TIRANE-Deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit do të jetë në fuqi.

Ishte ky vendimi i Kushtetueses e cila rrëzoi kërkesën e gjyqtarëve të cilët kërkuan pezullimin e efekteve të këtij ligji.
 
Për të arritur deri në këtë vendimmarrje të ndërmjetme seanca u zhvillua me debat ndërmjet gjyqtarëve dhe përfaqësueses së parlamentit, deputetet Vasilika Hysi e cila u shpreh se me zhbërjen e ligjit për statusin kërkohet të bllokohet reforma.

"Të vijnë shoqatat e gjyqtarëve dhe të luiajnë me ligjin më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi nga i cili varen të gjitha institucionet e tjera dhe vetë SPAK-u, kjo nuk është serioze", u shpreh Hysi. 

"Zonja Hysi, çdo çështje është e barabartë përpara gjykatës", iu drejtua Hysit, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkik Dedja. 

"Nuk jemi kundër reformës, përkundrazi e duam me shumë se të tjerët. Ne kemi thënë se Kushtetuta dhe ligjet u bënë me nxitim, në një kohë kur nuk kishte asnjë arsye të bëheshin me nxitim", tha kreu i Unionit të gjyqtarëve, Gerd Hoxha. 
 
Ndërsa kreu i Unionit të Gjyqtarëve Gerd Hoxha u shpreh se respektojnë vendimin e kushtetueses por sipas tij kjo do të ndikojë negativisht pasi do bllokohet funksionimi i institucioneve të drejtësisë përfshi dhe KLD e cila pushon së funksionuari në datën 12 prill 2017.

"Përmbajtja e dispozitave të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk sjell shpejtësi dhe eficencë në gjykime, por shkakton një kaos në mënyrën sesi do të bëhet përmbushja e vendeve vakante në gjykata. S'na rezulton që KLGJ të krijohet përpara datës 12 prill, datë e cila është parashikuar si datë që KLD të mos funksionojë më", tha Hoxha. 
 
Gjyqtarët të përfaqësuar nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve kërkuan në Kushtetuese pezullimin dhe shfuqizimin e këtij ligji si antikushtetues.
 
Ligji për statusin e gjyqtarëve u miratua në muajin tetor nga parlamenti.
 
Para padisë për statusin gjyqtarët paditën në kushtetuese dhe ligjin e rivlerësimit të figurës së tyre njohur ndryshe si Vettingu për të cilin kushtetuesja e la në fuqi duke rrëzuar padinë e gjyqtarëve.