Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e GJKKO për të pezulluar nga detyra e ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Ballukun. 

Kreu i qeverisë rithekson se një vendim i tillë si ai i GJKKO-së nuk është parë kurrë në botë nga gjykatat ndaj një anëtari qeverie. Ai thotë se është një mbështetur i paepur i reformës në drejtësi, por sipas tij, vendimi nga gjykata e posaçme, ishte si rrëzimi i një fëmije që sapo ka nisur të ecë. 

“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës - për më tepër edhe i shkallës së parë fare - pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie! Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri! E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.”, shkruan Rama.

Për kreun e qeverisë, lufta kundër korrupsionit nuk mund të justifikohet me përdorimin e një mjeti të gabuar, sepse kjo do të kthehej në boomerang. Ky është një mësim, shton ai, që nuk duhet ta harrojë askush.

“Le të jemi të qartë: Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.”, përfundoi ai.

Postimi i kryeministrit Rama 


Lajmi kryesor:

Pezullimi i Ballukut, s’ka unanimitet në Kolegjin e Kushtetueses! Ankimi i qeverisë i kalon Mbledhjes së Gjyqtarëve, do vendosin nëse kalon për shqyrtim