Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur shqetësimin për vonesat e gjata në proceset e legalizimit dhe regjistrimit të pronave, duke deklaruar se ka qytetarë që presin prej 20 deri në 30 vitesh për të marrë dokumentet e pronësisë.
Gjatë një diskutimi në Kuvend, Braçe tha se këtë javë ka thirrur në interpelancë zëvendëskryeministren për të kërkuar shpjegime mbi rastet e banesave që kanë qenë për dekada në proces legalizimi.
“Unë kam thirrur këtë javë zëvendëskryeministren në interpelancë në Parlament. Ka një nen të posaçëm në Kodin Civil, që është e drejta e parashkrimit. Për një ndërtim të bërë në një pronë të caktuar e që duhej të ishte legalizuar në harkun e 20 viteve. Ka një afat në Kodin Civil që ajo pronë duhej të regjistrohet në emrin e pronarit. Dua që të verifikoni përse këto prona nuk regjistrohen në emër të përfituesit. Janë banesa që kanë qenë në proces legalizimi për 20 vjet dhe tashmë e kanë fituar të drejtën përmes Kodit Civil dhe jo Kadastrës”, deklaroi Braçe.
Më pas, në një reagim në rrjetet sociale, deputeti socialist u ndal veçanërisht te situata në zonën e Selitës në Tiranë, duke argumentuar se koha për legalizimin dhe regjistrimin e banesave të ndërtuara dekada më parë ka përfunduar.
“Koha për legalizimin e certifikimin, regjistrimin si pronë të shtëpive ndërtuar 20-30 vite më parë, ka mbaruar. E ka mbyllur Kodi Civil. E gjithë Selita është kështu. Si Selita edhe territore të tëra të tjera në Tiranë. Banesat janë të njerëzve, pronë e tyre. Kush refuzon edhe Kodin Civil, të lëshojë detyrën që s’e bën, vulën që e keqpërdor, firmën që e vë në radhë”, shkroi ai.
Braçe hodhi akuza edhe ndaj Kadastrës për mosrespektim të afateve ligjore, duke pretenduar se qytetarët mbeten pa përgjigje për vite me radhë.
“Në Kadastër afatet ligjore me ditë, thyhen me muaj, vite dhe përgjigje për njerëzit nuk ka. Është kështu prej vitesh, është e qëllimshme dhe shkelje e qartë ligjore. Unë kam takuar e njoh tashmë njerëz në Selitë që kanë 30 vite pa përgjigje, pa legalizim, pa certifikim të shtëpive të tyre dhe ende nuk dinë se kur duhet të marrin përgjigjen që e presin prej vitesh e vitesh”, u shpreh ai.
Deputeti socialist bëri të ditur se i ka kërkuar edhe Kontrollit të Lartë të Shtetit të verifikojë zbatimin e afateve ligjore për legalizimet, certifikimet dhe shërbimet e tjera të pronësisë.
“I kërkova edhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit të kontrollojë pikërisht zbatimin e afateve si detyrim ligjor për legalizim, certifikim prone, pastaj transaksione e vërtetime pronësie, rifreskime etj. Çdo vonesë krijon radhë e radhë ushqen korrupsionin”, deklaroi Braçe.
Komente








