KURBIN - Një efektivi i policisë së rendit në Komisariatin e Kurbinit është vënë në pranga pasi, akuzohet për vjedhje.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë në Lezhë, kanë bërë të ditur se, në pranga ka rënë Kastriot Gjini 33 vjeç nga qyteti i Laçit pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur materiale të cilat i kishte nën ruajtje në magazinat e Komisariatit të policisë së Laçit.

Uniformat blu kanë bërë të ditur se, këtë veprimtari ai e kishte kryer edhe herë të tjera ku këto materiale i shiste. Sendet e sekuestruara ishin të operacionit “Fund marrëzisë” dhe kishin një vlerë të konsiderueshme.

Drejtoria e Policisë në Lezhë bën të ditur se ka nisur hetimet në lidhje me këtë rast. Pritet  që të merret në pyetje edhe i akuzuari për të dhënë më tepër shpjegime se ku mund t’i ketë shitur këto sende me vlerë.

Dosja në ngarkim të 33-vjeçarit, Kastriot Gjini do ti kalojë Prokurorisë së Kurbinit, për veprat penale të “vjedhjes me dashje” si dhe “shpërdorim detyre”.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)