Protesta kundër establishmentit politik para Kuvendit, u bë mollë sherri mes deputetëve edhe në komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes. Opozita, e quan të gabuar reagimin e policisë ndaj protestuesve që sulmuan makinat e deputetëve por edhe forcat e policisë.

 “Unë nuk mendoj që është normale që për shkak se goditet makina e një deputeti me vezë të kemi këto lloj pamjesh. Nuk ka absolutisht asnjë justifikim që të kemi këto lloj pamjesh ku merren zvarrë qytetarë të rinj sepse kanë hedhur në makinën e një deputeti. Në çdo vend të botës hidhen vezë, mund t'i hidhen dhe vetë deputetit vezë. Edhe prapë kjo do ishte e pajustifikuar”, tha Klevis Balliu, deputet i PD.

Mazhoranca, e lexon si të vetmen mënyrë reagimi kur protestuesit refuzuan të shoqërohen në komisariat.

“Në qoftë se personi nuk i bindet shoqërimit të urdhrit të policisë për sqarim, atëherë mënyra e vetme për ta detyruar një person që të paraqitet në komisariat për pyetje të mëtejshme është që ta marrësh, dhe nuk di ndonjë mënyrë tjerët se si mund të ndalohet njeri”, tha Bujar Rexha, deputet i PS.

Diskutimet u bënë ndërsa në rendin e mbledhjes së komisionit, ishin ndryshimet në ligjin e policisë së Shtetit.

Me miratimin e ndryshimeve në ligjin për Policinë e Shtetit, kryepolici do vijojë të zgjidhet ne konkurs, por jo nivelet më të ulëta. Kryepolici që mbaron detyrën nuk del nga sistemi por i jepet grada “drejtues i parë”. Gradat “komisar” në “kryekomisar” dhe “kryekomisar” në “drejtues” do të shkurtohen nga 5 në 4 vjet, që t’u jepet mundësia e rritjes në karrierë dhe mbushjes së vendeve vakante për të shmangur komandimet.