Kushtetuesja: Të mos përdoret
"Kombësi" në gjendjen civile

Kushtetuesja: Të mos përdoret<br />
TIRANË - Gjykata Kushtetuese vendos shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të termit “kombësi” në nenet e ligjit “për gjendjen civile”.

Sipas vendimit të kësaj Gjykate, termi ‘kombësi’ në ligjin "për gjendjen civile" është i papajtueshëm, pasi bie në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Me shumicë votash, anëtarët e kësaj Gjykata shprehen se termi për ‘kombësinë' cënon parimin e sigurisë juridike pasi nuk mbron të dhënat personale.

Nga nisi?
1. Në datën 03 shkurt 2011, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë iu paraqit për shqyrtim padia me objekt “deklarimin e pavlefshëm të lindjeve në lidhje me përbërësin e kombësisë së paditësve, duke kryer ndryshimin e përbërësit të kombësisë nga ‘shqiptare’ në ‘greke’, duke qenë se është në kundërshtim me ligjin dhe duke qenë se është
dëshira jonë”.

2. Në datën 08 shkurt 2011 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet u paraqit për shqyrtim padia me objekt “deklarimin pjesërisht të pavlefshëm të fletës familjare të regjistrit të vitit 1950-1974, të përbërësit ‘kombësi’ që i përket K.P. dhe rregullimin e pasojave në regjistrat përkatës”.

3. Në datën 23 shkurt 2011, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër mori në shqyrtim çështjen civile me objekt “ndryshimin e ‘kombësisë’ nga ‘shqiptare’ në ‘malazeze’”.

Vendimi i tre Gjykatave
Të tria gjykatat (bashkërisht “gjykatat referuese”) kanë konstatuar se ligji “Për gjendjen civile” është i papajtueshëm me Kushtetutën, në disa dispozita të tij, dhe në zbatim të nenit 145/2 të Kushtetutës, kanë pezulluar shqyrtimin e çështjeve dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Konkretishtë në të drejtën ndërkombëtare publike, termi “kombësi” nuk trajtohet si nocion juridik, por si përkatësi etnike. Për këtë arsye, kombësia nuk sjell të drejta dhe detyrime për individin dhe nuk është e rëndësishme për të individualizuar të drejtat e tij në aspektin familjar.

Në bazë të parashikimeve të nenit 20 të Kushtetutës, shteti nuk duhet të ndërhyjë duke vendosur detyrim ligjor për personat që u përkasin pakicave kombëtare që të shprehin përkatësinë e tyre etnike. Ndërsa me ligjin “për gjendjen civile”, elementi “kombësi” është përcaktuar si element përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar, duke detyruar çdo shtetas shqiptar të deklarojë kombësinë e tij, që do të evidentohet në regjistrat e gjendjes civile.

“Gjykata çmon se rregullimet e ligjit për gjendjen civile, objekt shqyrtimi, cenojnë garancitë e nenit 35 të Kushtetutës. Si përfundim, në vijim të arsyetimit të mësipërm, Gjykata vlerëson se termi “kombësi”, i përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8; termi“kombësinë në përputhje me kombësinë e prindërve”, i përcaktuar në nenin 42/2, germa “e”, dhe neni 58 i ligjit për gjendjen civile, cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe bien në kundërshtim me nenet 20 dhe 35 të Kushtetutës. Kjo ndërhyrje, në vlerësimin e Gjykatës, shkakton një devijim nga parimi kushtetues i mosdetyrimit të bërjes publike të të dhënave personale, ku përfshihen dhe të dhënat personale “sensitive”, i cili sanksionohet në nenin 35 të Kushtetutës”- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi, që është i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare është zbardhur sot ne faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari