Prefekti i qarkut të Elbasanit,  Arben Kamami  mblodhi shtabin e emergjencave për marrjen e masave në prag të motit të keq me borë e ngrica që pritet të përfshijë vendin tonë.

Prefekti kërkoi angazhim maksimal sidomos për mosbllokimin e rrugëve, sidomos ato që lidhin  fshatrat.

Lidhur me këtë, kryetari i Bashkisë së Elbasanit tha se janë marrë të gjitha masat për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Sipas Sejdinit disa ndërhyrje janë ende të pamundura për shkak të kushteve të motit, siç janë rikonstruksioni i urave të shembura.

Ndërsa nënprefekti i Librazhdit Enver Koçi kërkoi marrjen e masave sidomos për energjinë elektrike që fshatrat të mos mbesin pa drita për muaj të tërë siç ndodhi një vit më parë.

Dy ditë më parë, në një deklaratë për shtyp, ministria e Punëve të Brendshme njoftoi qytetarët se pritet një përkeqësim i motit, që do të shoqërohet me ulje temperaturash dhe reshje intensive shiu dhe bore.

Sipas buletinit të Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) moti, në të gjithë territorin e vendit, pritet të jetë me reshje shiu dhe bore, të cilat do të shoqërohen me ulje të theksuara të temperaturës. Për pasojë të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale në lartësinë mbi 200 m mbi nivelin e detit, do të preken nga bora dhe ngricat.

Për t’u paraprirë situatave të vështira e problematike, MPB ka udhëzuar prefektët dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal që të marrin masat e duhura, sidomos në drejtim të mirëmbajtjes së akseve rrugore duke inspektuar gatishmërinë e mjeteve, forcave, si dhe depozitimin e granileve dhe kripës në segmentet problematikë. ATA


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)