Edhe 5 vite më vonë, ndonëse me një hetim të hapur në SPAK, Sali Berisha nuk ka e ka ende një përgjigje se sa kushtoi Kuvendi i rithemelimit 11 dhjetorin e vitit 2021, nga i cili nisi ofensivën për rimarrjen e selisë blu.

Madje hetimin e SPAK, që po thërret njërin pas tjetrit organizatorët e atij Kuvendi e quajti politik.

“Ky hetim politik që bëhet nuk ka asnjë lidhje me asnjë hetim pasuror të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij. Është një hetim i mirëfilltë politik për Kuvendin e Rithemelimit.  Por lidhja, është mashtrimi që ish-xhelati i sigurimit të shtetit, në bashkëpunim me Dumanin i bëjnë çështjes. Asnjë lidhje”, tha Berisha.

E vetmja gjë që pretendon Berisha, është që financuesit janë deputetë dhe aktivistë demokratë, por pa përmendur emra.

“Është deklaruar çdo gjë dhe çdo financim i çdo personi, është deklaruar. Nuk ka asgjë të fshehur. Personat që kanë financuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Dhe ata besoj se, po thërrasin emra. Asnjë shifër nuk kam parasysh. Ai Kuvend është financuar nga deputetë, aktivistë të PD-së”, tha Berisha.

Në një moment kur duhet ta shfrytëzonte për të bërë transparencë, Berisha vijon me të njëjtën teknikë duke i gjetur tjetërkund armiqtë edhe në këtë çështje.

“Lulzim Basha i dha Gabriel Eskobarit dhe Yuri Kim-it, një listë të bizneseve që po sponsorizonin Sali Berishën. Dhe këtu është fillimi, dhe Edi Rama. Dhe ata filluan të flasin një e nga një biznesmenë të cilët nuk kishin dhënë kurrë dhe nuk u kisha kërkuar kurrë një qindarkë”, tha Berisha.

Për hetimin e nisur mbi financimin e Kuvendit të rithemelimit në SPAK janë thirrur gjatë javës organizatorët Belind Këlliçi dhe Indrit Hoxha.

Shpenzimet e kryera për Kuvendin e famshëm të Berishës 11 dhjetorin e vitit 2021, po hetohen nga prokurori i posaçëm Arben Kraja, si pjesë e hetimit pasuror për kreun e PD dhe familjen e tij, fraksion i hapur në kuadër të aferës së privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani. Për këtë dosje Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë në gjyq të pandehur për korrupsion e pastrim parash.