Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen të cilën e ka njoftuar edhe për qëndrimin e Kosovës rreth Marrëveshjes Bazike me Serbinë, saktësisht nenin 7, ku flitet për vetë-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
"Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.
Në takim është diskutuar edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri. Kurti ka theksuar rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë.
“Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoicic në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten”.
”Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor. Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, pëmrbyllet komunikata e zyrës së kryeministrit.
Po ashtu, siç njofton zyra e kryeministrit Kurti, në këtë takim është folur edhe për çështjen e mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian për projektet infrastrukturore.
”Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës."
Presidentja e Komisionit Evropian, pati një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën. Zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.