Kuvendi i hiq imunitetin Doshit e
Frrokut, nga PD pro vetëm Doda

Kuvendi i hiq imunitetin Doshit e<br />Frrokut, nga PD pro vetëm Doda
TIRANE - Tetëdhjetë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë votuan pro heqjes së imunitetit për deputetin Tom Doshi dhe me 79 vota pro e një abstenim u vendos për heqjen e imunitetit të kreut demokristian Mark Frroku. Në këtë mënyrë mazhoranca i dha aprovimin e kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme për të arrestuar dy deputetët, votive të së cilës iu bashkua edhe demokratja Mesila Doda, e vetmja nga opozita që nuk braktisi votimin për dy ligjvënësit, të cilët akuzohen se kanë inskenuar atentatin e mundshëm ndaj Doshit dhe demokratit Mhill Fufi gjashtë muaj më parë.
 
Deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi nuk u paraqit në seancë, ndërsa Frroku u “mbrojt” para kolegëve duke thënë se nuk ka lidhje me këtë histori, e duke i bërë apel njëherësh që të mos i hapnin rrugë precedentit të arrestimit të një deputeti për dëshmi të rremë. Për Mark Frroku, kërkesa e prokurorisë tregon degradimin e organit të akuzës.
 
Përgjatë gjithë seancës kreu i Kuvendit Ilir Meta qëndroi i ulur në karrigen e deputetit të PBDNJ-së, duke ia lënë Dules drejtimin e seancës,  i cili vazhdimisht përsëriti para deputetëve se kjo seancë nuk është e rëndë vetëm për dy deputetët.
 
Berisha: Ndjehesh komod që ulesh në vendin e një njeriu të akuzuar për dy vrasje. Ai bllokon paraqitjen e provës se i ka dërguar në qeli Durim Bamit xhelatin e i ka thënë të pres kokat e fëmijëve nëse dëshmon të vërtetën. Nëse ky është trillim ai që e ka bërë meriton ndjekje vetëm për këtë. Por në rast se është e vërtetë aty duhet të ishte Ilir Meta. Ti je Parti e të drejtave të Njeriut, dhe në një farë mënyre me këto veprime duket sikur bëhej avokatia e Ilir Metës me bllokimin e provës, çka stononte me zhvillimin e seancës.
Dule: Askush në këtë sallë dhe në Këshill nuk e kishte të dëshirueshëm praninë e tij si në zhvillimin ashtu edhe në vendimmarrje. Ka dhe disa rregulla loje, drejtimi i seancës është e drejtë kushtetuese.
Rama: Ju lutem respektoni rregulloren dhe t’i japim fund historisë ku bëhemi dëshmitarë të shkeljes së rregullores. Të procedojmë siç e parashikon rregullorja. Muhabetet e shtëpisë së oficerëve t’i bëjnë atje. 
 
Frroku u largua nga Kuvendi para nisjes së votimit dhe bashkë me të edhe opozita, përveç Dodës. Që në nisje të seancës opozita erdhi me misionin e qartë nga mbledhja e grupit: Të shtyjë votimin për kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Dje në Këshillin e Imunitetit opozita dhe mazhoranca bashkuan votat duke i thënë “Po” kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin, por ndanë qëndrimet sa i përket videos së re që deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendon se disponon e ku shfaqet i ndaluari Durim Bami duke deklaruar se dëshmitë para hetuesve i ka bërë nën kërcënimin e njerëzve me pushtet. 


(Votimi në Kuvend për heqjen e imunitetit të Doshit dhe Frrokut)

Ora 14:20 Doshi: E pres arrestimin. Do përballem në Gjykatë me prokurorinë. Aty do shihni provat
Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi tha se pas vendimit të Kuvendit për t’i hequr imunitetin e pret arrestimin etij. Madje ai e sheh këtë si një mundësi për tu përballur në Gjykatë me Prokurorinë, e cila e akuzon se ka inskenuar historinë e atentatit të mbetur në tentativë që ai pretendon se gjashtë muaj më parë ishte urdhëruar nga Ilir Meta. Doshi mungoi në seancën parlamentare të kësaj të enjteje ku kolegët e tij të mazhorancës dhe demokratja Mesila Doda votuan për t’i hequr imunitetin.
 
Ai iu përgjigj interesit të mediave ndërsa ishte duke lënë ambientet e Hotel “Sheraton”.
 
Doshi tha se video që sipas tij shfaq Durim Bamin teksa kërcënohet në qeli nga njerëz me pushtet, është e vërtetë.

 
"Ata nuk arritën për me më eleminu fizikisht se në fisin tim në kohën e Enver Hoxhës janë vrarë 5. Ky është një kontribut për shqiptarët që ta marrin vesh se deri ku ka shkuar krimi i organizuar. Qysh sot demokraci nuk ka më në Shqipëri. Kur nuk zbatohet ligji për deputetët imagjinoni për qytetarët e thjeshtë. Nëse një qytetar akuzon një përfaqësues institucioni, përfundimin e ka në burg".


 
A keni një mesazh për kryeministrin?

Ai sot ndodhet në një pozitë jo të mirë se sido qoftë puna kam punuar 10 vjet me të. Për të më e  rëndësishme është karrigia sesa një deputet të shkojë në burg.
 
E prisnin arrestimin?

Edhe arrestimin e pres çdo gjë është e mundur. Në gjykatë prokuroria është e detyruar t’i shohë ato prova, atëherë do të shohin. Provat i ka prokuroria, është një provë e patjetërsueshme. Do të ballafaqohem në gjykatë me prokurorinë.


 
Ora 13:30 Ja deptuetët që nuk morën pjesë në votim
Pjerin Ndreu, Fidel Ylli dhe Ledi Shamku janë deputetët e mazhorancës që nuk morën pjesë në votimin për Doshin dhe Frrokun.
 
80 deputetë ishin të pranishëm në sallë në momentin e votimit për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.
 
Mazhoranca ka gjithsej 84 deputetë. Doshi dhe Frroku nuk morën pjesë në votim, çka do të thotë se nga mazhoranca duhej të ishin 82 deputetë. Në mungesë të tre deputetëve Ndreu, Ylli, Shamku, mazhoranca kaloi në 79 të pranishëm, ndërsa numri 80 i votave që Doshi mori pro për heqjen e imunitetit, u shtua nga deputetja demokrate Mesila Doda.


Ora 13:05 Rama: PD sulmon Prokurorinë, në Parlament hedhin vetëm baltë
Kryeministri Rama e ka vlerësuar si një sulm të pashoqë kundër prokurorisë qëndrimin e opozitës mbrëmë në Këshillin e Mandateve dhe qëndrimin e mbajtursot në Parlament  ku u miratua heqja e imunitetit të deputetëve Doshi e Frroku.
 
Duke ironizuar qëndrimin e Partisë Demokratike, Rama u shpreh se “Jemi pro, por jemi edhe kundër. Jemi në mbështetje të Institucioneve të drejtësisë, por jemi edhe përballë tyre. Ajo çfarë ndodhi dje dhe sot ishte një sulm ndaj Prokurorisë.”

Më tej ai theksoi se qeveria është e pakënaqur nga puna e Prokurorisë, por asnjëherë nuk e ka penguar atë, ndërsa PD është shprehur më e kënaqur me punën e Prokurorisë. 

edi rama

Ora 12:45
Doda e vetmja nga PD që votoi "Grupi mendim që ndërgjegja ime s'e pranon dot"
Mesila Doda është e vetmja deputete e Partisë Demokratike e cila ka qëndruar në sallën e Parlamentit gjatë votimit për heqjen e imunitetit të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Ajo ka dhënë votën e saj pro heqjes së imunitetit të dy deputetëve. Dodën e kemi parë shpesh kohët e fundit të mbrojë fort kauzat e veta duke dalë shpesh edhe kundër rrymës së deputetëve të tjerë demokratë.

 


Jam e bindur në drejtësinë në qëndrimin tim në seancë dhe votën për të mbështetur drejtësinë, ne duhet t’i hapim rrugë një procesi që të jetë ndryshe për këtë Kuvend. PD shprehu qëndrimin në Parim. Por politikanët kanë detyrën t’i shkojnë deri në fund.  Do doja të votojë sot pro heqjes së imunitetit për vepra të tjera më të rënda penale, për ato që e ka akuzuar PD. Por nuk mund të jemi aq të papërgjegjshëm për të thënë se ku di unë se ç’bëj unë. Në momentin që kemi kërkesë nga ana e drejtësisë, vendim të qartë nga partnerët nuk mund të vazhdojmë dhe të kryejmë veprime që janë larg ndërgjegjes sonë. Grupi ka mendim që ndërgjegjja ime nuk e pranon dot”- tha ajo, pasi ka dale nga salla e Kuvendit, ne mbyllje te procesit te votimit per arrestimin e Frrokut e Doshit."-u shpreh Doda në një prononcim për gazetarët pasi la sallën e Kuevndit.

E pyetur nga gazetarët nëse me këtë veprim ajo ka dalë kundër vendimit të Grupit të PD-së, Mesila Doda u shpreh se : 
Ky ishte një vendim pro ndërgjegjes sime, jo kundër grupit, unë do të qëndroj në respekt të bindjeve të mia për një parlament më të mirë se shqiptarët duan të shohin një kuvend ndryshe. Unë  nuk kam frikë nga asgjë, nuk më mban dot peng askush, politikisht besoj se do të dua të jetë hapi i parë që duhet të ndjekë personat që kam 1 vit që jam shprehur në Kuvend, në momentin që mund të jepen rastet nuk kam pse të tërhiqem. Qëndroj në respekt të vullnetit për një politikë sa më larg personave që nuk meritojnë të qëndrojnë as në shkallët e Parlamentit.”- tha ajo.

Ora 12:39 Doda: Qëndrova në këtë seancë për të mbrojtur institucionin e drejtësisë
Menjëherë pasi u bë e vetmja nga opozita që votoi për heqjen e imunitetit të Doshit dhe Frrokut, deputetja demokrate Mesila Doda i kërkoi fjalën nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Dule për të sqaruar se përse mbajti këtë qëndrim ndryshe nga kolegët e saj demokratë. Ajo tha se e sheh votën e saj si një mundësi për të mbrojtur institucionin e drejtësisë, e një mundësi gjithashtu për një parlament më të mirë.
 


Doda: Ndërgjegjja ime nuk e pranon  të fshihem dhe të mos votoj, për t’i hapur rrugë hetimit dhe përgjegjësisë politike. Unë mendoj se ne jemi në një profesion qe e trajtojmë në dy mënyra aktrim politik ose përgjegjësi politike. Më shumë se një vit kërkojmë t’i hapim rrugën një procesi që përmirëson një mënyrë cilësore këtë parlament, do të vazhdojë të punojë për një parlament më të mirë dhe për një realitet më të mirë jo ky që është sot.

Grupi ka mendim që ndërgjegjia ime nuk e pranon dhe të fshihem, të mos votoj dhe për t’i hapur rrugë hetimit dhe përgjegjësisë politike. Shqiptarët kanë nevojë të shohin një politikë ndryshe.Është vështirësi njerëzore, nuk kam frikë nga asgjë, nuk më mban peng askush. Në momentin që na jepen rastet nuk kemi pse të tërhiqemi.

Nuk kam pasur asnjëherë këtë lloj problem, mbetem në respekt të bindjeve të mia për një politikë më të denjë


Votimi per Doshin
80 vota pro per t'iu hequr imuniteti
0 kunder

Votimi per Frrokun
79 vota pro
1 abstenim
0 kunder




Ora 12:38 Votmi për prezencën
80 deputetë të pranueshëm, kuorum i vazhdueshëm për të vijuar

 
Ora 12:37
Nis seanca

parlamenti

Ora 12:25 Grupi i PS kërkon pushim. Dule: Seanca ndërpritet me 15 minuta

Ora 12:20 Paloka: PD nuk do të marrë pjesë në votimin për “Doshin dhe Frrokun”. Parlamenti një farsë!
Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri publik vendimin e marrë duke deklaruar se opozita nuk do të bëhet pjesë e votimit për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi. Paloka tha se opozita është pro heqjes së imunitetit të tyre, por jo në kushtet kur parlamenti, siç tha ai, është kthyer në farsë dhe kryetari i saj Ilir Meta akuzohet për vrasjen e Doshit dhe demokrat Mhill Fufi. Ky qëndrim sipas Palokës, lidhet me faktin që mazhoranca nuk pranoi të shqyrtonte si provë një video të re që Doshi pretendon se disponon,  sipas të cilit Durim Bamit i është kërcënuar në qeli me jetën e tij dhe të fëmijë në qeli për të dhënë dëshmi të rremë.



“Skandaloze sepse kreu i Kuvendit akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e dy deputetëve, e frikshme sepse shqiptarët mësuan që kupola e fshehu dhe manipuloi këtë ngjarje. Jo më larg se dje u bëmë dëshmitarë të një akti, ku u kërkua vetëm një provë nga deputetët e opozitës që qëndrimi ynë të ishte i qartë dhe i prerë. Një provë e rëndë që akuzonte shtetin se kishte ushtruar presion në qelitë e shtetit të detyronte dëshmitarët për deklarim të rremë. Duke i qëndruar parimit tonë të shprehur prej vitesh se deputetët e PD nuk kanë nevojë për imunitet.  Në bazë të këtij parimi vota jonë është pro, por ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj farse të frikshme dha skandaloze. Grupi i PD nuk do të marrë pjesë në votim në këtë farsë”, tha Paloka.

Ora 11:58 Pas “mbrojtjes” Frroku lë Parlamentin
 
“Normalisht nuk jam në mendjen e kolegëve të mi se si do votojnë, por me sa u tha grupet janë dakord. Unë do e quaja degradim i shtetit ligjor, i institucioneve. Kërkesa e prokurorisë për të arrestuar dy deputetë, ose më mirë thënë për të arrestuar Mark Frrokun për një dëshmi të rremë, është shumë denigruese dhe vetë organi i prokurorisë ka degraduar bashkë me institucionet e shtetit.
 

Mendoni se do i shpëtoni arrestimit?
Unë e thash Mark Frroku është i gatshëm t’i përgjigjet drejtësisë, por organi i akuzës ka degraduar në kërkesat e tij. Është denigruese të kërkosh arrestimin e një deputeti për një dëshmi të rremë kur nuk është provuar. Te prokuroria nuk kam asnjë besim derisa kërkon arrestin tim në mënyrën më flagrante të mundshme. Jam jashtë kësaj historie dhe është e padrejtë të kërkohet heqja e lirisë sime. Unë do të pres faktet e prokurorisë, se me këtë relacion që ka sjellë është...



Është politik? Edhe politik. Nga ana ime nuk është ushtruar presion, po ushtrohet sot presion ndaj prokurorisë ndaj meje
 

Unë nuk kam pse kërkoj hetim ndërkombëtar se unë jam jashtë kësaj historie, nuk kam kanosur njeri, nuk kam bërë dëshmi të rreme
 
Si e shihni qëndrimin e mazhorancës?

Është në vullnetin e gjithsecilit prej deputetëve aty të votojë heqjen ose mos heqjen e imunitetit tim
 
Prokuroria ka marrë të afërm të zotit Doshi në lokalin e Doshit, kamarierë dhe banakierë dhe ata kanë dëshmuar ndaj meje sikur kam qenë në tavolinë me Bamin”.
 
Ora 11:48 Halimi: Videoja e kërcënimit të Doshit ekziston, Prokuroria e pranoi   
Eduard Halimi deklaroi se Prokuroria pranoi se ekziston një video kërcënuese që ka sjell më pas edhe ndryshimin e dëshmisë së Durim Bamit. Po sipas Halimit, kjo video nuk është bërë publike për Këshillin pasi deputetët e mazhorancës refuzuan të hartonin kërkesën.

Edhe pse në parim e kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë, Halimi shprehet se për PD dhe qytetarët hetimi është një farsë. Sipas tij mjaftonte dëshmia e Bamit, që është takuar tre herë me Tahirin që prokuroria të niste hetimet, “Por ishte zgjedhur kodi i heshtjes, kodi i mafias”- tha Halimi.

“Është një nga seancat më të vështira. Sytë e qytetarëve janë drejtuar për të parë çfarë do të bëhet me kërkesat e Prokurorisë. Dje u pranua nga të gjithë se ekziston një video ku rezulton që ky dëshmitar kishte ndryshuar dëshminë e vet nën kërcënimin e jetës. Prokuroria ka pranuar që kjo video ekziston, por do ta dorëzonte me kërkesë të Këshillit. Por kjo u kërkesë u pengua nga deputetët e mazhorancës. Por ajo video nuk u kundërshtua nga askush. Lidhur me thelbin e kërkesës, PD dhe të gjithë e kuptojnë që kjo është një farsë. Kjo ngjarje e ka fillesën 6 muaj më parë. Akuzat vijnë drejtpërdrejtë nga deputeti i prekur. Doshi, miku kryesor i Ramës tregojnë një skanar ogurzi me vrasës dhe antetator. Por kaq tronditëse është edhe fakti që është dashur të mbulohet kjo ngjarje. Doshi i ka treguar Kryeministrit këtë skenar. Por Rama nuk ia tregon Prokurorisë, por ia referon ministrit të tij, që ta hetojë ai me frikën se mos e marrin vesh qytetarë dhe opozita. Thirri 3 herë dëshmitarin e ngjarjes. Sipas atyre që kemi dëgjuar, dëshmitari ka mbajtur të njëjtin qëndrim. Do të mjafton kaq dhe asnjë justifikim që Prokuroria të niste punonin, por ishte vendosur kodi i mafias, heshtja. Këtu nuk funksionon shteti ligjor, Kryeministri nuk ia delegon Prokurorisë, por kreut të PS në Tiranë. Ç’na duhet Prokuroria, e hetojmë vetë thonë. Përpjekje për të manipuluar të vërtetën dhe për ta kthyer në një farsë. Po atë ditë që nisi hetimi, ministri i Brendshëm deklaroi se kjo ishte një farsë. Qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e Metës. Pas datës 3 mars u arrestua dëshmitari.  Prokuroria thotë se ka qenë Doshi ai që ka vënë në presion dëshmitarin, dhe se hetimet kanë të njëjtën rrjedhë me ato që tha MB. Dje Këshilli u vumë në dijeni se është marrë një përgjim ambiental, ku dëshmitari tregon se nën kërcënimin për jetën e tij dhe të familjarëve të tij ka ndryshuar dëshminë. Nëse gjithçka është e vërtetë, ashtu siç u pretendua, këtu kemi të bëjmë me një shtet edhe më kriminal e mafioz nga sa kemi imagjinuar. Për PD dhe anëtarët e saj në këtë Këshill, hetimi nuk është i besueshëm për aq kohë sa Meta nuk jep dorëheqje dhe fshihen prova. Nëse nuk paraqitet kjo provë, tregohet se mazhoranca kërkon të fshehë të vërtetën. Farsa e hartuar në zyrën e PS, dhe u është deklaruar ditën që nisën hetimet. ” - tha Halimi. 

halimi

Ora 11:45 Subashi: Vlerësuam që Këshilli e Parlamenti të mos jenë pengesë e Prokurorisë
“Seanca e djeshme ishte publike, procedura si u zhvillua e qartë për të gjithë. Pas dëgjimit të palëve, Këshilli bërë diskutimin e vet me dyer të mbyllura. Mor vendim konsensual me divergjenca të vogla. Konkluzionet janë të shprehura edhe në Raport. Në gjithë diskutimet u vu theksi se me ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës kemi një koncept të ri për imunitetin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë. Në Këshilli i Rregullores Imunitetit dhe mandateve, mbizotëroz mendimni që edhe ky këshill edhe vetë Parlamenti të mos jetë pengesë pasi nuk janë ata që vendosin për arrestimin e deputetëve, por është Gjykata e Lartë ajo vendos përfundimisht. Nga kjo pikëpamje i hapëm rrugën Kërkesës së Prokurorisë"- tha Arbando Subashi.

subashi

Ora 11:39 Frroku “mbrohet” para deputetëve: Mos i hapni rrugë kërkesës denigruese të Prokurorisë
Kreu demokristian Mark Frroku, ndryshe nga deputeti Tom Doshi i cili nuk u paraqit në asnjë moment në seancën e sotme në Kuvend, argumentoi para kolegëve të tij elementët sipas të cilit nuk duhet të shtynin deputetët drejt votimit për heqjen e imunitetit të tij. Ai tha se është e paprecedentë që një deputeti t’i hiqet imuniteti e më tej të arrestohet për dëshmi të rremë, kur edhe ky element sipas tij nuk është i provuar. Ai tha se i qëndron çdo fjale që ka dëshmuar para hetuesve, por shtoi se nuk do të donte që kolegët e tij t’i hapnin rrugë një precedenti të tillë, pasi sipas tij, shumë prej deputetëve do të përfundonin në situatën e tij për dëshmi të rremë.

Frroku: Unë në këtë histori jam i huaj dhe nuk është normale të më ndërpritet jeta ime politike. Unë nuk kam parë një politikan deputet të burgoset për një dëshmi të rremë e cila nuk ekziston ndaj meje, se para prokurorit kam dhënë dëshmi të saktë dhe vetëm kam thënë të vërtetën. Prokurori kërkon kontroll në shtëpi a thua se dëshmia ime është bërë me armatim të rëndë. Besoj se nuk do t’i hapni rrugën këtij precedenti, se atëherë shumë prej jush do të përfundoni nesër ashtu siç po pretendohet ndaj meje sot. Në 24 vite janë bërë dëshmi të rreme dhe të provuara, në rastin konkret për mua nuk është e provuar, edhe njohja me Durim Bamin që thotë Berisha është e paprovuar dhe nuk ekziston. Kam qenë shumë korrekt në këtë sallë parlament, në zyrat e kuvendit të Shqipërisë, në jetën time personale, marrëdhëniet me miqtë, por edhe me ligjin. Unë mendoj se kërkesa e organit të akuzës është e nxituar, denigruese, i kërkoj kolegëve të mi mos t’i hapin rrugë këtij precedenti. Fjala në fund dhe veprimi është në dorën tuaj, unë nuk kam frikë të përballem me drejtësinë dhe çdo akuzë që më bëhet. I ngelem pikë për pikë asaj dëshmie që kam bërë dhe do të vazhdoj prapë jetën time politike pasi të jetë sqaruar kjo histori dhe nuk ka shans që unë të ndaloj. Faleminderit të gjithëve

mark frroku

Dule:
 Faleminderit zoti Frroku. Nuk ka pyetje nga kolegët deputetë.

Ora 11:37 Nis seanca plenare pas 5 minutave pushim

Ora 11:31 Balla: I pashpjegueshëm qëndrimi i PD, vijojmë normalisht seancën
"Besoj se ndaj të gjithë shqetësimin për degradimin e PD dhe liderit të saj Berishëa në zëdhënës të Durim Bamit. E pashpjegueshme që të sulmojnë institucionet e vendit të mos respektojnë në asnjë gërmë rregulloren. Sjellja e sotme e PD e pashpjegueshme. Qëndrimi ynë i bërë qartë. Bindja jonë është se seanca duhet të vijojë në respekt të rregullores. Qytetarët janë ata që vlerësojë. Saliu i mbetur i pa punë pre 23 qershorit, ka zënë punën të re, zëdhënës i Durimit."- tha Balla.



Ora 11:28 Raporti i Këshillit për arrestimin, Doshi s’merr pjesë në seancë
Ndërsa në Parlament diskutohet raporti i Këshillit të Imunitetit që ka pranuar ditën e djeshme kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e deputetëve Mark Frroku dhe Tom Doshi, ky i fundit deri tani nuk është bërë pjesë e seancës Parlamentare.

Ndërkohë që deputeti tjetër nën akuzë, Mark Frroku ka marrë pjesë në Parlament madje është shprehur edhe se do të flasë gjatë seancës plenare

Ora 11.25 Berisha:Mazhoranca avokate e skenarit ogurzi të Metës
Pasi nënkryetari Dule kërkoi 5 minuta pushim të seancës, ish-kryeministri Berisha mbajti një prononcim për mediat jashtë ambienteve të Kuvendit ku sërish akuzoi mazhorancës se po bëhet “avokatja” e kreut të Kuvendit Ilir Meta.

 “Edhe në këtë seancë Mazhoranca po kërkon të mbulojë skenarin ogurzi të Ilir Metës. Fakti që Durim Bami ka deklaruar se i kanë dërguar në qeli xhelatin dhe e kanë kërcënuar se do ti vrasin fëmijët nëse hap gojën. Mark Frroku gënjeu, sepse për interesa të tij personale nuk njoftoi Ilir Metën.  Fakti që Ilir Meta ka thirrur familjarët e Mhill Fufit për të akuzuar tregon qartë se kemi të bëjmë me një farsë të vërtetë të një vendi të lirë dhe një manipulim të plotë të provave. E kam deklaruar që në fillim se prokuroria ka vetëm një qëllim, që të shkruaj fjalë për fjalë atë që i dikton pushteti. Mbrëmë ju e ndoqët që u bë gjithçka për të manipuluar provat”, u shpreh Berisha.


Ju dhatë aprovimin për dhënien e autorizimit Kuvendit për arrestimin e deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku 
Ne e japim aprovimin sepse ne jemi parti e shtetit ligjore, siç e japim atë ne edhe ju tregojmë të gjithë shqiptarëve të njohin të vërtetën. 
Por, Prokuroria nëse kjo është shpifje merr menjëherë vendim dhe nuk e mbyll seancën duke mbrojtur Ilir Metën.


Ora 11:15 Seanca nuk shtyhet, 5 minuta pushim
Dule:
Zoti Berisha ju lutem, nuk është etike në një kohë që unë ju drejtohem ju ngriheni në këmbë. Ju lutem një vetëpërmbajtje elementare. Kemi një kërkesë nga opozita se ka paraqitur raportin e saj. Le të lexohet raporti i mazhorancës dhe i opozitës që e ka gati. Ky qëndron kërkesa për shtyrje, është në shkelje me rregulloren. Mos të përpiqet asnjëra palë për përfitime politike, jemi të gjithë duke u vlerësuar nga opinioni dhe shoqëria. Unë propozoj të fillojmë normalisht me deputetin Doshi dhe Frroku
(Opozita krijon zhurmë në sallë)
Dule: 5 minuta pushim 

Ora 11:13 Topalli: Seanca duhet shtyrë/ Dule: Rregullorja e ka ndryshe
Ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka kërkuar që seanca për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Doshit dhe frrokut të shtyhet pas 48 orësh. Sipas saj rregullorja e parashikon që seanca duhet zhvilluar 48 orë pas dorëzimit të raportit.

Ndërkohë që nënkryetari i Kuvendit ia ka hedhur poshtë këtë argument duke lexuar nenin 118 pika 4 të rregullores. Pikë e cila raportet për heqjen e imunitetit  vendoset pika e parë e rendit të ditës së seancës së parë.

Topalli: Rregullorja e Kuvendit thotë që çdo raport që vjen nga komisionet, detyron kreun e Kuvendit që të mos zhvillojë seancën 48 orë pas dorëzimit të Kuvendit. Raporti sapo është dorëzuar, seanca duhet të zhvillohetpas 48 orësh.
Dule: Nuk është e udhës të lexojmë rregulloren. Të  gjithë e dimë. Neni 118 pika 4, kërkesa për heqjen e imunitetit vendoset pika e parë e rendit të ditës së seancës së parë pas përfundimit të raportit.
Rama: Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. E kemi bërë këtë parlament qesharak prej një viti duke e bërë shkeljen e rregullore frymë të diskutimit këtu duke i thënë shqiptarëve një video si ajo e kopshtit zoologjik. Mjaft më me këtë farsë.
Dule: Zoti kryeministër parlamenti nuk mund të bëhet qesharak.

topalli

Ora 11:08 Rama: PS do largohet nga Kuvendi nëse shkelet rregullorja
Rama: Po ju kërkoj edhe njëherë respektoni rregulloren dhe po ju citoj rregulloren: Në këtë seancë plenare fjala i jepet deputetit ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime, raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi, votimi është i fshehtë. Së pari sot në këtë pikë jemi në një situatë specifike të caktuar nga rregullorja. Edhe përtej kësaj pike ju kërkoj të zbatohet rregullorja në këtë Kuvend. Unë ju siguroj se PS do të tërhiqet nga ky Kuvend në çdo moment që do të shkelet rregullorja. S’mund të pranojmë të japim çdo të enjte një shfaqje të shëmtuar 




Berisha: Tërheqja e PS nga Parlamenti, ekstremi i konceptit monist
Kjo deklaratë se PS tërhiqet nga Parlamenti është ekstremi i konceptit monist të parlamenti. Është humbje totale e logjikës, për shkak të pluralizmit. Jam dakord për zbatimin e rregullores”.

Ora 11:05 Flet Meta: Opozita ka zgjedhur t’i mbajë iso një falsifikatori raportesh
Meta: I nderuar zoti drejtues i seancës. (opozita thirrje në sallë për dorëheqjen)
Zoti Beqaj ju lutem ilaçet.
Personalisht ndihem shumë mirë që jam ulur në vendin tuaj (duke ju drejtuar Dules) Ju përgëzoj për tolerancën tuaj të jashtëzakonshme, por dua t’ju kritikoj për intolerancën tuaj të treguar pak më parë këtu. Keni bërë të gjitha veprimet për një procedurë sa më transparente
Ndërhyn Topalli: Jep dorëheqjen
Meta: Një deputet ka falsifikuar raport mjekësor për të shmangur ballafaqimin me të vërtetetat
(opozita thirrje në sallë)
Meta: Filluan krizat zoti Beqaj ilaçet

Këtë falsifikator keni marrë përsipër të mbroni, merreni dhe dilni dhe në fushatë me të, edhe në Shkodër, do ju vlerësojnë shkodranët juve personalisht. Opozita i mban iso presionit ndaj prokurorëve. Deputeti kishte 5 avokatë, 2 privatë dhe 3 deputetë të opozitës. Përgëzoj avokatët për mbrojtjen. Me qetësi dhe dashur mos nxitoni. Zoti Dule keni treguar një durim të paparë, ku një keqbërës i ka treguar gishtin prokurorëve. Ju kërkoj të respektoni kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD-së, ti' jepni mundësi zotit Halimi të paraqesë qëndrimin ose raportin e tij. Për sa i takon atyre çfarë tha zëdhënësi i Tomës për xhelatit, nuk kam asgjë. Nuk kam asnjë qëndrim për pantonimën që tregoi Toma dje. Nuk keni as ju interes që të bëhet publike, sepse bëhet e vlefshme. Ju kërkoj të keni durim sepse gjërat do të zbardhen. Patjetër dhe dashuri për doktorin, mbrapa.



Ora 10:55 Debatet Berisha-Dule
Berisha: Ndjehesh komod që ulesh në vendin e një njeriu të akuzuar për dy vrasje. Ai bllokon paraqitjen e provës se i ka dërguar në qeli Durim Bamit xhelatin e i ka thënë të pres kokat e fëmijëve nëse dëshmon të vërtetën. Nëse ky është trillim ai që e ka bërë meriton ndjekje vetëm për këtë. Por në rast se është e vërtetë aty duhet të ishte Ilir Meta. Ti je Parti e të drejtave të Njeriut, dhe në një farë mënyre me këto veprime duket sikur bëhej avokatia e Ilir Metës me bllokimin e provës, çka stononte me zhvillimin e seancës. A ka mundësi të votojnë njerëzit pa lexuar një gërmë këtu. Mirë ne që e ndoqëm seancë, por a duhet të njihen ata që se ndoqën. Të gjitha këto janë në funksion të një njeriu.
Dule: Askush në këtë sallë dhe në Këshill nuk e kishte të dëshirueshëm praninë e tij si në zhvillimin ashtu edhe në vendimmarrje. Ka dhe disa rregulla loje, drejtimi i seancës është e drejtë kushtetuese.
Rama: Ju lutem respektoni rregulloren dhe ti japim fund historisë ku bëhemi dëshmitarë të shkeljes së rregullores. Të procedojmë siç e parashikon rregullorja. Muhabetet e shtëpisë së oficerëve t’i bëjnë atje. 


berisha dule

edi rama

Ora 10:50 Debate Topalli-Dule
Topalli: Zoti kryesues i seancës, në Parlament ka një histori, në zyrat e kryesisë së Kuvendit ka një arkivë. Shumë deputetë kanë qenë të pranishëm, ka pasur shumë kërkesa për heqje imuniteti. Në momentin që vjen një relacion nga prokuroria për të kërkuar heqjen e imunitetit, ka një praktikë, Këshilli i Rregullores e ka për detyrë për të kërkuar bashkangjitur me relacionin e Prokurorisë, dokumentet bashkëngjitur. Vota kundër e mazhorancës për të mos pranuar provat shtesë është e paprecedentë. Nuk mund të gjykohet pa provë, ju dje votuat kundër marrjes së provës. Unë ju kërkoj ti merrni prokurorisë provat dhe dokumentet shtesë.
Dule: Është një çështje që u diskutua edhe në Këshill. Kodi i Procedurës Penale është amenduar në 2014 dhe tashmë kërkohet vetëm relacioni. Rastet që ju i referoheni janë bërë më parë. 


topalli dule

Ora 10:45 Nisin debatet ne Kuvend
Paloka: Ne sapo na erdhi një raport i Këshillit për Imunitetin që është përgatitur nga deputetët e mazhorancës dhe shohim që është përfshirë edhe mendimi i opozitës. Mendimi i opozitës do të paraqitet nga deputetët, nëse mazhoranca do marrë përsipër të thotë mendimin e opozitës nuk e dimë a kemi parlament pluralist. Kërkoj që mendimin e opozitës ta japë zoti Halimi.
Dule: Me kërkesën e pjesëtarëve të opozitës në mbledhjen e djeshme të Këshillit u shpreh kërkesa që në këtë raport të artikulohet edhe mendimi i opozitës i cili edhe është përfshirë. Nëse opozita kërkon të ketë raportin e saj pa asnjë problema do të lexohet në seancën plenare.
Halimi: Lidhur me atë që thoni ju zoti kryetar duhet ti themi qytetarëve të vërtetën. Në fjalën e deputetëve të PD u theksua në fund të mbledhjes se qëndrimi i deputetëve të PD duhet të shënohet qartë në procesverbal. Në përfundim të mbledhjes nuk u vendos se cila do të ishte data kur do paraqitej ky raport. Pas pak minutash në përfundim të mbledhjes, kur u tha se sot do të zhvillohej kjo seancë dhe raporti do ishte sot, unë ju kam telefonuar dhe në mungesë të përgjigjes ju kam cuar mesazh dhe ju e keni lexuar. Meqënëse se keni caktuar datën se kur do paraqitet raporti opozita do të paraqitet me raportin e saj. Kjo është e vërteta, apo jo zoti DUle?
Dule: Ju falenderoj për ndërhyrjen tuaj. Ju kujtoj për përmbylljen e diskutimit tonë të djeshëm në Këshill. Jemi dakord me kërkesën e Prokurorisë, raporti do të reflektojë pikërisht këtë qëndrim konsensual. 


Ora 10:40 Kuvendi nis seancën nën drejtim e Vangjel Dules
Ashtu sikurse në mbledhjen e Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin, Meta i ka lënë drejtimin e seancës parlamentare zëvendësit të tij Vangjel Dule.

parlamenti

Ora 10:15  
Mark Frroku ne Parlament per mbrojtjen 

Kreu demokristian Mark Frroku do të jetë në parlament për të paraqitur argumentet e tij para deputetëve se përse sipas tij nuk duhet të vendosin kundër tij duke i hequr imunitetin. Lajmi konfirmohet nga burime për A1 Report, ndërsa gjatë mbledhjes së këshillit të Mandateve dhe Imunitetit mbrëmjen e së mërkurës deputeti u përfaqësua nga dy avokatët. 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën