TIRANË, 17 Nëntor/ATSH-A.Struga- Gj.Mima/.- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko gjatë debatit në parlament për pr/buxhetin 2015 kërkoi faljen e kamatvonesave të energjisë për personat që janë nën mbrojtje sociale, pasi kjo do na bëjë më njerëzorë.
"Ne sot do të votojmë faljen e kamatvonesave për pensionet në fshat e ç'na gjen të flasim këtu dhe për ata që janë me mbrojtje sociale. Nuk besoj se kjo na shmang nga ndonjë faturë e kripur, përkundrazi na bën më njerëzorë", u shpreh deputeti Majko.
Por, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili konfirmoi tolerancën zero për vjedhësit e energjisë elektrike. "Në këtë betejë nuk do të bëjmë asnjë lëshim dhe nuk do shohim asnjë në sy dhe po ashtu toleranca do të jetë zero. Energjia paguhet dhe nuk vidhet, pikë", u shpreh i vendosur kryeministri.
Kryeministri Rama duke replikuar me deputetin e PS-së, Pandeli Majko lidhur me pagesat e energjisë elektrike u shpreh se, " e vërteta është që ne kemi 20 vjet që tërhiqemi zvarrë duke bërë një faj tradicional që ne këtu sot nuk duhet t'ia lejojmë vetes, fajin e mbajtjes së pushtetit në kurriz të shtetit. E kemi shtyrë të ardhmen për shumë vite duke folur në emër të asaj, por duke qenë peng të së sotmes", tha Rama.
Dhe, vijoi kryeministri, "këtë të energjisë dua ta ritheksoj sot. Ne nuk do të falim asnjë kamatvonesë të energjisë dhe nuk do të falim asnjë mospagesë të energjisë. Dhe për ata që thonë që nuk paguajmë dot energjinë i them që pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar paguajnë më shumë energjinë elektrike".
"Nëse duan një koalicion partish për të mos paguar energjinë le ta zgjedhin, ne nuk na kanë zgjedhur për këtë", tha Rama.
Ne, vijoi Kryeministri, "nuk do ta rimbursojmë naftën pa faturë. Nafta që medemek përdoret për bujqësinë i hidhet mercedesit. Ne nuk do ta bëjmë këtë"./m.m/










