Kushtuar kalamajve që e gdhijnë
në këmbët e “pesëmbëdhjetëkatëshit”

Kushtuar kalamajve që e gdhijnë<br />në këmbët e “pesëmbëdhjetëkatëshit”
Natës
Vezullojnë si peshq jetët tona
I diktojmë me avullin tek hov
Nga goja
Tek brof si gisht fëmije
Prej vrimës në çorap
 
I ftohti
Me tri palë dhëmballë
Shtrëngon duart e popullit si me prangë
(I ftohti po ashtu mpiks e zbardh
Vesën e errët mbi trotuar)
 
Natën dimërore në qytete
Drita ka marrë yjet mbi vete
Si çuna të rinj nga provinca
E i punëson
 
Në shkronja tabelash me neon
Bar “London”
Taverna “Blue Sky”, “Alfa Bank”
Hotel “Tirana International”
Shpejtësisë së dritës i kërcen përsipër
Anglisht
Pingul i ftohti si një luzmë me pinguinë
Që hidhen vrik nga kati i pesëmbëdhjetë
Me kokë
Dhjetëra mijë copë pinguinësh të tejdukshëm
Në erë
Qyteti bombardohet me frigoriferë. (Të gjithë në prizë)
 
Në këmbë të hotelit
I fshihen qiellit
Fëmijë pa shtëpi
Vështrojnë shkronjat nëpër graffiti
 
Elektrike
Deri sa sytë u digjen prej asaj drite
U bëhen hi.
E kështu në atë errësi / nis i merr
Gjumi i rrugës / e i grumbullon
Me autobusin e vet transparent
Xhamathyer / pa shofer
 
(Mos i fol shoferit, meqë s’ekziston
Ndërro pozicion në çdo stacion
Që të mos mpihesh rrotullohu nga pak
Nga e djathta në të majtë
Si një qengj në hell symbyllur {sikur ëndërron}
Me hurin përmes vetes qengji, si vija
Kur $-në e dollarit penetron)
 
Kur isha më i vogël, shkronja g

Më ngjante me një milingonë
Pastaj s-në shikoja që në fakt është një dhelpër
A-të janë arinj
F-ja ngjan me një kafshë krejt tjetër
(Gjirafë)
Po ti ke ftohtë, e veç kësaj
Nuk di as të lexosh
Mbyll sytë dhe mbush kokën me prushe bosh
Tabelash drite
Ku alfabeti rri nusëron
Mbi një karrige elektrike
Ti mbështillesh më tepër
Pas qenit që fle
Bri dritareve të kuzhinës së hotelit
Jeni mbështjellë
Mbi ca ambalazhe kartoni bezhë
Ambalazhe për banane apo artikuj të tjerë
 
Fëmijë dhe prapë fëmijë! Nise t’trashëgosh botën
Duke u nisur nga i ftohti
Ngroh sytë me reklama
Nxjerr avull nga goja dhe je fëmijë
Nise ta trashëgosh jetën tonë, shoqërinë
Për fryme
Nën shkronjat nomade që ecin gjithë natën
E u shmangen shumë fjalëve për të dalë këtu
Nëpër elektro-graffiti banale komerciale
Dhe hutohesh;
Një hallkëz e vogël je, në zinxhirin
E të ftohtit klasor
Që dëshmojnë
Të gjithë
Përfshirë dhe ata që s’mërdhijnë
Një hallkëz ende prej ari je
Kapur në renditje me një qen
 
Dhe ai prej një ari të ftohur krejt
Kapur rresht, përdore zinxhir
Me duzinat e lypësve të mitur, prostitutave
Me çmim të lirë
(Dhe me gjunjët të ngrira si gjinj morgjesh ato
Patrullojnë krahëhapur, të gatshme për t’u vrarë
Në shesh-masakrat e qyteteve të natës anembanë)
(Rrethuar
Nga yjet prej neoni limoni
Të flamurit festiv evropian)
 
Të ftohurit në këtë botë
Janë vetë i ftohti
Janë ky zinxhir mishi prej politike dhe moti
Zinxhir ashensori
Vertikal trashëgimie që na vjen thellë nga historia
 
Që nxjerr turma-turma me asfiksi
Nga zgafellë e minierave fytyrëndragur
Për në transhetë adoleshente të Luftës së Parë, me
dëborë
U lidhet pas kërcinjsh reumatikë robërve rremtarë
Në galerë
Një zinxhir me ar minierash
Për sahatin me qostek të larë ar
Të Bakuninit, Çesë, Karlosit-Iliç
Bombë, flamur, drapër, çekiç
Ti nuk e kupton këtë siklet që vjen
Nga poshtë ajrit
E të lidh
Pandalshëm-pastaj gishtat nuk janë më të tutë
(Ke dorën tënde në xhep, s’është hajdut)
Ti veç shtyn orteqet e bardhenjta
Të frymës
 
Që të zgjatohen rreth fytyrës
Si mjekra fallco
E plakut pafytyrë të vitit të ri
 
Të kesh ftohtë
Do të thotë
Se s’di gjë për ty njeri
Gjallë në botë
Qeveria dhe media të fsheh
Si monedha në kek
Në darkën e bamirësisë së fundvitit. Të fshehin
Pas të vërtetës së hidhur të drurëve të shtetit
Emri yt si formula e gazit të përditshëm
Harruar nëpër tuba
Vërret
Përdhe në zorrët e Rusisë apo Algjerisë që ha qebap
Me mishin e vet
 
Teksa luhatet e dridhet në bursa
Ti ke ftohtë, jo fëmijët e atyre që të zhdukin
Nga ekranet, kopertinat me reklama/marama
Nuk mërdhin fëmija
Që si kangurë mbartin në fund
Të matrioshkës së moshës. (Si ca gladiatorë të penduar
Të afrohen kokëzbuluar ngadalë
Pronarë kantieresh, qeveritarë
Me helmetat e mëdha publike në duar)
Fëmijë si ti bëhen sapo i mallëngjen ndonjë
Vjershë e përkthyer apo gotë shampanjë
Fëmijë, por që s’kanë ftohtë si ti, janë
Ministra, vipa, mendimtarë zyrtarë
Trashëgimtarë shtatë brezash
Rojtarësh pylli që ngrohen
Me vatrat të ndezura
Si festa,
 
Me drutë stivë
Ata
Që na vënë revolucionin si alternativë
Për të na qeverisur me frikën nga ai
Ata që na trembin me anarkinë
Ata që deformojnë fenë dhe fjalinë                                    
Për të mos prishur rehatinë
Për mos të të ngrohur
Mbrohen pas faktit se nuk kanë të njohur
Personalisht
Nise jetën mbrapsht ta trashëgosh
Më hipin nervat
Kam frikë
Mos bëhesh komunist; më keq
Frigohem mos harrosh
Të ftohtin
I cili është ata që të lanë
 
Të kesh ftohtë
Frigohem se mos mendosh
Se të ftohtin s’ta ka kush borxh
Se mos të duket vetja tepër
Se mos bëhesh i egër
Se mos bëhesh vrasës serial, ku i dihet
Dhe na fut në shënjestër
Si në një varr të përbashkët
Të gjithëve që djegim drutë e Zotit
Popullin Kain të të ngrohtit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera

Zgjedhjet në Himarë, dorëzohen 21 kuti votimi në KZAZ e numërimit!! Kanë mbetur edhe 15 të tjera