Kush është Mihailo Podoliak, strategu kryesor i Ukrainës në luftën kundër Rusisë

Kush është Mihailo Podoliak, strategu kryesor i Ukrainës në luftën kundër Rusisë

Mihailo Podoliak

Gazetar, komunikues, këshilltar politik, së fundmi edhe drejtor i marrëdhënieve midis presidencës ukrainase dhe shërbimeve sekrete. Mihailo Podoliak është një nga figurat më komplekse që qëndron në krah të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski. I lindur në Lviv në vitin 1972,  Podoliak u arsimua midis Ukrainës dhe Bjellorusisë. Ai u zhvendos në kryeqytetin bjellorus Minsk në vitin  1989 ku studioi për mjekësi. Që në moshë të re iu përkushtua gazetarisë politike në vendin e sunduar nga autokrati Aleksandër Llukashenko.

Ai iu bashkua gazetarëve të opozitës, duke u bërë një pikë referimi për një seri organizatash të shoqërisë cive. Gjatë viteve 1991-1992, Podoliak punoi në gazetat bjelloruse “FM-Bulevard”, “Vremya”, “Narodnaya Volya” dhe “Belorusskaya Delovaya Gazeta”. Në vitin 2002, Podoliak dhe gazeta bjelloruse “Nasha Svoboda” u paditën në gjykatë nga Anatoli Tozik, kreu i Komitetit Shtetëror të Kontrollit të Bjellorusisë, të cilit nuk i pëlqeu fakti që gazetari e portretizoi atë si një planifikues, si ata në kohën e komunizmit dhe si një shantazhues. Gjykata e detyroi gazetarin të paguante një gjobë prej 2700 dollarësh.

Gazeta e tij pagoi një dëmshpërblim prej 54.000 dollarësh, dhe u detyrua të mbyllej. Gazetari investigativ, Pavel Zhuk, tha në atë kohë se dyshonte se padia që synonte mbylljen e gazetës ishte urdhëruar personalisht nga presidenti Llukashenko. Por Podoliak nuk e ndërpreu punën në atë sektor, dhe në vitin 2004 u emërua zv/kryeredaktor në gazetën “Vremya”, që u bë gazeta e re mbështetëse e opozitës.

Në mëngjesin e 21 qershorit 2004, oficerët e KGB-së bjelloruse trokitën në derën e  shtëpisë së tij, e urdhëruan të paketonte me shpejtësi rrobat dhe e shoqëruan në stacionin hekurudhor të Minskut. Nga atje, gazetari u detyrua të merrte trenin e parë për në Odessa, duke u rikthyer me forcë në Ukrainë.

Podoliak tha se ai dëbim erdhi pas artikujve të tij shumë kritikë ndaj qeverisë dhe KGB-ja e akuzoi atë për tendenciozitet, shpifje dhe destabilizimin e situatës në vend. Po ashtu atij iu hoq për 5 vite e drejta për të hyrë në Bjellorusi. Në vitin 2005, Podoliak u emërua  kryeredaktor i një gazete në Kiev, “Ukrainska Gazeta”.

Nëntë muaj pas helmimit të kandidatit presidencial Viktor Jushçenko, gazeta botoi një artikull me titull “Darka e Fundit”. Për helmimin u akuzuan njerëzit e afërt të Jushçenkos, David Zhvania dhe Jevhen Çervonenko. Podoliak u thirr për t’u marrë në pyetje nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe disa ekspertë të medias thanë se botimi nuk përmbushte standardet gazetareske.

Paralelisht, gazetari punoi si një profesionist i pavarur dhe ekspert i marrëdhënieve me publikun. Më pas Podoliak bashkëpunoi me gazeta të ndryshme si reporter politik dhe i brendshëm për çështje të tilla si inteligjenca dhe siguria kombëtare.

Gazeta ukrainase “Babel” shkruan se një nga miqtë e Podoliak në vitet 2000 ishte këshilltari i atëhershëm i kreut të SBU, kundërzbulimit ukrainas, Vadim Hrib. Në mediat ukrainase kanë qarkulluan zëra se Podoliak bashkëpunoi me Hrib si specialist i marrëdhënieve me publikun.

Por Babel, pretendon se bëhej fjalë më shumë për një punë agjenturore, të nisur që në vitin 2005.

Më vonë Podoliak u bë kryeredaktor i faqes së internetit “Obozrevatel”, të cilën ai e drejtoi që nga dhjetori 2011. Gjashtë muaj më vonë u bë këshilltar i një bashkëpunëtori të ngushtë të ish-presidentit Viktor Janukoviç, që më pas u kthye në pushtet si një udhëheqës i hapur pro-rus.

Politikani në fjalë ishte deputeti i Partisë së Rajoneve Juri Ivanjushçenko. Pas Revolucionit Euromaidan të vitit 2014, Podoliak, që u largua nga “Obozrevatel” në fundin e 2013, ndryshoi qasje dhe në vitin 2015 u ofrua të bashkëpunonte me kreun e administratës presidenciale të Petro Poroçenkos, Boris Lozhkin.

Më vonë vazhdoi të punojë si këhsilltar për disa politikanë në fushatat elektorale lokale dhe kombëtare, përpara se të përfundonte në rrugëtimin e tij me yllin në rritje në politikën ukrainase, Volodimir Zelenski. Podoliak nuk e ka fshehur kurrë kuriozitetin e tij për ngritjen politike të ish-komedianit.

Por në fillim ai ishte shumë spektik ndaj partisë së tij, Shërbëtori i Popullit, që e mori emrin e saj nga seriali televiziv që e bëri Zelenskin të famshëm në mbarë vendin. Në fillim të vitit 2019, në mesin e fushatës presidenciale, në blogjet dhe postimet e tij në Facebook, ai shkruante se “Shërbëtori i Popullit” rezultoi të ishte një tjetër grumbullim cinikësh mendjengushtë dhe arrogantë”.

Por pas fitores së tij, Zelenski e ftoi Podoliak të bëhej pjesë e stafit të tij. Në shkurtin e vitit 2020 ai u emërua shef i kabinetit të presidentit. Dy muaj më vonë, Podoliak u emërua në bordin e drejtorëve. Në këtë funksion ai vuri në zbatim njohuritë dhe aftësitë e tij duke i dhënë mundësi kreut të ri të shtetit të gjente konsensusin me organet e sigurisë.

Këto aftësi i erdhën në ndihmë Zelenskit sidomos pas 24 shkurtit, ditës së pushtimit të Ukrainës nga Moska, kur ai u shndërrua në “zërin” kryesor të presidencës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër drejtues i luftës asimetrike të kryer nga agjentët ukrainas të shërbimeve sekrete, në mënyrë të pavarur nga inteligjenca perëndimore.

Gjatë luftës, Podoliak ka qenë një nga zërat kryesorë të Kievit në negociatat e shkurtra për paqe që u zhvilluan pa asnjë sukses me rusët. Ai dilte shpesh në media për t’i treguar botës momentet e rezistencës së fortë të Kievit; dhe punoi në prapaskenë për të organizuar  operacionet e fshehta që e tronditën Rusinë, ku më i fundit ishte sulmi në Urën e Kerçit në fillim të tetorit.

Në një intervistë të gjatë dhënë më 16 gusht për britaniken “The Guardian”, Podoliak tha se synimi aktual i ukrainasve është “të shkaktojnë kaos midis forcave ruse”, duke goditur linjat e furnizimit dhe bazat ruse në Krime.

Sipas tij, nuk ka asnjë perspektivë që Rusia të negociojë seriozisht derisa të pësojë një disfatë në fushën e betejës. Kur më 24 gusht, Llukashenko e uroi në një mënyrë provokative Ukrainën për 31-vjetorin e pavarësisë, Podoliak e nxiti Zelenskin ta refuzonte deklaratën, dhe e quajti mesazhin e presidentit bjellorus si “cinik dhe të pasinqertë, duke pasur parasysh përfshirjen e madhe të Bjellorusisë në sulmin rus ndaj Ukrainë”. / “Il Giornale” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë

Revoltë në burgun italian, të dënuar të armatosur plagosin dy policë