Nisma e PDK për të ngushtuar kompetencat e Dhomave Speciale në Hagë nuk ishte në rendin e ditës në mbledhjen e qeverisë së Kosovës këtë të mërkurë. Por Albin Kurti u ndal tek çështja më e diskutuar e momentit duke dhënë premtime për atë që e quan korrigjim të vendimit të shkallës së parë të hagës në hapa të mëtejshëm që do të pasojnë deklaratën e përbashkët të Kuvendit miratuar të hënën me 99 vota.
“Deklarata e miratuar me 99 vota për në Kuvendin e Republikës është hapi i parë i përbashkët që më shumë se sa që krijon efekt juridik, është shprehje e vullnetit të popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Andaj mirëpres dhe përshëndes këtë hap fillestar teksa thërras në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet subjekteve politike parlamentare për këtë çështje të interesit shtetëror duke bashkërenduar me kujdes veprimet me ekipet mbrojtëse sikurse edhe me ekspertë të fushës, ashtu që të mos gjendemi në situata ku vendimet tona do të mund të përdoreshin si rëndesë ose në dëm pra të kësaj të katërshes Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi”, tha Kurti.
U zotua se qeveria e Kosovës do të angazhohet për të bërë gjithçka duke e lidhur këtë angazhim me procesin e Apelit.
“Si kryeministër i Republikës së Kosovës do të bëjmë gjithçka që dimë e mundemi bashkë me kolegët nga qeveria dhe jo vetëm për korrigjimin e këtij aktgjykimi kur të vijë apeli e e drejta e tij”, vijoi Kurti.
Edhe pse të dielën e kaluar Kurti zhvilloi takime me krerët e PDK dhe LDK Hamza dhe Abdixhiku, duket se nuk do të ketë lëvizje sa i takon ngushtimit të kompetencave të Dhomave Speciale në Hhagë, çka pritet të çojë në zgjedhje të reja për shkak se PDK pritet të mos japë ndihmë për zgjedhjen e Presidentit.
Të enjten në Prishtinë platforma “Liria ka Emër” ka thirrur një protestë kombëtare e cila sipas organizatorëve synon të jetë e qetë, masive dhe vetëm me synimin për të kundërshtuar dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Ne u kemi dërguar ftesë krejt qytetarëve të Kosovës, edhe krerët e partive janë qytetarë të Kosovës, gjithsesi që duhet të jenë të pranishëm për me e përçuar një mesazh të rëndësishëm siç është ‘Jo në emrin tim’”. Krejt organizimet tona janë paqësore. Ne u bëjmë thirrje zakonisht që të vijnë me fëmijë, me pleq, të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta përçojmë një mesazh paqësor”, tha organizatori Ismail Tasholli.







Komente
Komento