Gjykata Supreme e Venezuelës urdhëroi që zv/presidentja Delcy Rodriguez t marrë rolin e presidentes në detyrë, pas kapjes së Nicolás Maduro nga forcat amerikane.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Venezuelës bazohet në nenet 233 dhe 234 të Kushtetutës dhe synon garantimin e vazhdimësisë administrative dhe të sigurisë kombëtare, në kushtet e mungesës së cilësuar si “e sforcuar” të presidentit Nicolas Maduros. Në këto rrethana, Rodriguez është në qendër të zhvillimeve më të forta ndërkombëtare në fillim të vitit 2026.
Kush është Delcy Rodriguez?
Delcy Rodriguez, 56 vjeçe, është nga Karakasi dhe ka përfunduar studimet për juridik në Universitetin e Venezuelës. Ajo ishte pa dyshim një nga figurat më të pushtetshme në qeverinë e Maduros.
Rodriguez vjen nga një familje politikanësh. Babai i saj, Jorge Antonio Rodriguez, ishte një guerilas që themeloi Ligën Socialiste të Venezuelës, ndërsa i vëllai, Jorge Rodriguez, është gjithashtu një politikan i një profili të lartë, dhe aktualisht kryetar i Asamblesë Kombëtare. Të dy së bashku kanë mbajtur poste kyçe në qeveri që nga periudha e Chavezit. Rodriguez ka shërbyer si ministre e Komunikimit dhe Informacionit në vitet 2013–2014 dhe më pas si ministre e Jashtme nga viti 2014 deri në 2017, duke u bërë e para femër në krye të diplomacisë së vendit.
Në këtë rol, Rodriguez ka mbrojtur me forcë qeverinë e Maduro-s përballë kritikave ndërkombëtare, përfshirë akuzat për regres demokratik dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ajo ka përfaqësuar Venezuelën në Kombet e Bashkuara, ku ka akuzuar qeveritë perëndimore për tentativa destabilizimi të vendit.
Në vitin 2017, Rodriguez u bë presidente e Asamblesë Kushtetuese Kombëtare, e cila zgjeroi kompetencat e qeverisë pas fitores së opozitës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015. Në vitin 2018, ajo u emërua zv/presidente për mandatin e dytë të Maduros dhe e mbajti këtë post edhe gjatë mandatit të tretë presidencial, të nisur më 10 janar 2025, pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2024.
Deri në momentin e kapjes së Maduros, Delcy Rodriguez ishte autoriteti kryesor ekonomik i vendit dhe ministre e naftës. Opozita venezueliane vijon të këmbëngulë se zgjedhjet e vitit 2024 ishin të manipuluara dhe se fituesi i vërtetë ishte ish-ambasadori Edmundo Gonzalez Urrutia, një qëndrim i mbështetur edhe nga disa qeveri të rajonit.
Analisti kushtetues Jose Manuel Romano i tha CNN se postet e mbajtura nga Rodriguez dëshmojnë se ajo është një figurë “jashtëzakonisht e rëndësishme” brenda qeverisë dhe gëzon “besimin e plotë” të presidentit. Sipas tij, ajo ka ndikim të madh në të gjithë aparatin shtetëror, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes.
Pas kapjes së Maduros, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Sekretari i Shtetit Marco Rubio kishte zhvilluar një bisedë me Rodriguez, duke sinjalizuar gatishmërinë e saj për bashkëpunim. Megjithatë, disa analistë vlerësojnë se ajo nuk përfaqëson një alternativë të moderuar dhe se mbetet një nga figurat më të forta dhe më të linjës së ashpër të sistemit chavist.
Në reagimet e saj të para publike, Rodríguez, të cilën analistët e përshkruajnë si një negociatore të aftë, dënoi operacionin amerikan, kërkoi prova për jetën e Maduro-s dhe Cilia Flores dhe këmbënguli se, pavarësisht rrethanave, Nicolas Maduro mbetet presidenti i vetëm legjitim i Venezuelës.
Përse e mbështet Amerika Delcy Rodriguezin?
Sipas analistëve, kontaktet e fundit mes Donald Trump dhe Delcy Rodriguez janë sinjale që tregojnë se Washingtoni e shikon atë si një kandidate të denjë. Sipas Trump, vetë Rodriguez ka treguar se është e gatshme të bashkëpunojë me Washingtonin. ‘Çfarëdo që të keni nevojë’ mësohet t’i ketë thënë ajo Trumpit në një bisedë telefonike. Arsyeja tjetër që ka ndikuar në këtë vlerësim të Rodriguez edhe fakti që presidentja në detyrë, ka kultivuar marrëdhënie të ngushta me Republikanët në industrinë e naftës në SHBA dhe ata të Wallstreet.
Komente










