Presidenti i Hungarisë ka nënshkruar të shtunën një amendament kushtetues që i jep fund mandatit të tij në detyrë, duke mbyllur përplasjen mes tij dhe qeverisë së re të Péter Magyar.

Kryeministri hungarez Péter Magyar, i cili mposhti në zgjedhjet e prillit me një rezultat dërrmues Victor Orbán, që kishte qenë prej kohësh në pushtet, i kishte kërkuar vazhdimisht presidentit Tamás Sulyok, të jepte dorëheqjen. Ai argumentonte se Sulyok nuk kishte përmbushur rolin e tij si president, pasi kishte dështuar të pengonte hapat antidemokratikë të qeverisë së Orbánit.

Kur Sulyok refuzoi, ligjvënësit e partisë pro-evropiane të qendrës së djathtë të Magyarit, Tisza, miratuan këtë javë një amendament kushtetues që kërkonte përfundimin e menjëhershëm të mandatit të tij. Sulyok kishte pesë ditë për ta nënshkruar amendamentin, gjë që e bëri në ditën e fundit para skadimit të afatit.

Në një video të publikuar në Facebook të shtunën në mbrëmje, Sulyok, të cilin Magyar e ka quajtur shpesh “kukullën” e Orbánit, tha se detyrimi për të nënshkruar amendamentin ishte “një dëshmi e qëndrueshme se vlerat themelore të një shoqërie të lirë, sundimi i ligjit, demokracia dhe parimi i ndarjes së pushteteve janë shkelur në interes të pushtetit.”

Mandati i Sulyokut do të përfundojë zyrtarisht në mesnatën e së hënës, kur kryetarja e Parlamentit, Ágnes Forsthoffer, do të marrë automatikisht përsipër detyrat e tij deri në momentin kur ligjvënësit të zgjedhin një president të ri, një proces që ka një afat prej 30 ditësh.

Që prej marrjes së detyrës në maj, administrata e Magyarit ka nisur me shpejtësi të çmontojë atë që ai e quan “mafia” e Orbánit, duke larguar shumë të emëruar politikë dhe drejtues institucionesh që konsiderohen se kanë ndihmuar në funksionimin e qeverisë autokratike të Orbánit.

Qeveria e re pezulloi shërbimin informativ të televizionit dhe radios publike të Hungarisë, për të cilin Magyar ka argumentuar se ka shërbyer si një “fabrikë propagande” për partinë e Orbánit dhe mbylli Zyrën e Mbrojtjes së Sovranitetit të Hungarisë, një autoritet që kundërshtarët e Orbánit e shohin si një mjet për frikësimin e kritikëve dhe heshtjen e mediave të pavarura.

Amendamenti që largoi Sulyokun gjithashtu parashikon disa reforma në drejtësi, krijon një zyrë të posaçme për hetimin e abuzimeve financiare gjatë qeverisë së Orbánit dhe vendos një kufizim 12-vjeçar të mandatit për ligjvënësit.

Në një postim në Facebook të shtunën, Orbáni reagoi ndaj nënshkrimit të amendamentit nga Sulyoku duke shkruar se “tirania nuk është më një kërcënim, por një realitet”.

“Nëse kjo mund t’i bëhet presidentit të republikës, atëherë nesër askush nuk do të jetë i sigurt”, shkroi Orbáni.

Por në një deklaratë me video të publikuar në Facebook të shtunën, Magyar tha se, duke miratuar amendamentin, “ne kemi përmbushur disa nga angazhimet tona të rëndësishme dhe kemi rikthyer atë që regjimi i Orbánit është përpjekur t’ua marrë popullit hungarez për shumë vite”.

Ai shtoi se të hënën do të mbledhë partinë e tij për të diskutuar kandidaturën e saj për presidentin e ardhshëm.