Kuvend/ PD në interpelancë urgjente me Ramën për përmbytjet: Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës? Kryeministri: Për 30 shtëpi që s'janë nën ujë?

Kuvend/ PD në interpelancë urgjente me Ramën për përmbytjet: Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës? Kryeministri: Për 30 shtëpi që s'janë nën ujë?

Seanca plenare

Kryeministri Edi Rama nuk e cilëson situatën e përmbytjeve në gjendjen që të shpallet emergjenca. Kjo ishte përgjigja që dha për grupin e Alibeajt që kërkoi interpelancë urgjente me kreun e qeverisë për situatën e shkaktuar nga reshjet e shiut në vend. Në fjalën e tij nga Kuvendi, u shpreh se për t’u shpallur emergjenca janë disa kritere që nuk lidhen me gjendjen aktuale.

Ndërsa për sipërfaqen e tokës së përmbytur thotë se nuk kanë të bëjnë aspak me Kaskadën. Nuk mungoi ironia e kreut të qeverisë, i cili i përgjigjej opozitës duke thënë se “Për çfarë ta bëjmë gjendjen e emergjencës, për 30 banesa në prezencë uji dhe tani s’ka më.”

Ndërsa deputeti Ferdinand Xhaferraj kishte marrë një video të kryeministrit në vitin 2010 kur ishte në opozitë dhe reagonte ndaj qeverisë për situatën e shkaktuar nga moti i keq. Në kundërpërgjigje, kreu i qeverisë u shpreh se nuk i heq asnjë presje fjalës që ka mbajtur vite më parë dhe bëri një krahasim të statistikave duke iu referuar shifrave të Bashkisë së Shkodrës.

Rama thotë se në përmbytjet e këtij viti kishte vetëm 130 persona të evakuuar nga 14 285 të evakuuar në atë kohën kur vendi drejtohej nga PD. Po ashtu shtoi se aso kohe nga përmbytjet u prekën 6130 shtëpi ndërsa këto ditë ka pasur vetëm 30 banesa me prezencë uji të përkohshme. Por Xhaferraj përmendi se kreu i qeverisë nuk ka asnjë përgjigje për pyetjet e ngritura nga opozita dhe në vend që të gjejë zgjidhje për situatën, bën krahasim me qeverinë e mëparshme.

Reshjet e dendura të shirave në ditët e fundit shkaktuan probleme në disa qarqe të vendit, e kryesisht situata ishte me problematike në Shkodër dhe në Lezhë, ku mijëra hektarë tokë ishin nën ujë, ndërsa disa familja u evakuuan. Ndërkohë situata ditën e sotme është përmirësuar ndjeshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:08
Xhaferraj-Ramës: Më vjen keq për ju! Kam studiuar në Amerikë, i kam bërë nder Shqipërisë duke qëndruar këtu

 

Deputeti Ferdinand Xhaferraj iu përgjigj Ramës duke thënë se po i bën nder Shqipërisë që qëndron këtu pasi ka kryer studimet në një nga shkollat më të mira në Amerikë.

“Më erdhi vërtet keq për ju. Sërish i ndodhur në siklet tek cilësia e diellit. Unë ju them si keni vjedhur, si po përmbytur, si po bëni korrupsion, ju thoni cilësia e diellit. Për cilësinë time, jam shkolluar në një ndër shkollat më të mira në Amerikë dhe i kam bërë nder Shqipërisë. 30 vite më parë thoje se nuk po i hedhim baltë Enver Hoxhës por po heqim baltën që Enver Hoxha ka hedhur te ne. Pse 30 vite më parë e përmbysi me Ardian Klosin dhe sot po e mbyll me Ardian Çelën? Për çfarë?” – tha Xhaferraj.

 

Ora 12:07
Rama-Xhaferrajt: Ti vjen e reciton këtu kot, për çfarë ta shpallim gjendjen e emergjencës? Për 30 shtëpi që sot s’janë më nën ujë?

 

Kryeministri Rama u shpreh se aktualisht nuk është e nevojshme për të shpallur gjendjen e emergjencës pasi situata nuk është problematike. Rama u shpreh se kemi pasur rezultate jo të njëjta me 2010 sepse është punuar për to dhe aktualisht ka një ekip te posaçëm që merret posaçërisht me këtë çështje.

“Ju më kujtoni mua atë shprehjen “Jep shpirt, por nuk heq dorë”, habi e madhe. Më nxjerr një video timen të asaj kohe dhe thua “Hajde këtu dhe konfrontohu”. Unë të them prapë, që i qëndroj një për një të gjithë atyre që nxore atje, edhe tek e para dhe tek e dyta sepse janë shifra të qarta fare. Mund të vish këtu, të tregosh, të recitosh sa të duash dhe mund të sjellësh citime nga një, dy, tre, pesë banorë, të cilëve u vihet kamera përpara dhe me kamera mund të bëhet nami. Një luftë e tërë me kamera bëhet po të doni ju.

Çështja është tek faktet dhe po të përsëris faktet nga bashkia Shkodër, jo nga qeveria socialiste. E kupton që më kërkon prapë “Shpallni emergjencën natyrore”!

Për çfarë ta shpallim Emergjencën Natyrore, për çfarë? Ma thua dot për çfarë? Për 30 banesa që kishin prezencë uji dhe që nuk e kanë më? Mos më trego fotografitë sepse fotografitë nuk janë live, o Ferdinand. Dielli, cilësia e diellit është live, fotografia nuk është live.

Çfarë mi tregon fotografitë? Po të them bashkinë Shkodër, 30 banesa me prezencë uji në momentin e parë, tani uji ka filluar të tërhiqet. Është e gjatë për të treguar se çfarë kemi bërë ne, por edhe falë asaj që kemi bërë ne, megjithëse Shkodra është pika më e dobët, këto janë rezultatet sepse kemi pastruar me mijëra kilometra kanale kulluese që ishin të bllokuara, sepse sot kemi një strukturë, e cila ngrihet me sustë në këmbë, nuk shkon me shapka dhe me varka teneqeje dhe që të bëjë atje gondolierin siç ndodhte më 2010. Është një Agjenci Kombëtare e Emergjencave Civile. Kemi futur, falë kësaj agjencie, në mekanizmin Europian të Emergjencave Civile. Mekanizmi Europian i Emergjencave Civile do të thotë që nëse ka këtu një emergjencë, vihet në lëvizje gjithë mekanizmi.”- tha Rama.

Ora 11:59
Xhaferraj në interpelancë me Ramën: S’na dhe asnjë përgjigje çfarë masash ke marrë për përmbytjet, i ikën përgjegjësisë

 

Deputeti demokrat Ferdniant Xhaferri i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama në interpelancën që po zhvillojnë për përmbytjet. Xhaferri tha se ai nuk iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga opozita, por vetëm krahasohet me qeverinë e mëparshme, në vend se t’u jepet zgjidhje.

“Duartoriktet nga halli sepse në 8 pyetje të ndërtuara asnjë lloj zgjidhje dhe masa nuk paraqiti. Për të vazhduar me Ramën e 10 viteve më parë. Tjetër video. ‘Tregojnë barcaleta në vend se të dëgjojë zërin e arsyet për shpëtimin e Shqipërisë për përmbytjen. Të vetmen rrugë për të ndenjur aty ku është ka vjedhjen e votave. Duhen ngritur struktura shkencore të analizës studimit dhe monitorimit të krejt sistemit të mbrojtje së Shqipërisë nga përmbytjet’, thotë Rama në video.

Kemi përmbytje thonte 10 vite më parë. Thonte që kemi përmbytje se ka pasur korrupsion dhe mban erë të qelbur se si është shitur energjia, nuk tha asnjë fjalë në shpjegimin tij sesi është shitur dhe blerë energjia. Thontë të ngremë struktura të posaçme sot pas 10 vitesh nuk foli për asnjë strukturë e zgjidhje situate. I shtruam 8 pyetje të arsyeshme për të cilat opozita dhe qytetarët meritojnë përgjigje, por në vend të përgjigjeve morëm hedhje faji e ikje nga përgjegjësia. Akuza sesi qeveriste Berisha 10 vite më parë.  

Në 2022 nuk i keni dhënë zgjidhje situatës dhe është turp të krahasoheni me një dekadë më parë. Në 2015 ai tha nuk luftojmë vetëm më motin por edhe më të shkuarën.

Një kryeministër normal do thonte: Të dashur qytetar në këto 10 vite kemi pasur probleme, Shkodrën nuk e zgjidha dot, por ua zgjidha Lezhën. Çfarë ka bërë? Vetëm propagandë në Facebook. Kjo nuk është qeverisje për qytetarët. Çetë kusarësh.

Ora 11:56
Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës? Rama: Ka kritere të përcaktuara! 1458 ha tokë e përmbytur nuk ka lidhje me Kaskadën

1669286532_Screenshot5.jpg

Teksa opozita e ka thirrur në interpelancë për përmbytjet dhe e pyet përse nuk shpallet gjendja e emergjencës, kryeministri Edi Rama iu përgjigj se ka kritere që nuk lidhen me situatën aktuale.

"Se ku është çeta e kusarëve do e jap të plotë sot.Gjendja e emergjencës ka një kuadër të plotë ligjor, kritere të përcaktuara që nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me situatën aktuale. Nuk dëshiroja në fakt sot, në këtë interpelancë të hyja në krahasime, por meqë ju hytë në krahasime, unë i qëndroj fjalë për fjalë, asaj që bujarisht ndatë me publikun, sepse janë faktet që flasin shumë qartë dhe ai sinkron është nxjerrë nga një moment katastrofik për Shkodrën dhe për të gjithë zonën e veriperëndimit, si rezultat i keqadministrimit skandaloz, kriminal, korruptiv të kaskadës dhe ajo ishte e vërtete dje, është e vërtete sot", tha Rama.

Ora 11:53
Rama në interpelancë në Kuvend, Berisha flet jashtë seancës: Ai përmbyti qytetarët, t’i dëmshpërblejë tani çdo qindarkë

 

Sali Berisha e akuzon qeverinë se përmbyti qytetarët në Shkodër. Sipas tij u dha një urdhër kriminal që solli edhe dëme të jashtëzakonshme për qytetarët.

“Pa informuar asnjë njeri, pa informuar sipas ligjit autoritetet vendore hapi të gjithë tunelet dhe digat duke bërë një dallgë përmbytese që nuk e kishte parë ndonjë Shkodra, nxori në themele urën e Bahçallkëkut, monument kulture.  Ky akti i mosnjoftimi është vepër e vërtetë kriminale. E bëri këtë për të mos bërë përgjegjëse autoritetin që jep urdhrin për dëmshpërblim pastaj. Dhe së dyti për të mos prodhuar energji për të rritur çmimin e energjisë”, tha Berisha.

Ai akuzoi Qeverinë se e dinte se do të kishte reshje dhe megjithatë bleu energji me çmime shumë të mëdha.

“Ata e dinin mirë se çfarë do të ndodhte, e dinin se do të kishte reshje dhe të gjitha këto nuk e penguan dyshen Rama-Ballaku për të importuar energji.  E dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e përmbytjes së qytetarëve nga hapja e tuneleve. Kërkoj dëmshpërblimin e tyre në çdo qindarkë. Drejtori i KESH zbatoi një urdhër kriminal. Ai del në çdo ekran për të justifikuar veprimin e tij të shëmtuar”, tha ndër të tjera Berisha në prononcimin për mediat,  teksa Kryeministri Rama ishte në interepelancë në seancë pikërisht për këtë çështje.

Për interepelencën Berisha tha se ‘Rama tani është duke gënjyer aty brenda, jam i sigurt se po thotë se fajin e ka Saliu’.

Ora 11:52
Përmbytjet/ Rama bën krahasimin e shifrave në Kuvend: Në kohën tuaj u prekën 68.316 banorë në Shkodër, mbi 25 ha ishin nën ujë

 

Kryeministri Edi Rama ka bërë krahasimin e shifrave në Kuvend lidhur me përmbytjet në qarkun e Shkodrës. Në përgjigje të opozitës, i është referuar statistikave të Bashkisë për përmbytjet në kohën kur vendi qeverisej nga Sali Berisha duke i krahasuar me ato të ditëve të fundit kur vendi u përfshi nga moti i keq.

Ndërkohë pikërisht për ta ilustruar sinkronin dhe për t’ju thënë që “Rama junior” dhe “Rama senior” meqë juve e përdorët këtë, është i njëjti person dhe për t’ju thënë pse i qëndroj pikërisht fjalë për fjalë atyre që kam thënë, po i referohem shifrave të Bashkisë Shkodër, jo të qeverisë, e cila dihet botërisht që nuk influencohet nga qeveria jonë. Në atë kohë, kur unë kam thënë për atë, janë përmbytur 25 mijë e kusur hektarë, vetëm në zonën e Shkodrës, nga të cilat, pra në qark po flas, nga të cilat 14 mijë kanë futur brenda edhe qytetin e Shkodrës në atë kohë, mund t’i referoheni dhe pamjeve të asaj kohe. Ndërkohë që prapë referuar Bashkisë Shkodër, sipërfaqja e përmbytur ka qenë 1458 hektar këtë herë, nuk ka asnjë lidhje me kaskadën, fare, zero dhe 4000 hektarët që sollët ju në vëmendje është shifër e saktë e Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk është vetëm për Shkodrën, është për gjithë zonën, përfshirë dhe Lezhën.

Folët për Durrësin për gjendje kritike. Në Durrës, përkundrazi, ka pasur një pasqyrë të qartë se çfarë ka bërë dhe një pasqyrë që shikohet sa herë që vjen i njëjti test me shi të rrëmbyeshëm, puna këmbëngulëse e bashkisë dhe në këtë rast sot që flasim e kryetares së bashkisë. Të gjitha zonat, të cilat shumë më pak se më parë sepse ka punuar bashkia rregullisht dhe më përpara, u identifikuan si zona kritike në përmbytjen e fundit, sot nuk janë më zona kritike. Ka një problem me disa pika në zonën e Ish-Kënetës që janë nën kuotë, është ndërtuar nën kuotë dhe pyetjes suaj që “a mendon qeveria t’i spostojë këta njerëz”, kjo pyetje vlen në fakt, jo vetëm për Shkodrën, për ato pika, vlen për shumë pika në Shqipëri, por kjo nuk bëhet me “a mendon, a s’mendon qeveria”. Kjo bëhet duke bashkëpunuar të gjithë së bashku se pastaj dihet se çfarë ndodh në qoftë se qeveria tenton një gjë të tillë, si i kthehen qeverisë dhe i thonë “po shpërngul votuesit tanë”, për shembull.

Për të ardhur tek shtëpitë, tek banorët e prekur. 68 316 banorë të prekur, 68 316 zyrtarisht, shifra të Bashkisë Shkodër në kohën që është nxjerrë ai sinkroni im, ndërkohë që prapë shifra të Bashkisë Shkodër vetëm 130 qytetarë të evakuuar, 130 vetë, 130 persona nga 14 285 të evakuuar në atë kohën e atij sinkronit. E fundit për banesat, se e bëjnë pyetjen shpesh dhe të tjerë “si ka mundësi që vazhdojmë të kemi përmbytje”? Në fakt, ne kemi pasur shumë më tepër përmbytje në kohën kur përmbytjet ishin një gjë shumë e rrallë nëpër botë dhe në kontinentin tonë, sot përmbytjet nuk janë më një gjë e rrallë dhe ndodhin.

Por të kthehemi përsëri, ka përmbytje e përmbytje, sepse në rastin e përmbytjes që unë kam komentuar atje, ajo është një përmbytje e robit jo e Zotit. I qëndroj prapë asaj 100% dhe janë dhe të dhënat, por s’po hyj këtu, të gjithë shkarkimeve të kaskadës këtë herë, atë herë që e provojnë katërcipërisht këtë që po them.

Uji në përmbytjen e atëhershme vajti deri në çati dhe preku sipas Bashkisë Shkodër, jo sipas qeverisë 6130 shtëpi. Ndërkohë po Bashkia Shkodër thotë se këto ditë ka pasur vetëm 30 banesa me prezencë uji të përkohshme dhe ndërkohë kur të dilni këtu të nxirrni ato fotografitë e Durrësit, në Durrës kanë qenë 15, por natyrisht nëse unë e marr kamerën e “iphone” tim dhe e fus me qëllim edhe në një vrimë të vogël me ujë këtu në të djathtë të korridorit mund të stimuloj një përmbytje globale, po të dua", tha Rama.

Ora 11:47
Interpelanca e PD për motin e keq/ Xhaferraj ‘kërkon llogari’ me videon e Ramës në opozitë: Na jepni shpjegime, çfarë keni bërë

 

Nisur nga situata e motit të keq në vend ku u dëmtuan tri qarqe, PD ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Rama. Deputeti Xhaferraj me anë të një videoje të kryeministrit në vitin 2010 e ka pyetur se ku është puna e qeverisë tani lidhur me këtë çështje.

“Reshjet e ditëve të fundit kanë prodhuar situatë kritike në disa qarqe të vendit. Janë përmbytur shtëpitë, bizneset e tokat duke rrezikuar jetën e qytetarëve, rasti më i dhimbshëm dy qytetarëve babë e bir që humbën jetën.

Kërkuam këtë interpelance urgjente për të dhënë shpjegime për situatën në vend.

  • 1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim? 
  • 2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë? 
  • 3. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, sic deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni?
  • 4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë? 
  • 5. A ka filluar një vlerësim paraprak i dëmeve  të shkaktuara dhe a mund te kemi nje informacion? 
  • 6. Ministri i Mbrojtjes, z. Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. A është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara? 
  • 7. Cilat janë investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës? 
  • 8. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta? 

*Tregon Videon e Ramës*

Ku është çeta e kusarëve zoti Kryeministër?”- tha Xhaferraj

G.MO//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës