Gjatë gjithë jetës së saj ka ndërtuar suksesin duke parashikuar lëvizjet e kundërshtarëve. Tani një lojë e re mund ta çojë larg tabelës së shahut. Pas nënshkrimit të dorëheqjes së presidentit Tamas Sulyok, kryeministri hungarez Peter Magyar bëri të ditur se do të propozojë Judit Polgar si kandidate për postin më të lartë të shtetit. Një emër i papritur, ai i shahistes më të fortë në historinë e këtij sporti, e zgjedhur për autoritetin e saj ndërkombëtar dhe për faktin se deri tani ka qëndruar larg politikës.
Polgar, për momentin, nuk ka bërë deklarata publike lidhur me këtë propozim. Kryeministri ka njoftuar se synon ta takojë për t'i kërkuar të pranojë kandidaturën, duke e cilësuar si një figurë të aftë të përfaqësojë vendin përtej përkatësive politike. Nëse do ta pranonte, do të ishte një kthesë e papritur për një grua që e ka ndërtuar karrierën jo në korridoret e pushtetit, por mbi 64 katrorët e tabelës së shahut. Ajo do të bëhej gruaja e dytë në historinë e Hungarisë që mban këtë post, pas Katalin Novák, e cila ishte presidente nga viti 2022 deri në vitin 2024.
E lindur në Budapest në vitin 1976, Judit Polgar është në një farë mënyre "produkti" i një prej projekteve më të njohura arsimore të shekullit XX. Babai i saj, Laszlo Polgar, psikolog dhe ekspert i pedagogjisë, ishte i bindur se talenti nuk është vetëm një dhunti e lindur, por mund të zhvillohet përmes një metode rigoroze dhe stërvitjes që në moshë të hershme. Motoja e tij ishte: "Gjenitë krijohen, nuk lindin."
Së bashku me bashkëshorten Klára, ai edukoi tri vajzat e tyre – Susan, Sofia dhe Judit – duke përqendruar një pjesë të madhe të formimit të tyre te shahu. Ajo që nisi si një teori ambicioze familjare u shndërrua në një rast studimi në mbarë botën: tri motra që arritën nivel ndërkombëtar, ndërsa Judit ishte e destinuar të bëhej "mbretëresha e shahut".
Kthesa erdhi shumë herët. Në vitin 1991, vetëm 15 vjeç, Judit Polgar fitoi titullin "Mjeshtre e Madhe Ndërkombëtare", duke u bërë personi më i ri në histori që e arrinte këtë sukses dhe duke thyer rekordin e mëparshëm të Bobby Fischer.
Gjatë karrierës së saj ajo ka mposhtur disa kampionë bote, mes tyre Garry Kasparov, Anatoly Karpov dhe Viswanathan Anand. Në janar të vitit 2004 arriti vendin e tetë në renditjen botërore absolute të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), rezultati më i mirë i arritur ndonjëherë nga një grua. Ky sukses e vendosi përfundimisht në elitën botërore të një sporti që tradicionalisht është dominuar nga burrat.
Stili i saj bazohej te iniciativa, aftësia për të krijuar pozicione të ndërlikuara dhe prirja natyrale për sulm. Ajo nuk ishte një shahiste që priste gabimin e kundërshtarit, por një kampione që kërkonte të impononte ritmin e saj.
Ndeshja ndoshta më simbolike e karrierës së saj erdhi në vitin 2002, kur arriti të mposhtte Garry Kasparov, atëherë numrin një të botës, në një parti shahu të shpejtë gjatë përballjes "Rusia kundër pjesës tjetër të botës" në Moskë.
Kasparov, i cili në një intervistë për revistën Playboy në vitin 1989 kishte deklaruar se shahu nuk ishte i përshtatshëm për gratë dhe se ato do ta kishin të vështirë të përballonin beteja të gjata, tha më vonë për Polgár: "Nëse në shah 'të luash si një grua' do të kishte ndonjë kuptim, atëherë do të thoshte të luash me një agresivitet të pandërprerë."
Pas tërheqjes nga garat në vitin 2014, Polgar e përqendroi pjesën më të madhe të aktivitetit të saj te edukimi dhe promovimi i shahut përmes Fondacionit Judit Polgár, të krijuar në vitin 2012.
Qëllimi i saj është ta promovojë shahun si një mjet edukativ, i aftë të zhvillojë te të rinjtë aftësinë e arsyetimit, kreativitetin, përqendrimin dhe zgjidhjen e problemeve. Përmes "Metodës Judit Polgár", projekti i saj është zbatuar në shkolla dhe programe arsimore në vende të ndryshme, edhe me mbështetjen e FIDE.
E martuar që nga viti 2000 me veterinerin Gusztáv Font dhe nënë e dy fëmijëve, Polgár ka mbajtur gjithmonë një profil publik të rezervuar.
Ndoshta pikërisht kjo figurë e pavarur, e kombinuar me famën e saj ndërkombëtare, shpjegon zgjedhjen e Péter Magyar. Në një Hungari që kërkon një ekuilibër të ri pas vitesh polarizimi të fortë politik, kampionia mund të përfaqësojë një figurë ndryshe, të lidhur me meritën, kompetencën dhe vlerësimin ndërkombëtar.
Tani Judit Polgar gjendet përballë një loje krejtësisht tjetër. Lëvizja e radhës, këtë herë, nuk do të varet vetëm nga aftësia e saj për të llogaritur lëvizjet e kundërshtarit. Vendimi përfundimtar do të jetë më pas në duart e Parlamentit./CorrieredellaSera
Komente







Polgar ne tabelen e saj te shahut muzikor, ka 64 kutia me 32 ushtare qe perballen me njeri - tjetrin. Polgar i urren ushtaret e saj te cilet ndahen ne armiqte e saj-16 dhe 16 shkelqimi i tyre ne karrigen e shokut Zylo. Post Scriptum : Gjeniu dhe talenti lind, nuk stervitet ose krijohet nga psikologet e trajtimit te personalitetit te fragmentuar. Jung per EGO- ka nhe studim shume te gjate, le te mos e ndryshojme dhe ta atrofizojme... Hungaria mund te shfrytezoje liqenet dhe pishinat me klor, nese Deti i mungon...Mund ta alternojme Teorine e Jung??!
Përgjigju