Kuteli, i pari autor i një
libri me studime kritike

Kuteli, i pari autor i një<br />libri me studime kritike
TIRANE - Mitrush Kuteli është i pari autor shqiptar i një libri me studime kritike për letërsinë. Me librin e tij “Shënime letrare” Kuteli paraqitet si një individualitet i rendit parësor në këtë fushë. Do të mjaftonte vetëm ky fakt për ta bërë Kutelin subjekt të një monografie. Dhe duket se këtë boshllëk e ka plotësuar studiuesi i ri Arjan Llanaj, autor i monografisë “Kuteli kritik”, të cilën këto ditë e botoi si libër shtëpia botuese “Naimi”.

Autori shtron pyetjen se cili është vendi i Mitrush Kutelit në historinë e kritikës letrare shqiptare, ku ndihmesat e tij shihen në raport të brendshëm e të jashtëm, krahas mendimit të Branko Merxhanit, Fan Nolit, Gjergj Fishtës, Krist Malokit, Ernest Koliqit; po edhe krahas mendimit të studiuesve për letërsinë e tyre që ai e shqipëroi, duke ndjekur gjurmët e Nolit.

Konkludohet se ai u shfaq si individualitet i plotë në kritikën letrare në vitet 1930-1940. Autori zgjeron me informacion pamjen tradicionale të studimeve letrare të Kutelit, duke përmendur se mendimit të tij i shfaqen përballë vepra, autorë dhe personalitete prej periudhës së Rilindjes deri tek koha e modernitetit të letërsisë shqipe. Gjykimet e Kutelit për zhvillimet në letërsinë shqipe, prej Naimit, Mjedës, Lasgushit, Nolit dhe të mëvonshmëve janë jo vetëm pjesë e historisë së mendimit letrar në Shqipëri, por dhe referenca të pashmangshme të debatit për kuptimin e historishkrimit të letërsisë në kohën e sotme.

Mosnjohja e Kutelit me të drejtë shihet në kuadër të kufizimeve që vinin prej politikave kulturore. Por nuk mund të përjashtohen edhe frenimet e vetëfrenimet vetjake të studiuesve vetë. Arjan Llanaj ishte i pari që ndau fletët e ngjitura prej kohës kur u shtyp të librit “Sulm e lotë” të Kutelit, botuar më 1944, ku gjenden dy veprat: “Poemi kosovar” dhe “Poemi për Shëndaumin”.

Kjo vepër u gjet në bibliotekë ashtu si kishte dalë nga shtypshkronja, me fletë të paprera dhe të pahapura kurrë, megjithëse në vendin më të përshtatshëm për t’u studiuar. Rrallësi të tilla janë bërë edhe libra të tjerë, si “Këngë e britma nga qyteti i djegur” dhe “Mall e brengë” me parathënien e tij. Autori propozon një vështrim panoramik mbi gjendjen e kritikës letrare në Shqipëri në periudhën 1912-1944.

Në këtë kapitull në mënyrë analitike rimerren shkrimet kritike më të rëndësishme të Kutelit, që shpesh u bënë shkas për polemika, sidomos shkrimet për Lasgushin, që provokuan debate me personalitete të tjera si Gaetano Petrotta e Krist Maloki. Si kritik Kuteli rezulton një dukuri e pandërprerë, ndryshe nga Kuteli shkrimtar: gjatë periudhës së pasluftës shfaqet me një dinjitet të lartë profesional si autor parathëniesh për autorët që përktheu, sidomos prej autorëve rusë si Gogoli e të tjerë.

Një vështrim krahasues bëhet në kapitullin “Kuteli kritik dhe kritika e kohës”. Me shumë interes është paraqitja anatomike e gjykimit të të tjerëve për Kutelin, e gjykimit të Kutelit për të tjerët, e rivlerësimit të tij nëpër kohë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja (print) 20.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'