Kurti takon ambasadorin e SHBA: Që në javën e parë do nisë dialogu me serbët e Kosovës! S'duhet të vonohemi, por as të nxitohemi

Kurti takon ambasadorin e SHBA: Që në javën e parë do nisë dialogu me serbët e Kosovës! S'duhet të vonohemi, por as të nxitohemi

KOSOVË- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidat për kryeministër pas fitores së zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA, Philip S. Kosnett, ku në fokus ka qenë dialogu Kosovë-Serbi. Referuar njoftimit të dalë nga zyra e shtypit, bëhet e ditur se Kurti e ka informuar ambasadorin Kosnett se sa i përket negociatave, do të nisin që javën e parë, nëse ai zgjidhet kryeministër, me serbët që janë në Kosovë, për t'i shtrirë më pas diskutimet edhe në nivel qendror. " Nuk duhet të vonohemi por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj", mësohet t'i ketë thënë Kurti- Kosnett, teksa ky i fundit ka vlerësuar procesin zgjedhor në Kosovë.

"Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, sot priti në takim Ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z.Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, znj.Jessica Long dhe zyrtarja politike, znj.Mia Ter Har.

Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon.

Nga ana e tij, kryetari Kurti e siguroi z.Kosnett se do të jetë kryeministër për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai e njoftoi ambasadorin se konsolidimi i brendshëm i Kosovës me shtetndërtim demokratik, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe progres shoqëror është prioritet që do ta zbatojë, meqë edhe nevojat e qytetarëve e vullneti i tyre i shprehur në këto zgjedhje ishte për këtë.

Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s'kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj.

Në fund të takimit, të dy palët shprehën interesimin për komunikim të vazhdueshëm e takime të mëtutjeshme", shkruhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, të cilët u vlerësuar edhe nga politika shqiptare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%. E dyta është LDK 192.300 ose përkthyer në përqindje 25,05%. Partia Demokratike e Kosovës është e treta dhe ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave. Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Postimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë