Kurvënator Ardian Fullani

1./O moj Shqypni e mjera Shqypni…

Llokma e schnitzel-it të ra nga piruni e u përplas mbi pjatancë jo prej lajmit të kobshëm që të solli Eda, por piruni i shkretë elegant nuk mund të mbante atë bërxollë ‘alla vjeneze’ aq të madhe dhe aq të rëndë. Nervoz, u acarove me pirunin dhe kësaj here e kape me dorë dhe e kafshove si i pangrënë llokmën. Djathi kaçkavall, i shkrirë së brendshmi, sprucoi nëpër gojën dhe buzët e tua dhe duke u mbllaçitur pyete vajzën që qëndronte e shtangur te dera e zyrës tënde:

-Vetëm 7 miliardë?

E zverdhur në fytyrë, bukuroshja që ishte strukur brenda dekoltesë së saj, diç pëshpëriti, por ti nuk e dëgjove mirë.

-Ngrije zërin se nuk të kan’ vjedh paret e babait tat, ngrije zërin ose ik e na ler rehat se jemi të lodhur. Po ushqehemi se na ra bretku!
Një pëshpëritje e dytë nga goja e sekretares ishte më e vakët se e para, ndërkohë që ti me fytyrën mbi ushqimin e bollshëm ia bëre me dorën e lyrshme të largohej. Në zyrën ku lajmi ra si mortje gjithçka shqiptare nuk e rruajti fare përveç Alan Greenspan që shpërdrodhi fytyrën në foton ku kishit dalë të dy…

I dashur Fullan i regjur, i kalbur, i kamufluar, i konsumuar, i përdorur, i kamur, i ngopur, i pangrënë, frikacak, halabak, i pasur deri në fukarallëk, kur të zbulova skandalin e parë me emërimet, shumëkush nga banka jote (jo banka e shqiptarëve) dhe nga politika e media më paragjykoi e më poshtëroi deri në maksimum.

Makina e propogandës tënde kishte blerë e shitur këdo ndaj unë u ndjeva i vetmuar, por do ti që kjo periudhë prej heremiti nuk zgjati shumë për mua. Të jesh gazetar këmbëngulës e t’i shërbesh komunitetit nuk lodhesh asnjëherë dhe fati e shanset na puqën përsëri bashkë. Njerëzia flasin shumë për vjedhjen dhe grabitjen e fundit në atë bankën tënde të fëlliqur por pak, shumë pak syresh dinë se vjedhja e dy hajdutëve të tu minimizohet par dallavereve të tua 10- vjeçare. Sot nuk po shkruaj të të vë ty para përgjegjësisë ooo Fullan i kalbur, por dua të shkund, të tund e të zgjoj edhe njëherë median, politikën dhe komunitetin paratë e të cilëve janë në dorë të askujt. Bëmat e tua korruptive është koha t’i mësojmë të gjithë dhe asi pasardhësi yt që do të të zëvendësojë nga shtatori t’i thërrasë mendjes e mos të bëhët kopja jote e shëmtuar.

Nesër (sot) Komisioni parlamentar i Ekonomisë do të të thërrasë në seancë dëgjimore për vjedhjen e ndyrë të parave të shqiptarëve të gjorë, por unë nuk mund të rri pa bërë publike poshtërsitë dhe korrupsionin permanent të 10 viteve të fundit qyshkur ti u menderose të gurvenatoje Bankën e dropitur të Shtetit Shqiptar. Të nderuar bashkatdhetarët e mi taksapagues, largoni fëmijët dhe pensionistët kursimtarë dhe këqyrni me vëmendje sesi shpërdorohet paraja juaj nga një prej emisarëve të pushtetit.

Vjehrri i guvernatorit, Bajram Xhaja, babai i gjykatëses Arjana Fullani, është aksioner i Fabrikës së Tullave Prezë dhe qysh prej 8 vitesh ka marrë 15 milionë euro kredi nga 4 banka të nivelit të dytë në Tiranë e deri tani nuk ka shlyer asnjë këst. Bankat kanë frikë t’ia kërkojnë për shkak se dhëndri i tij mund ti penalizojë. Nëse doni më shumë informacion, shfletoni regjistrin e kredive të këqija.

Guvernator Ardian Fullani ka në pronësi një apartament 230 metra katrorë në Bllok, është duke ndërtuar një vilë në Farkë, ka në pronësi një vilë në Golem, ka në pronësi një vilë në fshatin e Samir Manes pas TEG-ut me vlerë rreth 1 milionë euro, komshi me Gjin Gjonin, një vilë me vlerë 250 mijë dollarë në Mavrovo të Maqedonisë, një dyqan 400 metra katrorë te TEG me vlerë 800 mijë euro në emër të vajzës së tij, Fiona Fullani.

Bashkëshortja Arjana Fullani dhe e bija e tij, Fjona Fullani, i janë nënshtruar operacioneve për ngushtim stomaku dhe vendosje unaze në një prej spitaleve të Los Angeles në Amerikë me vlerën e 46 mijë dollarëve ameriaknë.
Fëmijët e tij tashmë të rritur, Fjona dhe Erik Fullani kanë ndryshuar rreth 21 kolegje dhe shkolla private në Shqipëri dhe disa vende evropiane ku kanë dështuar totalisht. Madje edhe pagesat e shtrenjta për shkolimin e vajzës në Universitetin Luigi Boçoni rreth 18 mijë euro në vit rezultuan fatale derisa pas shumë përpjekjesh të dy fëmijët u diplomuan në universitetin evropina të Henri Çilit në Tiranë.

Për gati 10 vjet, guvernator Fullani ka paguar rreth 36 mijë euro nga buxheti i Bankës së Shqipërisë për palestrën, pishinën dhe masazhe pranë Hotel Sheratonit.

I biri, Erik Fullani, 21 vjeç, një prej klientëve më shembullorë të fast food-eve të Tiranës ka vite që mban një pistoletë pa leje duke trembur në këtë mënyrë gjithë kalamajtë e zonës përreth parkut të lodrave “7 xhuxhat” te rruga e Elbasanit.

10% të aksioneve të shoqërisë së sigurimeve Albsig, pasi ishin në pronësi të vjehrrit Bajram Xhaja, u kaluan te kunati i guvernatorit Lokol Xhaja, refugjat në Gjermani. Pranë kësaj kompanie sigurohen prej vitesh me detyrim, përcaktim, imponim gjithë stafi i Bankës dhe objektet e saj.

Godina X, godina ku ruhet thesari dhe paraja kombëtare e shtetit shqiptar është ndërtuar nga themelet e re fringo, e cila ka kushtuar 7 milionë euro ndërsa sistemi i sigurisë së saj ka kushtuar plot 3 milionë euro ndërkohë që aty u vodhën deri tani rreth 5 milionë.

2./Informacion i rëndësishëm
Ardian Bitraj, hajduti i Bankës së Shqipërisë nuk është skraparlli, por një fierak i katapultuar aty nga vetë Fullani. Mban detyrën e shefit të thesarit të Bankës, por njëkohësisht edhe shef i Thesarit të Shtetit ku supozohet se ruhen diamante, rubinë, flori dhe ornamente të çmuara, për të cilat ende nuk është bërë kontrolli i auditit.
3./Gallatë nën vapën e korrikut

Ridvan Bode po më lexon?

Erjon Braçe po më lexon?

Shkëlqim Cani po më lexon?

Ermelinda Meksi po më lexon?

Lul Basha&Berisha po më lexon?

Edi Rama po më lexon?

Ilir Meta po më lexon?

Bujar Nishani po më lexon?…

O Jaro, mos dremit mor burrë, s’të ka thënë gjë Odeta, gruaja jote, që është bërë kërdia andej nga Banka e Shqipërisë?

Para se ta mbyll, jam kureshtar të di nëse shkrimtari Ismail Kadare ose diplomati Alexander Arvizu do të shkojnë sërish për darkë andej nga shtëpia e Fullanit e të bëjnë muhabete aristokratësh???

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Zjarri në fabrikën e këpucëve në Zhejë, shkak dyshohet të jetë një shkëndijë elektrike