padrejtësi me këto shtresa të cilët nuk kanë asnjë mbrojtje.

Familja e Kastriot Sulës është e përbërë nga 5 anëtarë të cilët janë të gjithë të papunë dhe jetojnë vetëm me kempin e djalit të tyre i cili ka lindur i sëmurë.
 
Zonja e shtëpisë e cila prej 2 javësh jeton me tre fëmijët e saj të mitur, i bën apel shtetit që të lirojnë sa më parë nga burgu bashkëshortin, pasi sipas saj është arrestuar pa të drejtë.


Kastriot Cula


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)