Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden po refuzon thirrjet e disa zyrtarëve të rëndësishëm të partisë së tij për të hequr dorë nga gara. Thirrjet filluan pas debatit të parë me kandidatin e pritshëm republikan Donald Trump muajin e kaluar, ku ai pati një paraqitje të dobët.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns njofton mbi kandidatët e mundshëm që mund të zëvëndësojnë zotin Biden nëse ai vendos të tërhiqet nga gara për një mandat të dytë.
Presidenti Joe Biden është i sigurt se do të fitojë.
“Unë mendoj se jam personi më i kualifikuar për të kandiduar për president”, tha zoti Biden.
Pas vështirësive në debat në fund të muajit të kaluar, disa zyrtarë të partisë po i bëjnë thirrje të tërhiqet nga gara zgjedhore.
Por pas muajsh zgjedhjesh brenda partisë, demokratët nuk mund ta detyrojnë atë të largohet, thotë drejtori i Qendrës për Politikë të Universitetit të Virxhinias, Larry Sabato.
“Ka vetëm një mënyrë që një kandidat të largohet. I emëruari duhet të vendosë vetë të mos kandidojë përpara konventës. Ai duhet të krijojë mundësinë që Komiteti Kombëtar Demokratik të vendosë gjatë kuvendit”, thotë zoti Sabato.
Nëse zoti Biden tërhiqet, nënpresidentja Kamala Harris kryeson listën e demokratëve për ta zëvendësuar atë.
Zonja Harris tregoi besnikërinë e saj duke i ofruar përkrahje Presidentit.
“Të mos harrojmë që vetëm njëri prej kandidatëve e ka përkrahjen e nënpresidentes së tij dhe ai është Joe Biden”, tha zonja Harris duke theksuar vendimin e ish nënpresidentit Mike Pence që të mos e përkrahë kandidaturën e zotit Trump.
Megjithatë kandidatura e zonjës Harris mund të ndihmojë me votuesit e pavarur, thotë profesori i shkencave politike të Universitetit të Kalifornisë Jugore, Christian Grose.
“Po të shohësh sondazhet, ajo që tregon se zonja Harris mund të ketë shanse më të mira se zoti Biden është fakti se ka më shumë të pavarur që janë të pavendosur për të për momentin. Ajo mund t'i bindë ata, ndërsa zoti Biden mund të mos t’i bëjë dot për vete”, thotë zoti Grose.
Në listën jozyrtare të njerëzve që mund të zëvendësojnë zotin Biden është edhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Ai thotë se mbështet zotin Biden ndërsa mori pjesë në tubimin zgjedhor të Presidentit në Miçigan javën e kaluar.
“Rezultatet janë ato që kanë rëndësi dhe ai i ka siguruar ato. Ne nuk na duhet një aktor, na duhet një komandant të përgjithshëm”, thotë zoti Newsom.
Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, gjithashtu përmendet si zëvendësuese e mundshme e zotit Bidenit. Ajo gjithashtu thotë se mbështet presidentin.
Zonja Whitmer u rizgjodh në një shtet të rëndësishëm për zgjedhjet. Ajo vazhdon të ketë popullaritet për shkak të përkrahjes për sindikatat dhe përpjekjet për të luftuar dhunën nga armët e zjarrit.
“Javë pas jave në Amerikë, po shohim lajme të zymta për shkak të dhunës me armë që ka shkaktuar dhimbje të jashtëzakonshme kudo në vend”, tha zonja Whitmer.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, është më pak i njohur në nivel kombëtar, por ai është një politikan popullor në një rajon jugor të mbizotëruar nga politika republikane.
J. B. Pritzker, guvernatori i Ilinoisit ku mbahet kuvendi i demokratëve të këtij viti, ka pasuri të madhe dhe do të kishte mundësi të vetëfinanconte pjesën më të madhe të asaj që do të ishte një garë presidenciale e minutës së fundit.
Në listë është edhe ish-zonja e parë Michelle Obama, e cila ka refuzuar vazhdimisht mundësinë për të kandiduar. Ajo megjithatë mbetët e preferuar për shumë votues. Sondazhi i Reuters-Ipsos-it javën e kaluar tregoi se ndërsa kandidatët Biden dhe Trump ishin në një barazim, Michelle Obama është dhjet më lart se zoti Trump. Analisti Larry Sabato thotë se nuk ka mundësi që ajo të kandidojë.
“Ajo është shumë e zgjuar që pas tetë vitesh në Shtëpinë e Bardhë të dëshirojë të kthehet, aq më pak të bëhet presidente. Ne mund të spekulojmë për emra, por ajo që ka rëndësi është se kush ka ambicie të mëdha ose aftësinë për të mbledhur para dhe mundësinë për të siguruar një shumicë në konventë”, thotë zoti Sabato.
Nëse zoti Biden qëndron në garë, spekulimet për emra të tjerë mund të vazhdojnë deri në kuvendin e Partisë Demokrate që mbahet në gusht në Çikago./ VOA