Kur shohim që një i ri shqiptar vret vetëm për një sherr një të ri portugez në vendin më ikonik të pushimeve në Shqipëri, pyesim se çfarë ka në thellësinë e shpirtit të djalit hasian? Ç’rrebesh ka zënë vend në atë pjesë të qetë e të padepërtueshme të tij që duhet ta frenonte për të mos shkelur vijën e kuqe të jetës së një tjetri të ri? Pse e kapërceu kaq lehtë, për kaq pak gjë, në një vend shlodhës e mikpritës?
Pse disa prej nesh janë kaq të acaruar? Kaq konfliktualë? Çfarë dhe kush ka ndikuar? Mbetemi një shoqëri e ndjeshme dhe në gjithë tranzicionin e gjatë ka shumë arsye për këtë gjendje, por që, nuk mund të jetë zgjidhje reagimi ekstrem për hiçgjë. Duket sikur frenat që e mbajnë njeriun njerëzor, janë lënduar.
Një pjesë e politikës sonë është fakt që shtyn sistematikisht shoqërinë në caqe ekstreme, prej dekadash tashmë, me qëllim për të trazuar atë pjesën më të qetë, të palëvizshme e të rëndësishme të njerëzve. Duhet vepruar për ta frenuar. Një pjesë e politikës çon në ekstrem edhe për hiçgjë, edhe për gjëra që nuk ekzistojnë, edhe për gjëra të sajuara. Në Shqipëri u mësuam të urrejmë pra për realitete të gatuara, të shpikura, të studiuara për të urryer dikë në ekstrem. U mësuam të urrejmë fare kollaj!
Në një sondazh të thjeshtë në këtë mesgusht te Shqiptarja.com, pyetjes së kush ndikon në konfliktet në Shqipëri, politika, shoqëria apo social mediat, rreth 3 mijë votues që klikuan, mbi 50 përqind shprehen se është “Politika”.
Nuk është gjë e mirë. Në të vërtetë perceptohet qartë se disave prej nesh iu është trazuar deti i thellë i qetësisë shpirtërore. Ajo pjesë e jona që përgjithësisht duhet të qëndrojë e palëvizur, e patronditur; ajo zonë që nuk duket, por që të gjithë e dimë se ekziston e që na mban, thënë shqip, “me këmbë në tokë” në shumë situata të ndërlikuara, sot duket e brishtë. Tani edhe më e tronditur se fillimi i viteve ’90, kur të gjithë bashkë dolëm nga kafazi më i egër komunist.
“Shpërthimet”, “plasjet”, “përplasjet”, “mallkimet”, “sharjet”, pra… urrejtja për njëri-tjetrin pa frena, deri në shkatërrim, janë kaq të kollajshme të hidhen kudo për “konsum” në publik. E gjen në deklarata politikanësh, në biseda televizionesh, në postime socialmediash… U pa dhe në protestën e “Flamingove”, ku krahas kauzave që morën duartrokitjet e shumë shqiptarëve, u dëgjuan fjalë të ndikuara nga instikte të trazuara pikërisht në atë detin e thellë personal të shpirtrave. U dëgjuan thirrje me vdekje, hakmarrje për për një tren që nuk ekziston, për pushime e për fundjava; u dëgjuan fjalë të tmerrshme dhune nga gojë të pafajshme fëmijësh!
A ka një zgjidhje për këtë? A ka struktura në Shqipëri që mund të ndikojnë në rikthimin e qetësisë shpirtërore, pikërisht aty, në thellësinë ku çdo det a oqean është i palëvizshëm, i paprekur, i paqtë dhe në harmoni?
Kur mësues dhe prindër janë të trazuar gjithashtu, atëherë, gjyshër, besime fetare, psikologë; miq, të afërm, duhet ta marrin situatën në dorë e të jenë një shpatull e dashur ku më të brishtët e më të prekurit mund të mbështeten. Në çdo shoqëri, dallgët e ndryshimeve mund të arrijnë dhjetëra metra lartësi, mund të shkatërrojnë e të ndryshojnë relieve, por kurrësesi esencën e pastër të identitetit dhe të ekuilibrit të thellë të njerëzve. Këtë thellësi duhet ta ruajmë të paqtë dhe të paprekur.
Fortlumturi Joani, Kryepeshkop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, është nga ato autoritete që ka treguar se e ka në vëmendje gjëndjen shpirtërore të bashkëatdhetarëve dhe fjalët e tij shpesh mbajnë vëmendje dhe këshilla se si mund të kthejmë vëmendjen për t’u bërë më njerëzorë në këto ditë kur të tjerë shtyjnë për të kapërcyer kufij.
Ja ç’thotë:
"Kur njeriu - nuk bën jetë shpirtërore - shpirti i tij thahet, mendja i errësohet dhe zemra i ngurtësohet.
Dhe - bëhet EGOIST.
Dhe fillon pastaj - dhe shan të gjithë njerëzit, sepse i duket vetja - "më i mirë".
Dhe për këtë arsye, mendon se duhet ta mburrin dhe ta lavdërojnë të gjithë.
Kërkon dhe do - çdo gjë për veten - sepse mendon , se i përkasin të gjitha.
Edhe kështu e kuptojmë pra, se përse këtë kohë - njerëzit janë bërë kështu - kaq të ftohtë, kaq të pandjeshëm - që u mungon dashuria.
Pikërisht tani, në këtë kohë - Krishti na fton të nisim një jetë shpirtërore, të fillojmë të kreshmojmë.
Sepse duke kreshmuar, do e shikojmë veten tonë, se ku jemi realisht, se ku jemi katandisur.
Dhe duke kreshmuar, do fillojmë të shikojmë se në të vërtetë nuk kemi asgjë, për të qenë krenar.
Se krenaria që kemi - realisht është një "krenari boshe", e cila na ka deformuar si njerëz dhe na bën të jemi një krijesë jo reale, një krijesë fallco.
Zoti na fton ta hedhim tutje, këtë krenari boshe, këtë fallsitet.
Na fton të bëhemi të përulur ashtu si shenjtorët, të cilët kur panë brenda shpirtit të tyre se nuk kishte asgjë për të qenë krenarë, u përulën aq shumë, sa edhe u bënë të ngjashëm me Zotin.
Kështu edhe ne - le të bëhemi të përulur në jetën tonë - ashtu si shenjtorët - që të arrijmë të bëhemi të ngjashëm me Zotin.
Amin !"
Besimi është një rrugë që të tjerë e kanë përshkuar dhe kanë përfituar, por sigurisht ka dhe rrugë të tjera për këdo, për besimtarë e atesistë, si kultura, shkenca, kontakti me natyrën mëmë, janë ura që mund të na ndihmojnë të dallojmë, të verifikojmë, e sidomos… të duam, duke e përbuzur urrejtjen e sajuar.












Komente
Komento