Universiteti Metropolitan Tirana zhvilloi Ceremoninë e Diplomimit për vitin 2019, në një event që u karakterizua nga emocionet, gëzimi dhe fjalimet motivuese të të ftuarve specialë. Mbrëmja e Ceremonisë së Diplomimit shënoi përfundimin e një cikli studimesh plot me sfida, aktivitete të shumta dhe punë të palodhur nga stafi profesionist i UMT-së si dhe nga vetë studentët e sapodiplomuar.
Në këtë event përshëndetën me fjalën e tyre Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Presidenti i grupit Eurosig-Insig, Kadri Morina, anëtari i Bordit të universitetit Edmond Panariti dhe përfaqësues nga kompanitë partnere të Universitetit Metropolitan Tirana. Në ceremoninë e diplomimit u prezantua edhe Prof. Dr. Gëzim Karapici, i cili kthehet në Universitetin Metropolitan Tirana pas tre vitesh duke rimarë postin më të lartë akademik, atë të Rektorit.
“Personalisht duke u rikthyer pas tre vitesh në Metropolitan, e gjej atë më të përsosur, më të rritur, si nga cilësia, ashtu edhe nga larmia e diplomave të lëshuara. E gjej Metropolitanin me një staf më të gjerë akademik. Universiteti Metropolitan që nga themelimi ka bërë një rrugëtim të suksesshëm, duke pasur gur themeltar cilësinë e trupës pedagogjike. Pa dyshim prezenca e pedagogëve të huaj, i ka dhënë një impuls mjaft pozitiv formimit të ofruar nga Metropolitani”, u shpreh Rektori i UMT, Gëzim Karapici.
Në fjalën e tij, zoti Erion Veliaj u shpreh i bindur për rolin e arsimit në zhvillimin e Shqipërisë, ndërsa vlerësoi rolin e Universitetit Metropolitan Tirana në përgatitjen e profesionistëve të rinj në sektorët strategjikë të zhvillimit ekonomik.
“Ju keni një meritë që keni bërë një zgjedhje me përkushtim, djersë, net të tëra pa gjumë duke u përgatitur dhe dua t’ju them jam shumë krenar për ju dhe bravo ju qoftë. Pavarësisht çfarë bindjesh kemi, çfarë teserash kemi, Shqipërinë, vendin, Tiranën, qytetin e shpëton vetëm arsimi cilësor. Sot e tutje do t’ju referohem si kolegë.
Ju po diplomoheni në inxhinieri, në shkenca kompjuterike, në arkitekturë, në ekonomi. Jeni ndër të vetmet universitete që mësoni zanate. Ka edhe universitete të tjera që janë të mira, por kryesisht mësojnë atë që kam studiuar edhe unë, shkenca politike. Gjithologë, llafollogë, sociologë, filozofë, në një vend ku më shumë se në çdo vend tjetër ka nevojë për njerëz që dinë të bëjnë punë, për zanate.
Kur vjen dita e fatkeqësisë, të gjithë mendojnë për zanatçinjtë. Patjetër janë edhe llafollogët, do të komentojnë edhe analistët, por kur vjen puna të gjithë thonë “Kush janë ekspertët e ndërtimit?”, “Kush i ka bërë këto punë cilësore?”.
Si ka mundësi që i njëjti tërmet në Turqi dhe në vende të tjera bëri hatanë, në vendin tonë, pavarësisht se llafollogët flasin për kullat, këta inxhinierët tanë një punë të mirë e paskan bërë, konstruktorët, arkitektët, urbanistët që kanë parë cilësinë e betonit, të çelikut. U pa se çdo gjë e re ia doli me sukses. Nuk mjafton vetëm një ditë e fatkeqësisë t’i hedhim sytë te zanatçinjtë, na duhen 365 ditë të besojmë profesionistët, ata që diplomohen sot si inxhinierë, si arkitektë, si ekonomistë që jam i sigurt që do të çojnë përpara Shqipërinë”, tha ndër të tjera kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Presidenti dhe themeluesi i Universitetit Metropolitan Tirana, zoti Arjan Çukaj ndau me të ftuarit historikun e krijimit të një universiteti cilësor dhe të profilizuar, në një kohë të vështirë për arsimin e lartë në Shqipëri.
“Kur vendosa të themeloj Universitetin Metropolitan Tirana, shumë njerëz përreth e konsideruan si një sfidë të pamundur. Në tavolinë të nesërmen pjesa më e madhe kishin hequr dorë nga shqyrtimi i kësaj iniciative. Shumë universitete kishte asokohe, e shumë vite më vonë shumë të tjerë u mbyllën. E të mendosh të krijosh një tjetër universitet? Nuk u vë faj që menduan se ishte çmenduri.
Pikërisht i revoltuar për këtë ‘‘shumicë’’ institucionesh të arsimit të lartë, i vendosur vazhdova të mendoj krijimin e një universiteti ndryshe, një universiteti realisht me plotë gojën ‘‘tjetër’’. Një universitet me fokus të qartë, me profil të qartë. Një universitet që nuk do të prodhonte shumë e për lumë por një universitet që do të diplomonte studentë në fushat më të rëndësishme: ekonomi, shkenca kompjuterike, ndërtim”, u shpreh zoti Çukaj duke shtuar se ndihet i lumtur kur sheh se pjesa më e madhe e të diplomuarve të Universitetit Metropolitan Tirana janë të punësuar në profesionin e tyre.
“Janë pikërisht këto profile, me stafin e kualifikuar, me infrastrukturën e duhur që janë pikat tona të forta. Ndaj jam realisht i lumtur kur shoh sot që pjesa dërrmuese e të diplomuarve tanë janë të punësuar në profesionin e tyre. Ky ka qenë gjithmonë synimi. Ju nuk do bëni pjesë në udhëkryqin e të panjohurës, si shumë studentë të tjerë, të diplomuar në programe masive”, u shpreh zoti Çukaj.
Studentët u diplomuan në praninë e miqve dhe familjarëve të tyre më të afërt dhe u shprehën të sigurt rreth së ardhmes së tyre profesionale. Kjo pasi Universiteti Metropolitan Tirana ofron programe studimi në profesionet më të kërkuara të momentit, kombinuar me laboratorët cilësore dhe mundësitë e punësimit. Universiteti Metropolitan Tirana që prej themelimit të tij ka bërë ndryshimin në tregun e studimeve universitare në Shqipëri, duke u rritur e duke u kthyer në personifikimin e cilësisë dhe profesionalizmit.