Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheiku Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah në takimin me kreun e shtetit shqiptar, Bamir Topi.
Sipas njoftimit nga zyra për shtyp në Presidencë, “Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheiku Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, shprehu gatishmërinë dhe besimin se me klimën e duhur dhe kuadrin ligjor të përshtatshëm, sidomos me qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike, interesat dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri dhe në vendet përreth si Kosova apo Maqedonia do të rriten. Në këtë pikë, Presidenti Topi shprehu edhe njëherë mirënjohjen ndaj Emirit dhe Shtetit të Kuvajtit për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke theksuar se pas ndryshimit gjeo-politikal rajonal, mbarë vendet e rajonit tonë janë orientuar drejt integrimit euro-atlantik.”
Kreu i Shtetit shqiptar, vuri në dukje "marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke theksuar dëshirën e vullnetin maksimal për nxitjen e bashkëpunimit të frytshëm dypalësh në fushën politike, ekonomike e tregtare, infrastrukturore e energjitike, arsimore e shëndetësore, për t’i shërbyer forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve e popujve tanë".
Në këtë takim Presidenti Topi shprehu mirënjohjen në emër të shtetit për donacionet personale të Emirit në vendin tonë siç ishte rasti pas tragjedisë së Gërdecit apo për rindërtimin e Sheshit "Skënderbej" në Tiranë si dhe për ndihmesën financiare të Fondit Kuvajtian për Zhvillim. Presidenti Topi e ftoi Emirin e Shtetit të Kuvajtit për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesa e cila u pranua me kënaqësi dhe mbetet për t’u zhvilluar në një kohë të përshtatshme.
Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi "rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes strukturave të ndryshme institucionale të Shqipërisë e Kuvajtit për rritjen e mundësive të bashkëpunimit në fushën ekonomike, kryesisht në sektorë parësorë, si ai i naftës dhe gazit, por dhe investimeve në segmente të tjera me interes të përbashkët si turizmi, bujqësia, agro-industria, infrastruktura, etj."
Gjithashtu, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të klimës dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet arabe, e konkretisht me Shtetin e Kuvajtit, duke shprehur me këtë rast bindjen për vijueshmërinë e forcimin e kontakteve dypalëshe, si kontribuuese konkrete të zgjerimit e forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve e popujve tanë. Duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës, Presidenti Topi nëvizoi besimin se Shteti i Kuvajtit do të ushtrojë influencën e vet tek vendet e tjera arabe për ta zmadhuar hartën e njohjeve të reja të shtetit multietnik, sovran e demokratik të Kosovës.