Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Ardit Bido, duke folur në seancën plenare të së hënës, ka lëshuar kritika ndaj deputetëve të opozitës se më 28 nëntor bojkotuan ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë.
Bido e quajti paturpësi faktin se deputetët zbatuan urdhrin për të shmangur ceremoninë vetëm se bashkia e Vlorës është e majtë.
“Është paudhësi, është paturpësi, është e paskrupullt që në ditën e ngritjes së flamurit, një formacion politik në kundërshtim me sa kërkojnë ndjekësit e asaj partie, të bojkotojnë flamurin. Unë e di që kur thoni të bojkotoni flamurin, e keni fjalën për Flamur tjetër. Të bojkotosh flamurin kombëtar është turp. E di urdhrin tuaj të përgjithshëm që në këtë ditë nuk duhet të jesh në ceremoninë e bashkisë. A thua se bashkia është institucion partiak, a thua se në këtë vend nuk ka bashki të majta e të djathta, ky është turp. Akoma më turp është turp është ajo ca ka ndodhur në Sarandë, që nuk shkuan fare në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, tha Bido.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, iu përgjigj deputetit socialist duke thënë se asnjë ligjvënës opozitar nuk ka guxuar kurrë të përdorë një ditë që bashkon të gjithë shqiptarët, si 28 nëntori, që të përcjellë përçarje.
"Besoj që duhet të dënoni gjuhën e përdorur, të gjithë biem dakord për të nderimin e flamurit kombëtar, nderimi real i festës së Pavarësisë dhe asnjë koleg nuk ka guxuar kurrë të përdorë një ditë që bashkon të gjithë shqiptarët, e të përcjellë përçarje. Do ta ftoja kolegun të nderonte flamurin jo vetëm më 28 Nëntor por çdo ditë. Flamuri nderohet duke mos vjedhur, ti duartroket vjedhjen dhe një të pandehur në qeveri.Ti voton për çdo projekt që nuk i shkon me garë të rregullt bizneseve shqiptare por grekut e turkut. Këtu tregoje ti patriotizmit e mos eja të na tregosh përralla",- tha Bardhi.
Lajmi kryesor:
Kuvend, opozita: Përmbytjet e nëntorit, pasojë e papërgjegjshmërisë së shtetit! Të dëmshpërblehen banorët e dëmtuar











