TIRANË, 10 Korrik /ATSH/.- Kuvendi miratoi të enjten me 77 votat e deputetëve të maxhorancës projektligjin "Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme", që synon të reformojë thellësisht strukturën e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB), duke e emërtuar Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme. Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në votim, pasi më herët kishin bojkotuar punimet e seancës së sotme.
Ligji i ri përcakton misionin, organizimin, funksionimin dhe rregullimin e pozitës juridike të Shërbimit për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme (SHAÇB), si dhe karrierën, detyrat, të drejtat e përgjegjësitë e punonjësit të këtij shërbimi, që deri tani ka funksionuar sipas nje ligji të vitit 2008.
Nenet e draftit të ri përcaktojnë se SHAÇB e ushtron veprimtarinë e tij ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, si dhe strukturës së mbrojtjes nga zjarri.
Objekt i veprimtarisë së Shërbimit është dhe parandalimi, zbulimi dhe hetimi i veprave penale, si dhe i shkeljeve të ligjit të kryera nga punonjësit e strukturave gjatë ushtrimit të detyrës apo për shkak të saj; pranimi, administrimi dhe zgjidhja e ankesave ndaj punonjësve të strukturave për mospërmbushje të detyrës sipas standardeve të miratuara; ruajtja e integritetit të punonjësve të strukturave; kontrolli i pasurisë së pajustifikuar të personave, objekt hetimi, etj./a.s/