Tre autorët e vrasjes së dy të rinjve në Laç mbrëmjen e djeshme në Laç janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Ata janë dy vëllezërit Markel Bushi 25 vjeç  me vëllanë e tij, Manuel Bushi 23 vjeç (shkaku i sherrit) dhe Vincesk Bushi 28 vjeç, me precedent penal. Shqiptarja.com zbardh dinamikën e konfliktit dhe vrasjes së dy të rinjve Erion Jushi 36 vjeç dhe Kelvin Jushi 30 vjeç. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 20:15 në lagjen nr. 1 në qytetin e Laçit.

Sipas policisë konflikti ka qenë i çastit, por Shqiptarja.com mëson se shkak ka qenë vëllai i vogël i Markel Bushit, Manueli i cili pas grindjes me dy kushërinjtë ka marrë në telefon vëllanë e madh dhe kushëririn e tij Vinceskun. Pas sherrit të nisur brenda në lokal, dy palët më pas kanë dalë jashtë për t'u sqaruar, konflikti ka agravuar dhe duke parë që autorët kishin armë me vete, dy kushërinjtë janë larguar me vrap. Por, autorët i kanë ndjekur për rreth 100 metra Kelvin dhe Erion Jushin dhe i kanë qëlluar disa herë me pistoletë.

Njëri nga dy kushërinjtë është qëlluar në hyrjen e një pallati në tentativë për të ikur, ndërsa tjetri në rrugë. Plumbat i kanë kapur disa herë ne trup kushërinjtë. Ata u dërguan në gjendje të rëndë për jetën në një spital privat në Tiranë për ndihmë të specializuar por kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve që morën.

Po sipas dëshmitarëve, policia ka shkuar 20 minua me vonesë në vendin e ngjarjes, edhe pse komisariati me lokalin ndodheshin shumë pranë. Pas identifikimit nga kamerat dhe dëshmia e 23 personave që u shoqëruan, policia po punon për arrestimin e tre autorëve; Markel Bushit me të vëllanë Manuelit dhe kushëririt të tyre Vinçesk Palit (Bushi).

Viktimat Kelvin dhe Erion Jushi


Shqiptarja.com zbardhi edhe të kaluarën kriminale të Markel dhe Vincesk Bushit. Ndërkohë që Kelvin Jani kishte një lokal në qytetin e Laçit. Ai bashkë me kushëririn e tij, djalin e xhaxhait, njiheshin si njerëz të qetë, ndërsa lokali ku nisi debati frekuentohej nga persona me precedent.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:11
Futbollisti që u vra mbrëmë në Laç, mik i Bes Kallakut


Kelvin Jushi që u vra mbrëmë në Laç ishte një person i njohur, pasi kishte një lokal në qendër të Laçit dhe kishte qenë futbollist i disa ekipeve. Gjithashtu  Kelvin Jushi kishte miqësi edhe me aktorin e njohur të humorit, Bes Kallaku, pasi edhe ky i fundit ka luajtur me Mamurrasin. Jushi ka qenë i ftuar nga Besi në dasmën e tij në 2017. Shqiptarja.com sjell foton e Kelvinit në dasmën e Bes Kallakut.

Kelvin Jushi dhe komentet ne rrjetet sociale me Bes Kallakun
Ora 10:56
Ekzekutimet në Laç, njëri nga dy viktimat futbollist dhe pronar lokali (FOTO-Detajet)

Njëri nga dy personat që u vra mbrëmë në Laç ka qenë futbollist. Kelvin Jushi 30-vjeç ka qenë pjesë e ekipeve të Laçit, Kastriotit dhe Mamurrasit gjatë periudhës 2009-2014. Ai u qëllua me armë zjarri pas sherrit me vëllezërit Bushi dhe kushëririn e tyre. Pavarësisht transportimit me shpejtësi për në spital në Tiranë, ai nuk mundi që të mbijetonte duke ndërruar jetë.  30-vjeçari ishte pronari i një lokali në qendër të qytetit të Laçit.

Ora 10:11
Vrasja e dyfishtë në Laç, policia: Janë tre autorë, mes tyre dy vëllezër, konflikt i çastit

Policia njofton se në kërkim për vrasjen e mbrëmshme në Laç janë tre persona, Markel Bushi 25 vjeç  me vëllanë e tij, Manuel Bushi 23 vjeç dhe Vincesk Bushi 28 vjeç, që është kushëriri i tyre i parë. Ndërkohë që janë shoqëruar 23 persona. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit.

Njoftimi i plotë i policisë
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të vrasjes së dy shtetasve, ndodhur  mbrëmjen e djeshme. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 Laç, Kurbin, ku pas një konflikti për motive të dobëta u plagosën me armë zjarri dy shtetas  të cilët më pas gjetën vdekjen në një nga spitalet private në Tiranë, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor Kurbin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Menjëherë sa është marrë njoftimi, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë së Kurbinit si dhe grupi hetimor. Në vijim janë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët që lidhen me qytetin e Laçit si dhe disa pika kontrolli në akset kryesore rrugore, Milot -Lezhë, Milot -Kurbin -Tiranë.

Me mbështetjen e FNSH, janë kryer një sërë kontrollesh në banesa e vende të dyshimta ku mund të ishin fshehur autorët, si dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, 23 persona  të cilët u pyetën në lidhje me ngjarjen.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, rezultoi se  ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, dhe se autorët e dyshuar të vrasjes janë shtetasit: M. B., 25 vjeç, M. B., 23 vjeç dhe V. B., 28 vjeç, të tre lindur e banues në Kurbin.

Policia e Kurbinit vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e autorëve të dyshuar. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin, për veprime te mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera të cilësuara, në bashkëpunim" dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.

Ora 09:57
'Ka sjellje të mirë'/ Ja si u lirua nga burgu njëri nga autorët e vrasjeve në Laç

1556524736_1556512761lac.jpg
Shqiptarja.com zbardh edhe të kaluarën e personit tjetër që është në kërkim për vrasjen mbrëmjen e djeshme në Laç, Vinçesk Palit (Bushi). Ai ka qenë i arrestuar dhe dënuar në 2017 për armëmbajtje pa leje, ndërsa është liruar nga drejtësia me shërbim prove. Fillimisht ai u dënua me 6 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul masa në 1/3 dhe 2 vitet që i mbetën iu lanë në shërbim prove. Bashkia Kurbin dërgoi në gjykatë një letër me arsyetimin se Pali ka sjellje të mirë në komunitet.

Ora 09:16
Autori i vrasjes në Laç në kërkim për grabitje, u arratis nga burgu, qëlloi drejt policisë

Autorët e vrasjes së dy të rinjve mbrëmë në Laç janë Vinçesk Pali (Bushi)  dhe Markel Bushi. Shqiptarja.com mëson se Markel Bushi është person me precedent penal dhe i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte në kërkim, por një gjë e tillë nuk përbënte aspak shqetësim për të që të lëvizte i lirë në mes të qytetit, madje të përfshihej në një ngjarje tjetër kriminale pak metra larg nga komisariati i policisë.

Por kush është Markel Bushi? Në vitin 2012 ai së bashku me shokun e tij, Daniel Shyti vodhën disa vajza që po shkonin në Kishën e Laçit dhe njërën prej tyre e qëlluan me armë. Pas ngjarjes ata u arrestuan. Gjykata e dënoi Danjel Shtyin me 6 vite burgim në vitin 2013. Ndërkohë që Markel Bushi nisi gjykimin e tij në gjykatë duke mos kërkuar as gjykim të shkurtuar, por më pas arriti të arratisej duke u dënuar në mungesë me 9 vite burg.

Prej vitit 2013, ai ndodhej në kërkim nga policia nën akuzën e vjedhjes me armë. Në 21 nëntor të 2017, policia organizoi një operacion për arrestimin e tij, por Markel Bushi qëlloi me armë në drejtim të efektivëve dhe arriti që të humbte gjurmët duke u arratisur, ndërkohë që mbrëmë së bashku me Vinçesk Palin (Bushin) vranë dy kushërinjtë.