Kurti takim me Lajçak: I gatshëm të nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë në takimin e Ohrit

Kurti takim me Lajçak: I gatshëm të nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë në takimin e Ohrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

"Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës", u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.

Ndërkaç, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim "konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm". Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti”, tha Lajçak.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai për gazetarët në Prishtinë.

Sipas Lajçakut, BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti “hap i dytë” që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që tha se kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.

“Do ta diskutojmë këtë në Ohër, por synimi është që ta finalizojmë dhe ta finalizojmë udhërrëfyesin për zbatim”, theksoi ai.

Sipas zyrtarit të lartë evropian, në këtë fazë duhet të dihen hapat dhe afatet se si do të zbatohet propozimi evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.

“Në të kundërtën, [propozimi evropian] do të jetë vetëm një dokument i obligueshëm në aspektin politik, por jo zyrtarisht i obligueshëm”, tha Lajçak.

Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Sipas njoftimit për media, Osmani gjatë takimit tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në frymën e “paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.

Osmani tha po ashtu se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë dhe mbetet e angazhuar në këtë proces, “ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtari i lartë evropianë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare dhe komunitetin ndërkombëtar. Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.

Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 8 mars, se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.

“Do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha ai.

Sipas BE-së, në Ohër, Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas takimi trilateral do të përqendrohet në finalizimin e planit të zbatinmit të propozimit evropian.

Pavarësisht se e pranuan planin, që Kosovës dhe Serbisë fillimisht u ishte dorëzuar vitin e kaluar, Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan dokumentin gjatë takimit të 27 shkurtit. Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian - Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, këtë gatishmëri nuk e pati pala serbe.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian, gjatë një takimi me gazetarë më 2 mars në Bruksel ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian - Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.

BE-ja ka thënë se Lajçak, përmes vizitave në Kosovë dhe Serbi, do të ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian. Blloku evropian ka thënë se pret që puna për zbatimin e propozimit të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars. Propozimi evropian synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara. Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:07
Lajçak pas takimit me Kurtin: Tani e di se çfarë kërkon Kosova! Pres finalizimin e marrëveshjes me Serbinë në Ohër

I dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se takimi i tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kishte përmbushur pritshmëritë dhe shtoi se palët duhet të pajtohen edhe për Aneksin e zbatimit përndryshe marrëveshja s’do të mund të jetë e detyrueshme.

Ai tha se pas takimit me Kurtin, e di shumë mirë se cilat janë pritshmëritë e Kosovës dhe e vlerësoi bisedën me kreun e qeverisë si shumë të rëndësishme.

”Ne duhet të pajtohemi se si duhet të implementohet. Përndryshe nuk do të jetë obligative. Patëm një bisedë konstrutkive dhe shumë të rëndësishme me Kurtin. Gjithashtu takova edhe presidenten. Qëllimi kryesor i këtij takimi është se si Kosova e sheh implementimin. Ky takim përmbushi pritjet e mia në këtë kontekst”, u shpreh Lajcak.

Mes të tjerash, Lajçak zbuloi se të hënën dhe të martën do të jetë në Beograd për të parë se cilat janë pikëpamjet e Serbisë mbi marrëveshjen që palët pritet të nënshkruajnë në 18 mars në takimin që do të mbajnë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

 “Do të jem edhe në Beograd të hënën dhe të martën për të parë se si Serbia e sheh këtë punë. Pastaj shpresojmë se do të jemi në gjendje të kemi një letër, një dokument për të cilin do të pajtohemi me datën 18 në Ohër. Është e pamundur që në këtë moment të them shumë. Takimet do të vazhdojnë”, ka shtuar Lajcak.

I dërguari special i BE-së tha se pas dakokrdësimit mes dy palëve, pritet të përfundohet edhe procesi i finalizimit të marrëveshjes.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare

Rëzimi i avionit, Azerbajxhani shpall 26 dhjetorin ditë zie kombëtare