Kuvendi i Shqiperise
TIRANË, 28 Shkurt/ATSH/.- Kalendari 3-javor i punimeve të Kuvendit për periudhën (27 shkurt-20 mars) parashikon shqyrtimin e një numri ligjesh të rëndësishme në komisionet parlamentare, që do t'i kalojnë për miratim seancave plenare në ditët në vazhdim.
Në axhendën e projektligjeve përfshihen projektligjet "Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë"; "Për sektorin e energjisë elektrike"; dy draftet "Për hapjen e dosjeve"; disa ndryshime në kodin zgjedhor, etj.
Kalendari i punimeve parlamentare përfshin dhe diskutimin e një sërë marrëveshjesh që lidhen me investime në infrastrukturë, kanalizime e ujësjellës në zona të ndryshme të vendit, kryesisht të financuara nga donatorë të huaj.
Gjatë javëve në vazhdim është parashikuar të diskutohen dhe dy pr/vendime, ai "Për caktimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë", zgjedhja e një anëtari dhe kryetari të AMF-së, si dhe shqyrtimi i dekreteve të Presidentit për emërimin e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. /a.s//a.ke/