Kuvendi i Kosovës miraton
Projektligjin për Amnistinë

Kuvendi i Kosovës miraton<br />Projektligjin për Amnistinë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 91 vota pro dhe 17 kundër kanë miratuar në parim projektligjin për amnistinë, pas heqjes së nenit 3. Projektligji është mbështetur nga të gjitha partitë parlamentare, përjashtuar Vetëvendosjen, e cila ka vlerësuar se përmes këtij ligji po amnistohet krimi. Votimi në parim ndodhi në orë 13:15.

ORA 11:30 KUVENDI FUT NE RENDIN E DITES, PROJEKTLIGJIN PER AMINISTINE

Me votimin për shmangien nga rregullorja e punës, Kuvendi ka futur në rend dite shqyrtimin në lexim të parë të Projektligjit për amnisti, i cili është riproceduar nga Qeveria si projektligj i ri, pasi në seancën e kaluar dështoi t’i marrë dy të tretat e votave të deputetëve. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi bëri prezantimin e tij, duke thënë se ka një konsensus më të gjerë dhe më demokratik për këtë projektligj.

Kur një ligj nuk i bie tamam një populli, duhet të ndryshohet ligji dhe jo populli. Thënien që e përmend vazhdimisht zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e përsëriti në seancën e Kuvendit në të cilën prezantoi Projektligjin për amnisti. Qeveria është dashur ta ndryshojë projektligjin, duke hequr nenin 3, për ta riproceduar në Kuvend vetëm pak ditë pas dështimit që i njëjti të marrë dy të tretat e votave të deputetëve. Kuçi tha se projektligji respekton vullnetin e qytetarëve, respekton standardet ndërkombëtare dhe është funksional për vendin

“Në shtetet e konsoliduara ligji vjen si rezultat i një mentaliteti dhe realiteti të shprehur përmes vullnetit të qytetarëve, por në demokracitë e brishta, çfarë është ende e jona, natyrisht se ligji tenton t’i ndryshojë realitetet. Unë jam i bindur se ky ligj do ta bëjë një gjë të tillë”, tha Kuçi.

Kryetari i Komisionit për legjislacion, Arben Gashi kërkoi nga deputetët që ta përkrahin projektligjin, ndërsa në emër të LDK-së, Haki Demolli shprehu mbështetjen e në emër të grupit duke thënë se janë bërë ndryshimet e dispozitave të caktuara që ka kërkuar LDK-ja.

“Pikërisht kjo dispozitë e këtij ligji ju garanton të gjitha familjeve të të vrarëve por edhe të gjithë kosovarëve se me këtë ligj nuk do të amnistohet asnjë vrasës, pavarësisht përkatësisë së tij etnike, moshës, kohës së kryerjes mes vendit të kryerjes ose viktimës së tij”, tha Demolli.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim për këtë projektligj pavarësisht ndryshimeve. Deputetja Albulena Haxhiu bëri thirrje që projektligji mos të votohet.

“Përfundimisht ky priojektligj dhe forma e imponuar e miratimit të tij, pra dy lexime për një ditë tregon qartë se është përveçse i dëmshëm, i pandryshueshëm dhe si rrjedhim i papërmirësueshëm, prandaj e vetmja rrugë e pengimit të amnistimit të krimit është vota kundër këtij projektligji, andaj ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që mos ta votoni këtë projektligj”, tha Haxhiu.

Ndërsa Ardian Gjini, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, tha për dallim prej projektligjit të kaluar, ky i riu ka provizione shumë të qarta.

“Projektligji që e kemi e përmban një provizion të tillë dhe unë nuk e di se si po mundet dikush të thotë se po amnistohen vrasësit kur ka provizion tepër të qartë se vrasjet dhe lëndimet e rënda trupore nuk do të amnistohen”, tha Gjini.

Shqyrtimi në lexim të parë i Projektligjit për amnisti po vazhdon me debatet e deputetëve, ndërsa pritet që gjatë ditës projektligji të kalojë në komisionet përkatëse për t’u kthyer sërish në seancë për shqyrtim të dytë.

Në agjendën e Kuvendit është e paraparë një tjetër seancë për në orën 15, në të cilën pritet që të hyjë në rend dite edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për amnisti, i cili buron nga Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e arritur në Bruksel nga kryeministrave të të dy vendeve më 19 prill.

Marrë nga RTK
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'

Drejtori në detyrë i Shërbimit Sekret: Dështimi i masave të sigurisë për ish-Presidentin Trump 'i pajustifikueshëm'