Rama: Shqipëria gati, por sot asnjë vend nuk do futej dot në BE! Zgjedhorja?! 'E miratojmë me opozitën e re!'

TIRANË - Kryeministri Edi Rama bëri të qartë se Shqipëria do të arrijë t'i plotësojë dy kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave, siç janë Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë, dhe miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Kreu i qeverisë tha se rruga drejt anëtarësimit të BE është e gjatë, dhe nëse Shqipërisë i çelen zyrtarisht negociatat, kushtet që duhet të plotësojë për tu bërë shtet i BE-së janë të shumta. Hapi i parë për t'iu afruar PO-së së negociatave, është reforma zgjedhore, dhe për këtë shefi i mazhorancës kërkoi bashkëpunimin dhe votën e opozitës se re, ndërsa ju përgjigj liderit demokrat Lulzim Basha duke thënë se nuk është në pozitat për të vënë kushte për dialog për zgjedhoren.

Kreu i qeverisë Edi Rama këmbënguli gjatë fjalës së tij në Kuvend, se çelja apo jo e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk varet nga detyrat që duhet të kryejë vendi, pasi siç Rama u shpreh Shqipëria është në rrugën e duhur, por e gjitha varet nga politika dhe interesa të brendshme të vendeve anëtare në BE që duhet të japim një votë politike për të mikëpritur apo jo Shqipërinë, disa prej të cilave janë anti-zgjerim.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:59
Komisioni Hetimor për Metën do të zgjasë deri në 8 dhjetor! Miratohet edhe Rezoluta për nisjen e bisedimeve me BE

1569579407_kuvendii.jpg

Miratohet kërkesa e Komisionit Hetimor për Metën për zgjatjen e punimeve me dy muaj deri në datën 8 dhjetor. Kuvendi votoi me 103 vota pro, asnjë kundër dhe 3 abstenim për të zgjatur punimet për Komisionin Hetimor. Komisioni kërkoi zgjatje të afatit të punimeve për të marrë kohë që të japë një vendim mbi presidentin Ilir Meta, pas publikimit të Opinionit të Venecias me datë 11 Tetor.

Kuvendi miratoi me 104 vota edhe rezolutën për mbështetjen e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ora 13:00
Rama: Në Durrës një prokuror, pjesë e organizatave kriminale (VIDEO)

Gjatë diskutimi në Kuvend kryeministri Rama foli për një prokuror që është i lidhur me bandat dhe i bën presion edhe administratës shtetërore. Rama po fliste për reformën në Drejtësi dhe pa dhënë emra tha që në Durrës është ende një prokuror pjesë e bandave ndërsa kërkoi që drejtësia të funksionojë dhe ai të arrestohet.

“Vetingu nuk është pushim nga puna, është pastrim i sistemit, krijimi i një sistemi ku gjykatës e prokurorë janë të verifikuar si të pastër e pastaj sistemi do t'i thërrasë do t’i vijë radha, hajde këtu, këto vilat e këto faturat e bixhozit në Monte Carlo me ca i bërë zotrote. Tani ata janë qytetarë të lirë. Prokurori në Durrës që është prokuror dhe punon për organizatat kriminale dhe u bën shantazh nëpunësve të shtetit, mësoje që nuk arreston kryeministri dhe qeveria, por drejtësia dhe procesi i ndërtimit të një drejtësie që arreston është ky që po bëjmë. Po të më kishit mua para 30 vjetësh do flisnit ndryshe, e do flasim ndryshe pas disa vjetësh kur të shikoni që këto që po ju them do jenë fakt”, tha Rama.

Ora 12:53
Hajdari: Rama të hapë krahun dhe të ndryshojë sistemin! Nuk jam ushqyer me bukën e kalbur të dua partinë para vendit (VIDEO)

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudian Hajdari tha sot gjatë fjalës nnë parlament se kryeministri Edi Rama duhet 'të hapë krahun' dhe të ndryshojë sistemin zgjedhor duke bërë lista të hapura. Ajo tha se grupi parlamentar që ajo përfaqëson do jenë të parët si opozitë që vendosin vendin para partisë.

 “Minimumi që mund të bënte është të thotë do hap krahun dhe të ndryshoj sistemin dhe të bëj lista të hapura. Qeveria bën propagandë gjithandej. Jemi ne dhe ky kryeministër që e ka bërë këtë vend, që shqiptarët të largohen masivisht. Kryeministri është delja e zezë sot, që nuk po i lejon shqiptarët të bëhen pjesë e BE. Rama gënjen herë pas here dhe nuk tregohet i sinqertë. Ne duhet ta ndryshojmë sistemin, sepse e vetmja votë e lirë që do vijë këtu dhe të vetmin njerëz që do e përfaqësojnë këtë Parlament do jenë ata që iu shërbejnë qytetarëve. Sot qytetarët kanë humbur besimin dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë për të rikthyer besimin.

Sot cdo qytetar ka humbur besimin te liria e votes, te demokracia. Që në momenti që u vendosa në listen e PD dhe arsyeja pse jam ne politikë ishte: për të shtyrë përpara agjendën evropiane të vendit. Qëllimi për të shkuar në BE shkon përtej partive, militantëve.

Kjo elitë politike ka penguar zhvillimin. Do jemi opozita e parë që vendosem të vëme vendin para partisë, rebeletët e parë të këtij sistemi të kalbur, ndihem krenare që jam nismëtare e kësaj rezolute. Nuk do punoj asnjë ditë kundër përparimit të Shqipërisë, e vështirë por jo e pamundur. Ky sistem është më i keqi që ka njohur vendi, demokracia është varfëruar nuk i shërbejmë dot më këtij qëllimi edhe pse jam ne opozitë luftova për çeljen e negociatave, për të bërë diferencën, që Shqipëria të ketë mundësi zhvillimi e përparimi. Dua të mbaj mend se edhe pse jam në opozitë luftova për negociatat. Edhe pse jam në opozitë dua që Shqipëria të ketë mundësitë dhe të realizojë të gjitha projektet për të ardhmen ekonomike të vendit.

Unë nuk jam ushqyer me bukën e kalbur që të dua partinë para vendit tim", tha Hajdari.

Ora 12:15
Rama gjen një palë syze tek vendi i tij, reagimi tij shkakton të qeshura në Kuvend (FOTO)

Kryeministri Edi Rama ka gjetur një "surprizë" të vogël teksa është ulur ne vendin e tij në Parlament.

Një palë syze, ngjyrë blu, ishin vendosur në tavolinën e tij të punë. Megjithatë reagimi i Ramës shkaktoi shumë humor dhe të qeshura në sallë. Ai ua tregoi të gjithë deputetëve të tjerë në sallë.

Nuk dihen se si kanë mbërritur në ato tryezë ato palë syze.

Ora 12:11
VIDEO-Rama-Bashës: Kush je ti që më çon mua kushte?! Zgjedhoren ta miratojmë me opozitën e re...(dhe një ironi me Mbretin pa mbretëri në Kuvend)

Ultimatumit të liderit demokrat Lulzim Basha me një platformë me 5 pika të cilën kryeministri duhet ta pranojë për të zgjidhur krizën dhe si kusht për të vijuar më tej dialogun për reformën zgjedhore, Edi Rama i dha përgjigje sot në Kuvendin e Shqipërisë. Qëndrimi i tij ishte i qartë: opozita e dalë tashmë jashtë parlamentit nuk është në pozitat për të vënë kushte. Zgjidhja sipas kreut të qeverisë, duhet të vijë si pasojë e bashkëpunimit me opozitën e re në Parlament për të miratuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian. Kjo, tha Rama, bëhet pëer të ardhmen evropiane të Shqipërisë, për të plotësuar kështu, edhe dy nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave, Gjykatën  Kushtetuese e të Lartë dhe reformën zgjedhore. Gjatë fjalës së tij, kryeministri nuk ndali batutat dhe ironinë me deputetin Kujtim Gjuzi.

"T'i thotë një këmbësor që rri tek hija e fikut një makine hap krahun. Me çfarë dekreti hyjnor e ke marrë të drejtën të më çosh mua planin? Kush je ti kë përfaqëson? Ata që përfaqëson i ke lënë në rrugë bashkë me veten, ata janë të mirëpritur në çdo moment, unë ju kam të gjithëve njësoj, juve këtu dhe ata atje, madje për ata kam pak më shumë dhimbje dhe kujdes se janë në hall më të madh, ju nuk jeni në hall të madh, ju keni hallin e Evropës, zotëria atje ka hallin e monarkisë. Hallet tuaja luksoze mbajini vet, se erdhi se nuk erdhi monarkia, ti je mbret pa mbretëri (i drejtohet Kujtim Gjuzit), po mbret je nuk të lëviz njeri nga froni.

Gjuz ti nuk je i përgjegjshëm, ti je mbret, je më shumë. Naltmadhëni, ulu, se jemi akoma në republikë. O naltmadhni, dallimi mes meje dhe teje është se ti ke jetuar në luftën e parë botërore, mos më fut në terrenin e luftës se aty me mund. Ti vjen nga lufta e pare, flet me kompetence.  

Miqtë e mi, reformën zgjedhore mbi bazën e rekomandimeve të OSBE ta bëjmë urgjent. Ata që janë jashtë nuk e duan. Ju që jeni brenda nuk keni përse të mos e doni. Ju thoni sistemi, ata që janë jashtë nuk e duan se një nga gjërat që do bëjmë bashkë është heqja e komisionerëve politikë. Të bëjmë reformën zgjedhore, të presim të plotësohet gjykata Kushtetuese dhe e Lartë dhe t'i  themi miqve tanë gjermanë, se nuk e dimë çfarë do të shkruhet në vendim, se një vend mund të shtojë ndonjë kusht tjetër, por për sa flasim dhe atyre që u kemi borxhin më të madh në këtë proces, në kuptimin e mirë të fjalës, se nuk na kanë dhënë ndonjë dhuratë, kredi, se na kanë dhënë atë që meritojmë, për të çelur negociatat, ne këto dy kushte ja bëjmë, dhe le të përfitojmë pozitivisht nga qenie e tyre në krah me ne se kushtet e tyre janë plotësuar. Mos të rrimë të presim këtu të biem dakord për të gjitha. Të biem dakord për Evropën që ju e doni shumë dhe e keni në majë të gjuhës sa herë flisni.

Një mbreti të vetëm në parlament i lejohet të shkelë rregulloren", tha Rama.

Ora 11:56
Negociatat/ Rama: Nuk është udhëtim i qeverisë sime, por i përbashkët. Shtetet kundërshtare nuk e kanë me Shqipërinë, por janë anti zgjerim (VIDEO)

Kreu i qeverisë Edi Rama këmbënguli gjatë fjalës së tij në Kuvend, se çelja apo jo e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk varet nga detyrat që duhet të kryejë vendi, pasi siç Rama u shpreh Shqipëria është në rrugën e duhur, por e gjitha varet nga politika dhe interesa të brendshme të vendeve anëtare në BE që duhet të japim një votë politike për të mikëpritur apo jo Shqipërinë. Por kjo tha Rama, nuk varet me Shqipërinë konkretisht, por me politikat e disa vendeve anti-zgjerim. Shefi i mazhorancës tha se të gjitha palët duhet të bëhen bashkë për të ardhmen e Shqipërisë, pasi kjo nuk është çështje e një qeverie, por e një kombi.

"Nuk e dimë se çfarë do të thotë Franca, ju e dini se jua ka thënë naltmadhnia e tij atje në fund (i referohet deputetit Kujtim Gjuzi), por sidoqoftë le t'i referohemi këtyre dy kushte, ato të tjerat janë 9, 999, deri kur të vijë dita të kemi plotësuar kushtet.

Ne duam që negociatat të hapen se duam të heqim qafe sa më parë këta që janë në krye, e thoni ju dhe e thonë ata që nuk janë këtu. Deri vjet, ishin zgjedhjet evropiane, dhe ata e thonin copë, por jo para kamerave, të mbarojnë një herë zgjedhjet. Sepse a është gati apo jo Shqipëria, objektivisht e thotë Komisioni Evropian, politikisht e thonë ata që janë më lart, Këshilli Evropian, dhe këtu gjuha rrotullohet sipas interesit. Nuk kam asnjë arsye dhe prirje të them që këta që po na bien në qafë. Sepse nuk e kanë për të na rënë në qafë, ata e kanë problemin me administrimin e situatës së brendshme në vendet e tyre, dhe pastaj brenda BE-së. Malit të Zi kanë një vit që i kanë bllokuar hapjen e një kapitulli, sepse nuk është gati. Nuk po shkojmë në një kishë apo xhami, ku e kemi rrugën të shtruar dhe janë të mirëpritur të gjithë mëkatarët. Po kërkojmë të futemi në një familje interesash të mëdha dhe situatat ku konvergjenca është tejet e vështirë, nuk bëhet me shumicë votash duhet të jenë të gjithë dakord, mjafton të thotë njëri nuk dua, dhe nuk bëhet. Nuk është një udhëtim i kësaj qeverie, është një udhëtim i përbashkët. Nesër do ju vijë radha ju, do jeni këtu, dhe mjaft më 30 vjet duke minuar për të sotmen rrugën e përbashkët të së ardhmes, duke gënjyer gjithë kohës. Të gjithë ata që kundërshtojnë Shqipërinë, janë kundër zgjerimit. Shqipërinë e përdorin si dordolec për të trembur të tjerët për interesat e tyre politike. E dini sa kohë ka marrë Serbia pas PO-së së negociatave? 32 muaj. Ndërkohë që ne duhet të plotësojmë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe Reformën Zgjedhore", tha Rama.

Ora 11:49
PO-ja e Bundestagut për negociatat/ Rama: Merkel vuri veton për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë se kancelarja gjermane Angela Merkel ka vënë veton që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos jenë jashtë Bashkimit Evropian. Kreu i qeverisë referuar rezolutës së Bundestagut gjerman që dha PO-në për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, tha se nuk ka kushte të reja, por se me marrjen e PO-së zyrtare të çeljes së negociatave, Shqipërisë i duhet të arrijë ndryshimet e domosdoshme në rrugëtimin e gjatë për tu bërë një shtet i Bashkimit Evropian.

"Dëgjoj këtu që Gjermania ka vënë kushte. Pse i ka vënë Gjermania kushtet? Kushtet Gjermania i ka vënë për politikën e vet të brendshme. Dhe në funksion të politikës së vet të brendshme. Edhe nëgrupin më të madh parlamentar në Gjermani, bëhet një debat deri në moment të fundit sikur cfarë po i japim Shqipërisë, dhe ka vota pro dhe ka vota kundër. Për kë? Për politikë të brendshme. Gjermania ka thënë PO, vetëm për një arsye. Që e ka shprehur dje reporteri i Bundestagut, sepse kancelaria ka vënë veton që nuk ka ndarje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe është vendosur PO. Nuk janë 9 kushte, janë 999. Ne në procesin e integrimit duam dhe duhet të ndërtojmë Shqipërinë evropiane këtu, dhe ato kushte janë të gjitha të lidhura me punë të cilat si u thanë si nuk u thanë, do të bëhen, patjetër. Nuk diskutohet", tha kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij në Kuvend.  

Ora 11:31
Rama: Shqipëria është gati për t'i hapur negociatat, por sot asnjë vend nuk do të futej në BE (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama tha se e ardhmja integruese e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk lidhet me arritjet e vendit tonë, por me politikën dhe situatën e brendshme aktuale në Bashkimin Evropian. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është gati për të hapur negociatat, por e gjitha do të lidhet me pozitën aktuale të BE-së dhe qëndrimet e disa shteteve si Holanda e Franca që në këtë periudhë kanë mendësi të ndryshme për zgjerimin, dhe nuk është më në dorë të Shqipërisë. Rama tha se diskutimet në vendin tonë pro dhe kundër arritjeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit janë vetëm një debat për konsum të brendshëm politik.

"A është gati Shqipëria për të hapur negociatat? Besoj që pyetja është legjitime dhe e meriton një debat por kur ngrihet si pyetje retorike dhe pastaj merr atë përgjigjen e lehtë dhe përgjigjja argumentohet me Holandën, apo me kushtet e Gjermanisë, apo Francën, që qenkan më rigorozë se të gjithë vendet e tjera, dhe medemek shikokan më thellë se Komisioni Evropian që paguhet nga Gjermania, Franca, Holanda e gjithë të tjerët për të parë përditë më thellë, vetvetiu ikim nga thelbi dhe futemi në katundin tonë duke u përpjekur tu themi shqiptarëve secili, që unë jam ai që duhet të dëgjoni dhe besoni dhe jo parafolësi apo parafolësja. Kur ngrihet pyetja a është gati Shqipëria, në raport me kë? Këtu nis një diskutim real, dhe jo një debat i kotë, që në vend të synojë ta fokusojë politikën si e tërë, dhe shoqërinë tek kjo sfidë, në fakt synon të kundërtën. Të përdorë si argumente për të goditur këtu brenda argumente që në fakt nuk kanë lidhje fare me këtë. Sot cilido nga vendet e BE-së që është tanimë i integruar pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin të futej në BE nuk do të futej dot në BE. Sot cilido nga vendet që është në BE aktualisht, nuk do futej në BE dhe madje vende që ishin në BE përpara rënies së komunizmit, nuk do futeshin dot në BE. Sot që flasim, Sepse BE është në një debat të brendshëm i cili nuk ka në konsideratë ekspansionin në BE por daljen nga një situatë e cila e ka vendosur BE në pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera. Dhe sot debati mes Francës e Gjermanisë, apo mes atyre që e predikojnë zgjerimin hapur pa ngrënë arra në dorë, dhe atyre që nuk e duan zgjerimin, nuk lidhen fare, as me argumentet e përdorura këtu për politike të brendshme, dhe as me Shqipërinë, apo Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është shumë më gati për të hapur negociatat seç kanë qenë të gjitha vendet para se të hapnin negociatat. Sepse procesi është bërë shumë më i ndërlikuar dhe shumë më kërkues. Bashkimi Evropian nuk ka sot problem plotësimin ose jo të kushteve nga Shqipëria, por ka probleme të lidhura me një periudhë të tërë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve.", tha Rama. 

Ora 11:26
Majko propozon ndryshime në Kushtetutë: Kush braktis sistemin ta paguajë me ekzistencë legale! Ja kur do ketë zgjedhje (VIDEO)

Ministri i Diasporës Pandeli Majko propozoi sot në Kuvend ndryshimin e Kushtetutës lidhur me partitë politike që braktisin sistemin. Majko tha se mes të tjerash duhet të jetë edhe parashikimi se kush braktis sistemin duhet të paguajë edhe me ekzistencën elektorale

"Mazhoranca është e dënuar të zgjedhë kushtetutën. Sot ka dy opozita të cilat me nervozizmin e tyre e bëjnë të pamundur këtë proces. Opozita jashtëparlamentare ka vendosur në provë legalitetin e sistemit. Cilido opozitar që ndjen se nuk fiton përballë Edi Ramës duhet ta gjejë problemin tek vetja. Porblemi i vendit sot nuk është PS. Partia që u krijua nga studentët duhet të pyesë veten pse nuk po bëhet alternativë. Midis arsyeve të ndryshimit të kushtetutës, është se kush braktis sistemin duhet të paguajë jo vetëm politikisht por edhe me ekzsistencën legale. PD duhet të kthehet në sistem. Ne u detyrohemi këtyre burrave dhe grave që nuk braktisën përgjegjësinë për të qenë në Kuvend", deklaroi Majko.

Majko u shpreh se nuk do të ketë zgjedhje nëse Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë të ligjshëm 30 qershorin.

"Nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon rezultatin e 30 qershorit atëherë do shkohet në zgjedhje, të kesh frikë skenarët negativë është dramë personale. PD duhet të kthejë kokën pas”

Ora 11:22
Bushati: Duke notuar kundër rrymës nuk ke suksesin që meriton, secili prej nesh mund ta lërë karrierën politike (VIDEO)

Deputeti socialist Ditmir Bushati u shpreh sot gjatë fjalës së tij në Kuvend se duke notuar kundër rrymës nuk mund të kesh suksesin që meriton , ndërsa deklaroi se në procesin politik për hapjen e negociatave të gjithë janë të vetëdijshëm se secli mund të lërë edhe karrierën politike. Bushati tha se kushtet e Gjermanisë ndaj Shqipërisë nuk duhet të përdoren për të bërë politikë, por duhen parë si detyra shtëpie

"Qëndrimi i Gjermanisë nuk duhet ta në vijë surprizë. Gjermani është vendi që ka investuar më shumë  në Ballkan.  Në këtë kontekst, pavarësisht se flasim për kushte, besoj se si shqiptarë të mirë që jemi, duhet të flasim për të rritur standardet në jetën e përditshme.Lufta politike në vend është absurde. Leksioni numër një që kam nxjerrë për këtë proces, që të përparojmë na duhet një konsensus kombëtar. Ne kemi notuar kundër rrymës. Të notosh kundër rrymës ti nuk ke suksesin  që kërkon. Prandaj kam propozuar një pakt për Evropës, nuk diskutohet se barrën kryesore e ka qeveria, por jo vetëm. Reforma zgjedhore është një vit e gjysmë që është në tryezën zgjedhore.  Ne duhet të kemi guxim për të projektuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Duke qenë të vetëdijshëm, që secili prej nesh mund të lë karrierën politike në këtë vend. Duhet gëzuar për reformat që i duhen këtij vendit. Çështje kryesore në këtë themel është : ku jemi ne? Ikën 30 vite. Jemi vendi që nuk na janë ndarë për 30 vjet, çështjet e reformës zgjedhore dhe asaj të reformës në drejtësi. Një student sot pyet pse është ndryshe nga një moshatar i Bullgarisë. Sot duhet ta adresojmë barazinë mes qytetarëve, duke shtruar themelet e përbashkët të kësaj shtëpie, u shpreh Bushati.

Ora 11:13
Ralf Gjoni: BE ka dështuar me Ballkanin Perëndimor, po futemi në një familje problematike! Europa nuk na ka me dashuri të madhe (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re Ralf Gjoni, doli sot në Kuvend me një qëndrim ndryshe nga pjesa tjetër e deputetëve. Gjoni tha se BE ka dështuar me mënyrën se si ka punuar me Ballkanin. Ai tha se Shqipëria po përpiqet të bëhet pjesë e një familjeje problematike me 28 shtete.

"Ky duhet të jetë një moment reflektimi. Bisedimet duhet të ishin hapur me kohë. Kam bindjen se kjo ka qenë realisht e mundur dhe sot do kishim avancuar akoma më shumë me reformat. BE ka dështuar në mënyrën si ka punuar me  Ballkanin Perëndimor. Fakti që sot jemi ende duke trokitur në ndonjë derë. Po përpiqemi të bëhemi pjesë e një familjeje problematike me 28 shtete. Europa nuk është se na ka me ndonjë dashuri të madhe dhe nuk na e kanë ngenë. Sa më shpejt ta kuptojmë aq më mirë do jetë. E vërteta më e hidhur për ne është se negociatat do të jenë një proces i vështirë. Unë nuk e mbaj më shpresën te negociatat. Sot flitet për kushtet e Bundestagut gjerman. Ato nuk janë kushte. Për ne nuk duhet të keni rëndësi deklaratat e tyre por nevojat e qytetarëve. Sot dua t'i drejtohem socialistëve me një thirrje: Ose e reformojmë shtetin ose i lëmë reformat në harresë. Përmes propozimeve tona konkrete do përcaktohet edhe mënyra se si do votojnë emigrantët. Rama kur diskutohet për negociatat dhe integrimin nuk është prezent. Ai mund ta bëjë reformën zgjedhore me faza. Ai mund ta bëjë duke blerë vota me arnime por nëse do Reformë si e kërkon BE dhe SHBA duhen reformuar të gjitha hallkat e sistemit.  Reforma Zgjedhore duhet kryer në një kohë", u shpreh Gjoni.

Ora 10:43
Gjonaj: Mungesa e bashkëpunimit politik mund të reflektohet negativisht në sy të partnerëve tanë (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u shpreh se mungesa e bashkëpunimit mes partive politike do të reflektohet negativisht në sy të ndërkombëtarëve, ndërkohë që i inkurajoji forcat politike që të punojnë së bashku për forcimin e shtetit të së drejtës.

"Reforma në drejtësi pavarësisht goditjeve vijon të ecë pa ndalur. Kjo drejtësi do bëjë të mundur luftën kundër krimit dhe korrupsionit. EUROJUST do të mundësojë një bashkëpunim gjyqësor në hetimet e përbashkëta. Po punohet për krijimin e një rrjeti anti-korrupsion. Do të ndiqen rastet korruptive të denoncuara nga qytetarët. Mungesa e bashkëpunimit politik do reflektohet në sy të partnerëve tanë. I inkurajoj të gjithë forcat politike që të punojmë së bashku për forcimin e shtetit të së drejtës", u shpreh Gjonaj.

Ora 10:39
Deputeti i opozitës së re kundër të gjithëve: Kjo tufë edhe derrin e bën të skuqet për sojin e tij (VIDEO)

Deputeti i opozitës së re Halit Valteri ka akuzuar deputetët e mazhorancës dhe përfaqësuesit e mazhorancës se kanë nxirë Shqipërinë përgjatë këtyre viteve. Ai tha se integrimi nuk ka qenë kurrë prioritet për këtë Kuvend.

"Disa na shajnë dhe disa na përqeshin dhe të paktë janë ata që i vjen keq për të mjerën Shqipëri. Jemi në luftë kush e kush ta nxijë më shumë Shqipërinë. Në këtë parlament integrimi nuk ka qenë kurrë prioritet. Në listë kryesojnë disa persona që shtojnë sofrën me gjellë pasanikësh. Kjo tufë edhe derrin e bën të skuqet për sojin e tij. Është për të ardhur keq kur sheh se Europa është akoma skeptike. Janë kriminelë që i thërrasin zotëri. Hajdutët që bërtasin kapeni këë hajdutë. I duhet thënë jo shitblerjes së votës, jo presionit për të votuar dhe përralla të tjera si këto", u shpreh Valteri.

Ora 10:38
Kodheli thirrje të fortë palëve politike: T'i japim një shans shpresës europiane, pa futur shkopinj nën rrota (VIDEO)

Deputetja socialiste i bëri thirrje palëve politike që të mos të fusin shkopinj nën rrota për të penguar rrugën e Shqipërisë drejt BE.

"Kuvendi i ka të gjitha mekanizmat për zbatimin e kushteve të vendosura për çeljen e negociatave. Le t'i japim një shans shpresës sonë europiane duke punuar bashkë dhe pa shkopinj nën rrota. Duhet bashkëpunim që Shqipëria të marrë PO për çeljen e negociatave sepse shqiptarët e meritojnë", u shpreh Kodheli.

Ora 10:19
Senida Mesi: Projekt-rezoluta përcakton rrugëtimin e bërë deri tani dhe sfidat që na presin (VIDEO)

Deputetja socialiste ka deklaruar gjatës fjalës në Kuvend se projekt-rezoluta është vullnet i përbashkët i opozitës parlamentare dhe maxhorancës që ka përcakton rrugëtimin e bërë deri më tani dhe sfidat.

"Sot politika duhet të ketë njerëz me integritet që kanë përsipër këtë detyrë të shenjtë për të dhënë dhe jo për të marrë. Vijmë se bashku si mazhorancë dhe opozitë parlamentare me një projekt rezolutë që përcakton rrugëtimin që kemi bërë deri tani dhe sfidat që na presin. Duhet të përfundojmë reformat e ndërmarra duke bërë të mundur rezultate konkrete. Në kuadër të kësaj perspektive, projekt-rezoluta i drejtohet edhe vendeve të BE që në përputhje me rekomandimin e KE të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë", u shpreh Mesi.

Ora 10:12
Rudina Hajdari: Deputetët të mos rrinë në kafe, të vijnë të disktojmë projekt-rezolutën (VIDEO)

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari i ka bërë thirrje deputetëve që të lënë kafet dhe të vijnë në Kuvend për të diskutuar mbi projekt-rezolutën për negociatat me BE.

"Nëse deputetë janë në kafe të vijnë në sallë dhe të votojnë rezolutën sepse është shumë e rëndësishme", u shpreh Hajdari.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vjosa: 03/10/2019 18:38

    TE KESH TURP O EDI RAMA ke bere nje shtet palaco,,,ku asnje nuk denohet ,,,dhe ku vjedhja eshte bere norme nga ty,,vidh dhe vetem vidh,,njesoj si saliu,,,,kur do hiqni duart nga arka e shtetit,,,,po nuk e bete shpejt ,,atehere popullit I del detyre te ngrihet dhe tu largoje me dhune juve dhe pd dhe lsi nga skena politike….POPULLI DUHET TA KETE KUPTUAR SE ME SALINE,,ILIRIN ,,EDIN,,BASHEN,ASNJEHERE NUK HAPEN NEGOCIATAT,,,,,SEPSE KETA KANE VJEDHUR ARKEN E SHTETIT DHE S'MUND TI KERKOJNE LLOGARI GJYQTAREVE PSE NUK DENOJNE DIKE TJETER QE VJEDH,,VRET,,APO BEN KORRUPSION,,..///

    Përgjigju
  • miri: 03/10/2019 16:20

    Sa rende paska perfunduar ky mo shoke, kisha nja dy muaj pa e pare....ky paska marre fund. Tmerr e qamet i zi me ata qe punojne me kete, ky qenka shkalluar fare.

    Përgjigju
  • fatmir bastard çfarrkarri: 03/10/2019 14:16

    O Edi Rama mos humb kohën kot me një dështak si lyl kriminel hajdut e i pa shkoll. Po u more me të do fundosesh përfundimisht. Këti zagari tregoi vendin siç ja ke treguar gjeri tani e je në regull. Z O T I E BEKOFT SHQIPRIN

    Përgjigju
  • Pyka: 03/10/2019 12:37

    Ky djali,Valteri po flet mire...po me duket i besushem....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion