KURBIN - Shembja e urës ku humbi jetën edhe një i ri në Skuraj të Kurbinit ka izoluar me qindra banorë të kësaj zone. Ata prej 20 ditësh nuk kanë asnjë mundësi komunikimi, ndërsa edhe nxënësit e kanë të pamundur që të frekuentojnë shkollën.

Përballë kësaj situate banorët e 5 fshatrave kanë dalë në protestë duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje. Banorët thonë se madje e kanë paralajmëruar tragjedinë ku humbi jetën 20-vjeçari, por askush nuk mori asnjë masë për të ndërhyrë në riparimin e urës.

Ndërkohë përballë kësaj gjendje është dorëzuar edhe Komuna e Milotit. Kreu i kësaj njësie vendore Behar Haxhiu thotë se kjo njësi vendore nuk ka fonde për të bërë të mundur ndërtimin e urës.

"Janë disa fshatra që s’kanë asnjë lloj mënyre tjetër për të kaluar për të shkuar te shtëpitë e tyre apo te shkolla përveçse asaj rruge. Më saktë kemi biseduar me qarkun dhe kryetarin e qarkut, po bëhët një projekt, një projekt shum i shpejtë dhe ai ka vlerat 50 milion të vjetra." tha Haxhiu

Janë 5 fshatra të Komunës Milot në Kurbin që kalojnë nëpërmjet kësaj ure, por shembja e saj ka bërë që këta banorë të jenë të izoluar prej 20 ditësh.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)