Kush po e akuzon Fishtën e Kadarenë për racizëm ndaj serbëve

Kush po e akuzon Fishtën e Kadarenë për racizëm ndaj serbëve

Gjergj Fishta dhe Ismail Kadare

TIRANE- Lexova me dëshirë e vëmendje artikullin “Përse Ismail Kadare nuk vlen të fitojë asnjëherë çmimin Nobel për letërsinë”, por më ngjalli një shije të hidhur, një mbresë të pakëndshme, një ide negative, prandaj u ula të paraqes mendimin tim modest. 

Në artikull shkruhet me gjuhë emocionale negative, pa iu dridhur stilografi në duar: “Mendoj se Kadare ka rënë në kurthin  e ideve raciste njëlloj si Gjergj Fishta personalitet i famshëm katolik shqiptar… në Kongresin e Manastirit në të cilin  ishte dhe drejtuesi kryesor i Kongresit”. Shkruhej vetëm për Fishtën, i cili karakterizohej si racist e nacionalist. Meqë fjala ka edhe  kuptime e përdorime të ndryshme, këtu po përpiqemi të interpretojmë mendimin e autorit, megjithëse një ndjenjë latente që fryn në artikull, lehtëson kuptimin. Por nuk mund të kuptojmë si mund t’i thuhet një meshtari katolik racist, kur vetë Zoti, të cilit i shërben me përkushtim, nuk njeh e nuk pranon kurrë një dallim racor.

Fishta racist, pra, Fishta që frymëzon, ndezë e ushqen flakët e përbuzjes, urrejtjes, e luftës midis  kombit shqiptar e kombit sllav. Fishta ka shkruar edhe vargjet:

“Zoti n’qiell e na mbi tokë,/ me gjithkënd vëllazën e shokë/ por secili n’cak të vet”.

Asnjë element në Shqipëri nuk e njeh më mirë dhunën sllave, më fort se  françeskanët shqiptarë, të cilët kanë jetuar nder malësorë, kanë provuar përndjekjen sllave, madje edhe kanë luftuar me ta, si në kryengritjen e Dedë Gjo Lulit; kanë dhanë jetën, si Gjeçovi, Pader Luigj Paliq, kolegë e bashkëvëllaznit e Fishtës.

(Ata kurrë mos u harrofshin/ n’kangë e n’valle por u këndofshin).

Famullitarët e fshatrave kufitare kanë qenë të porositur prej Kryeipeshkvit, Serreqit, Imzot Doçit, Provincialit edhe të raportuar edhe “me shkrue për  dhunën sllave”. (Më gjatë, shih veprën time “Kur e vërteta flet ndryshe”).

Çohet një shtet e përgatit një ushtri, i pajisur me armatimet e kohës, me komandantë shqiptarë, e pa pritur e pa kujtuar, natën, hynë fshehtas në malësitë tona të befasueme e të trondituna, ku grabisin e plaçkisin, keqtrajtojnë e përdhunojnë, djegun e pjekun, sidomos pleq e therin me bajonetë deri fëmijë në bark të nanës. Del një meshtar e shkruen plot zjarr për të ndezë ndërgjegjen patriotike e për ta mbajtun të ndezun atë, ban thirrje me u ngritë në kryengritje kundër anmikut shekullor e quhet racist, nacionalist i egër, pra,  që ndezë përçmim ndaj anmiqve, si përkrahës racor, ndonëse poeti meshtar shkruen:

“E n’kjoftë se lypet prej Hyjnueshmes Mëri/flije të bahet ndoj shqyptar m’therore/, qe mue tek m’keni/, merrni e m’bani fli/ per Shqyptari, me shue çdo m’ni mizore”.

Ndërsa një studiues shkruen:  “… Po të krahasojmë veprat e Gjergj  Fishtës me veprat e Ismail  Kadaresë kanë një karakteristikë të përbashkët nacionalizmin ndaj fqinjëve (ndonëse një racizëm i justifikuem).”

Por racizmi nuk justifikohet edhe sikur t’i përgjigjemi me të njajtën gjuhë. Racizmi mbetet racizëm! Edhe nacionalizmi (me kuptimin e keq të fjalës) mbetet nacionalizëm. Kështu, autori na paraqet Fishtën racist e nacionalist të verbër.

Një lapsus: Autori shkruan, se Fishta ka qenë kryetar i Kongresit të Manastirit, në fakt kryetar ka qenë Mithat Frashëri. E rregullon frazën ma poshtë, kur shkruan se ka qenë kryetar i Komisionit për alfabetin… “ që miratoi alfabetin” duhet që ka miratuar dy alfabete, se u miratuan dy alfabete, i Stambollit dhe alfabetin latin.

Po zgjatem: Akademikut, sidomos, nuk i ka hije të shkruaj me dy standarde, njëri në kohën e diktaturës e tjetri në tranzicion. Një herë fyen klerin katolik, herën tjetër  heq fyerjet pa i kundërshtuar, madje duke mos e përmendur meritën e dokumentueme. Mendoj se duhet studiuar me objektivitet veprimtaria e Kongresit të Manastirit. 

Lidhur me pjesëmarrjen e Fishtës në Dërgatën tonë për në Konferencën e Paqës, autori shkruan: “Është përkthyes i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pastaj sekretar i Delegacionit”.

Saktësojmë: Fishta (as Gurakuqi) nuk kanë qenë zgjedhur, caktuar a emëruar nga qeveria e Durrësit në delegacionin shqiptar as si anëtar, as si sekretar, as si ekspert. Edhe ma vonë, kur Kongres i Lushnjës ndryshoi përbërjen e delegacionit shqiptar  në Konferencën e Paqes, nuk e caktoi Fishtën, madje ka pasur ndonjë protestë për Fishtën (e Gurakuqin) si personalitete të pacaktuar për përfaqësimin në Paris.  Lexoni “Lufta e popullit shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920 v.II, f.41:” Zz Gurakuqi e Pater Fishta nuk i ka pasë emnue Kongresi i Durrësit më 1918… të çemnohen e të zëvendësohen”. .. Në Dërgatë ishin misët e Dërgatës e misët e qeverisë. .. Në të vërtetë, Fishta mori pjesë në Dërgatë dhe dha ndihmesë shumë të çmueshme. Imzot Bumçi, tue ndjekë zakonin e shoqnimit hierarkik, mori Fishtën me vete si sekretar personal, të cilin ma vonë në marrëveshje me qeverinë, e inkuadroi në punimet e Konferencës. Sidomos, kur Bumçi u ba kryetar, Fishta ka qenë me atributet sekretar e  mandej ekspert. Në fakt, punën si sekretar e me shtypin e bënte Gurakuqi (Ndonjëherë edhe Mustafa Kruja, i cili rrinte ma shumë në Shqipni). Më gjatë, lexo veprën time “ Nëpër  gjurmët e Fishtës” f. 67-77).

Një moment biografik i eksplorueshëm për Fishtën asht se ku gjendej Fishta natën e 24 qershorit, kur Zogu u kthye në pushtet:  a u fsheh, a iku, a u pajtue? Autori mbështetë pohimin se Fishta “ u vetarratis”. Ndërkohë, Papa drejtonte punët për  paraqitjen e një ekspozite botërore për françeskanët. Për përgatitjen e pavijonit shqiptar qenë caktua P. Pal Dodaj, Fishta e P. Darragjati. Puna u pëlqye e Papa u dha dekoratën  “Medaglia  al  Merito”.

Pra, Fishta jetonte në Romë. Dhe i vë vulën një letër e Fishtës (botuar nga Prof. Petrit Kotri, 1997)  ku Fishta i shkruante Joklit: “… tuj u gjetë un në Romë- ku kam ndejë prej 1 nanduer 1924 der më 11 maj 1926.”  

Kështu, Fishta mbetet: Poeti kombëtar e Nderi i Kombit; patriot i flaktë e eksponent shoqnor; lëvrues i gjuhës shqipe e frymëzuesi i idealeve  “Fe e Atdhe”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ironike: 28/10/2019 13:19

    eshte e vertete, tpakten bazuar n`shkrimet e At Fishtes, qe sllavet ishin dhe do jen armiqt me te medhej te shqiptareve qofshin katolik/mysliman dhe barbarizmat me te medha te njohura ne histrori ndaj shqipetareve, jan bere nga sllavet! ironia: i katolike shqiptare nga Malesia e Madhe me par martohet me Slavomirin sesa me nje mysliman shqiptar!

    Përgjigju
  • Veli Stafa: 28/10/2019 08:36

    P.Gjergj Fishta Poeti Kombtar i shqiptareve nuk duhet gjykuar kurrsesi.Ai eshte Perendija jone,Altari i Kombit,Gjenialiteti qe di te linde e te rrite vetem Toka Arbenore.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Durrës! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Durrës! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë