Pas protestave dhe përplasjeve me policinë në Dover dhe Portsmouth, vëmendja në Britani është përqendruar te Patriot Platform, grupi i ekstremit të djathtë që përmes rrjeteve sociale organizoi bllokimin e rrugëve për të penguar transferimin e emigrantëve të mbërritur me gomone nga Franca.

Sipas The Guardian, Patriot Platform nuk është një organizatë e vetme e krijuar rishtazi, por një rrjet që bashkon disa grupe lokale anti-emigracion nën një drejtim të vetëm. Pjesa më e madhe e anëtarëve vijnë nga jugu i Anglisë, ndërsa grupi ka edhe mbështetës nga veriperëndimi i vendit.

Në krye të lëvizjes është Daniel Thomas, i njohur si Danny Tommo, një bashkëpunëtor i ngushtë i ekstremistit britanik Stephen Yaxley-Lennon, i njohur me emrin Tommy Robinson. Sipas organizatës Hope Not Hate, e cila monitoron grupet e ekstremit të djathtë, Thomas ka zgjedhur personalisht aktivistët e Patriot Platform, duke deklaruar se ka preferuar "cilësinë para sasisë".

Edhe pse Thomas pretendon se kërkon "disiplinë" dhe jo dhunë, Hope Not Hate thotë se në radhët e grupit ka persona me precedentë penalë. Vetë Thomas ka vuajtur dënim me burg për përfshirje në një tentativë rrëmbimi, ndërsa në janar ai ishte mes dhjetë aktivistëve britanikë anti-emigracion të cilëve Franca u ndaloi hyrjen në territorin e saj.

Protesta e parë u mbajt të shtunën në Dover, ku qindra aktivistë të veshur me të zeza bllokuan rrugën A20, hyrjen kryesore drejt portit, duke shkaktuar trafik të rënduar. Ata brohoritën slogane si "Stop the boats" dhe "England till I die", ndërsa jashtë një qendre ku përpunohen emigrantët u shkrua me bojë mesazhi "Blood is on your hands" ("Gjaku është në duart tuaja").

Sipas policisë së Kentit, protesta u cilësua si spontane dhe nuk pati të arrestuar, megjithëse grupi kishte paralajmëruar prej ditësh në rrjetet sociale se po përgatiste një aksion. Deputeti laburist Mike Tapp ngriti pikëpyetje mbi reagimin e autoriteteve, duke thënë se një protestë e koordinuar nuk mund të konsiderohej spontane.

Pak orë më vonë, Patriot Platform organizoi një tjetër protestë në Portsmouth, pasi një gomone me emigrantë u soll në port. Sipas The Guardian, vetë Danny Tommo u bëri thirrje mbështetësve përmes një transmetimi live që t'i bashkoheshin protestës, e cila më pas u shoqërua me përplasje me policinë.