Teksasi, një nga bastionet më të forta të republikanëve në Shtetet e Bashkuara, mund të përjetojë një përmbysje historike në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit. Pas gati katër dekadash pa zgjedhur një demokrat në Senatin amerikan, shteti është kthyer në arenën e një prej betejave më të ashpra dhe më të kushtueshme elektorale, ku 37-vjeçari James Talarico sfidon republikanin Ken Paxton, një aleat të presidentit Donald Trump.

Talarico, një ish-mësues dhe seminarist presbiterian (student i teologjisë që përgatitet për t’u bërë pastor në Kishën Presbiteriane) që ka ndërprerë studimet fetare për t'iu përkushtuar politikës, po përpiqet të bëjë atë që demokratët nuk e kanë arritur që prej vitit 1988, kur Lloyd Bentsen fitoi për herë të fundit një mandat në Senatin federal nga Teksasi.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve, me diferenca që shpesh mbeten brenda marzhit të gabimit.

Nga një fëmijëri e vështirë te politika

Historia personale e Talaricos është bërë pjesë e rëndësishme e fushatës së tij. Nëna e tij, Tamara, u largua nga bashkëshorti, të cilin e përshkruan si alkoolist dhe abuziv, vetëm shtatë javë pas lindjes së James. Për një periudhë, nënë e bir jetuan në një dhomë hoteli, ku ajo punonte si asistente shitjesh.

Më vonë, Tamara u martua me Mark Talaricon, një menaxher me origjinë italiane, i cili adoptoi James.

I rritur në një mjedis fetar, me një gjysh predikues baptist, Talarico e ka vendosur besimin e krishterë në qendër të mesazhit të tij politik, por duke i dhënë një interpretim të ndryshëm nga ai i konservatorëve amerikanë.

“E vetmja gjë më e fortë se urrejtja është dashuria”, përsërit ai në takimet me votuesit.

“Nuk është më e majta kundër së djathtës, por ata lart kundër atyre poshtë”

Ndryshe nga shumë demokratë të tjerë, Talarico e ka ndërtuar fushatën mbi një mesazh që ndërthur besimin fetar me luftën kundër pabarazisë ekonomike.

“Kur hyra në politikë, mendoja se ishte e majta kundër së djathtës. Por tani e shoh politikën jo si të majtën kundër së djathtës, por si ata lart kundër atyre poshtë”, deklaron ai.

Sipas Talaricos, përçarjet politike dhe kulturore në Amerikë u shërbejnë interesave të shtresave më të pasura.

“Njerëzit në krye kalojnë kaq shumë kohë duke na zemëruar dhe duke na bërë të besojmë se jemi armiq të njëri-tjetrit, sepse bashkimi ynë është kërcënimi më i madh për pasurinë dhe pushtetin e tyre”, shprehet kandidati demokrat.

Në një tjetër deklaratë, ai ka thënë se “e vetmja pakicë që po shkatërron Amerikën janë miliarderët”.

Mesazhi i tij ka tërhequr edhe vëmendjen e podkasterit të njohur amerikan Joe Rogan. Gjatë një interviste, Talarico kritikoi ligjin që kërkon vendosjen e Dhjetë Urdhërimeve në shkollat publike të Teksasit dhe e cilësoi nacionalizmin e krishterë si shtrembërim të besimit.

I impresionuar nga argumentet e tij, Rogan i tha: “Duhet të kandidosh për president”.

Ish-mësuesi që kërkon ndryshimin e sistemit

Përpara se të hynte në politikë, Talarico punoi për dy vjet si mësues në një shkollë të mesme në San Antonio, ku shumica e nxënësve vinin nga familje me të ardhura të ulëta.

Një prej përvojave që e ndikoi më shumë ishte historia e Justinit, një nxënësi 11-vjeçar me probleme të rënda të sjelljes dhe vështirësi familjare. Djali kishte nisur të përmirësohej falë ndihmës së një psikoterapisti në shkollë, por trajtimi u ndërpre pasi specialisti humbi vendin e punës për shkak të shkurtimeve buxhetore.

Talarico e ka përdorur këtë histori për të argumentuar se problemet sociale nuk mund të zgjidhen vetëm me përpjekjet individuale, por kërkojnë ndryshime politike.

Programi i tij mbështetet në tri shtylla kryesore: luftën kundër pabarazisë ekonomike, kufizimin e ndikimit të parave në politikë dhe zgjerimin e aksesit në shëndetësi, strehim, kujdesin për fëmijët dhe arsim.

Ai kërkon gjithashtu ndalimin e tregtimit të aksioneve nga parlamentarët që mund të përfitojnë nga informacionet e brendshme, si dhe kufizimin e manipulimit të kufijve të zonave zgjedhore për përfitime partiake.

Nga bashkëpunimi me republikanët te përplasjet për të drejtat e komunitetit LGBT

Karriera politike e Talaricos nisi në vitin 2019, kur ai u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të Teksasit, në një zonë që kishte votuar për Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Ai fitoi me një diferencë prej vetëm 2 mijë votash dhe gjatë mandatit të parë bashkëpunoi me republikanët për miratimin e disa ligjeve.

Megjithatë, pas ndryshimit të kufijve të zonës së tij elektorale, Talarico u zhvendos drejt qëndrimeve më progresiste, duke mbështetur të drejtat e personave transgjinorë dhe duke kundërshtuar ndikimin e tepruar të fesë në shkollat publike.

Në vitin 2021, gjatë debatit për një ligj që kufizonte pjesëmarrjen e nxënësve transgjinorë në sportet shkollore, ai e përshkroi Zotin si “jo binar”, duke argumentuar se hyjnia i kapërcen kategoritë njerëzore të gjinisë.

Kjo deklaratë është kthyer në një nga argumentet kryesore të sulmeve të republikanëve kundër tij.

Mbi 500 milionë dollarë për garën më të kushtueshme të Senatit

Përballja mes Talaricos dhe Paxtonit është kthyer në garën më të kushtueshme për Senatin në historinë amerikane, me mbi 500 milionë dollarë shpenzime për reklama televizive.

Republikanët kanë investuar shuma të mëdha për të mbështetur Paxtonin dhe për të sulmuar kundërshtarin e tij demokrat.

Sipas Corriere della Sera, miliarderi Elon Musk ka kontribuar me 158 milionë dollarë në fondin republikan Senate Leadership Fund, para që më pas janë transferuar te një komitet i përfshirë në garën e Teksasit.

Edhe komiteti politik MAGA Inc., i lidhur ngushtë me Trumpin, ka shpenzuar 30.4 milionë dollarë, nga të cilat 7.5 milionë në mbështetje të Paxtonit dhe pjesën tjetër për reklama kundër Talaricos.

Paxtoni është një figurë e diskutueshme brenda Partisë Republikane, për shkak të skandaleve gjyqësore, akuzave për korrupsion dhe polemikave që kanë shoqëruar karrierën e tij.

Sulmet personale dhe akuzat e pavërteta

Fushata është shoqëruar edhe me sulme personale ndaj kandidatit demokrat.

Paxtoni e ka paraqitur Talaricon si një radikal të majtë, ndërsa gjatë muajit tetor përhapi pretendimin se kundërshtari i tij ishte shtruar në një spital psikiatrik. Në të vërtetë, Talarico kishte kaluar një grip të rëndë.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është përfshirë në sulmet ndaj tij. Gjatë një tubimi, kur një pjesëmarrës i thirri “Të dua”, Vance iu përgjigj: “Edhe unë, por në mënyrë krejtësisht platonike. Jam zëvendëspresidenti, jo James Talarico”, një koment që u interpretua si aludim për orientimin seksual të kandidatit demokrat.

Talarico, i cili gjatë votimit të parakohshëm u shfaq i shoqëruar nga prindërit dhe e dashura e tij Brianna Menard, ish-drejtoresha e stafit të tij, është përpjekur ta mbajë fushatën të përqendruar te ekonomia dhe problemet e përditshme të qytetarëve.

A mund ta thyejë Talarico dominimin republikan në Teksas?

Për të fituar, demokrati 37-vjeçar duhet të krijojë një koalicion votuesish që shkon përtej bazës tradicionale të partisë së tij.

Ai ka treguar mbështetje mes votuesve latinë dhe të pavarur, por rezultati do të varet edhe nga pjesëmarrja e afroamerikanëve në Dallas dhe nga aftësia për të tërhequr republikanë të pakënaqur me kandidaturën e Paxtonit.

Një prej vullnetarëve të fushatës së tij, Sam Dalton, i tha Corriere della Sera se në familjen e tij ka votues që mbështetën Trumpin me ngurrim dhe që mund të votonin për Talaricon për shkak të kundërshtimit ndaj Paxtonit.

Nëse arrin të fitojë, Talarico jo vetëm do t'i jepte fund një periudhe gati 40-vjeçare pa fitore demokratike për Senatin në Teksas, por mund të shndërrohej edhe në një nga figurat kryesore të Partisë Demokratike në nivel kombëtar, me një kandidaturë të mundshme presidenciale në vitin 2028../CorrieredellaSera