TIRANE- Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur deklaratave të ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, pasi ky e fundit e cilësoi të padrejtë zgjedhjen e Marsida Xhaerllarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që akuzoi gjyqtaren Vitore Tusha se nuk respekton vendimin e organit që drejton.

Meta akuzon Xhafajn se po bën presion politik ndaj Vitore Tushës dhe KED, ndërkohë që cilëson kreu e KED Ardian Dvorani si Katica i Reformës në Drejtësi dhe militant të qeverisë. Ai paralajmëron se Video me provat për krimin kushtetues po bëhet gati.

"Skandaloz presioni politik ndaj KED dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha! I vetmi përgjegjës për aktet kriminale të militantit Ardian Dvorani është vetëm ai, përndryshe Katica jonë i Reformës në Drejtësi. Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale. Katica jonë bëri një akt shumë më të rëndë se vendosja e gjobës së një biznesmeni. Katica jonë donte të vidhte gjithë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!", shkruan Meta.

Katica Janeva është prokurorja speciale e shkarkuar në Maqedoninë e Veriut pasi u akuzua përfshirë në skandalin e korrupsionit të njohur si “zhvatja”.

Pak muaj më parë edhe lideri demokrat Lulzim Basha përdori të njëjtin etiketim ndaj prokurores së Përgjithshem Arta Marku dhe prokrurores së Krimeve të Rënda Donika Prela, duke i akuzuar ato se kanë pushuar hetimet për vjedhje të votave në zgjedhjet e pjeshme për Bashkinë e Dibrës në 2016-ën, me urdhër të kryeministrit Edi Rama.