Sali Berisha u shfaq duke gënjyer nga selia e Partisë Demokratike mbi bojkotin ndaj protestës së veteranëve të UÇK-së më 17 tetor në Tiranë. Report Tv e pyeti Berishën për pjesëmarrjen e deputetit Bujar Leskaj në protestë, i cili jo vetëm që theu vendimin e PD-së, por madje u shfaq duke thënë për gazetarët se “kush e rr*an për urdhra”.
Por, Berisha iu shmang përgjigjes dhe për t’i shpëtuar pyetjes ai bëri një hap pas dhe gënjeu publikisht kur tha se PD nuk ka pas asnjë urdhër që ndalonte pjesëmarrjen e deputetëve në protestën ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Madje Berisha, hodhi akuza edhe për trillime dhe shpifje.
“Është trillim dhe shpifje ajo që thonë se ka pasur urdhër. Nuk ka pasur asnjë urdhër për të marrë apo për të mos marrë pjesë në protestën e UÇK-së. Duke mbështetur plotësisht kauzën e drejtë, luftën e drejtë të luftëtarëve dhe udhëheqësve të UCK, unë kam shprehur të gjitha konsideratat. Dënoj manipulimin e tmerrshëm me këtë kauzë të Ramës dhe kujtdo tjetër. Të hedhësh poshtë rezolutën për gjenocidin serb...”, tha Berisha.
Por, duket se kreu i PD paska ‘harruar’ deklaratën e tij të bërë vetëm një ditë para protestës, më 16 tetor. I pyetur nga gazetarët jashtë Kuvendit, Berisha pati deklaruar me zë dhe figurë se PD ka vendosur të mos marrë pjesë në protestë pasi nuk duan që të jenë krah Ramës (edhe pse në fakt kryeministri nuk ishte). Berisha shpejgoi se ky është një vendim politik, ndryshe nga sa pretendoi sot se nuk kishte urdhër.
“Vendimi për të mos marrë pjesë në protestë është një vendim politik i Partisë Demokratike. Ky është vendim politik i PD", pati deklaruar Berisha.
Prania deputetit demokrat në protestë, duket se ka detyruar Berishën që të bëjë një hap pas dhe të mohojë vendimin politik.












